Eksploziv rezervuarit, vdes gruaja

Vendi ku u godit për vdekje Liljana Xake
Eksplozivi i përdorur gjatë punimeve në kanalin e rezervuarit të Helmesit i merr jetën 57-vjeçares. Ngjarja është shënuar mesditën e djeshme, në fshatin Mollas të rrethit të Kolonjës. Liljana Xake ka qenë duke punuar në oborrin para shtëpisë së saj kur është goditur nga një copë tubi metalik në kokë, duke gjetur vdekjen në vend. Nga dëshmitarët e rastit mësohet se punonjësit e komunës ishin duke kryer punime për të bërë riparime në kanalin e ri ujitës të fshatit. Në pamundësi për të hequr tubin me dorë, kanë përdorur lëndë plasëse artizanale. Por, ndryshe nga sa kishin parashikuar 3 personat që ishin duke realizuar shpërthimin, forca e eksplozivit ka qenë më e madhe dhe ka bërë që pjesët e ndryshme të tubacionit që do të hidhej në erë të fluturonin në një distancë prej disa metrash. Kryeplaku i fshatit, Jorgo Lazi, 44 vjeç, Bledar Zoja, 26 vjeç dhe Adrian Emini, 50 vjeç, punonjës të komunës Mollas, ishin duke kryer heqjen e tubave metalikë, pasi sipas një vendimi të marrë nga këshilli i komunës ato do të përdoreshin në kanalin e ri ujitës të fshatit. Sipas Policisë, 3 personat kishin vendosur një sasi të konsiderueshme lënde eksplozivi në afërsi të tubave për ti shkëputur ato nga njëra-tjetra, por si pasojë e shpërthimit ato janë copëtuar dhe hedhur në ajër në distanca të cilat arrijnë në disa qindra metra. Copat e tubave apo edhe betonit anësor të kanalit kanë arritur deri në brendësi të fshatit, i cili ndodhej rreth 200 metra larg kanalit të vjetër dhe kanë goditur ndërtesat apo edhe persona të ndryshëm, mes të cilëve edhe viktima. Tronditja, sipas banorëve, ka qenë tepër e madhe dhe ata janë kapur nga paniku pasi në momentin e ngjarjes shumë prej tyre, kryesisht fëmijë, ndodheshin jashtë banesave. Pasi kanë parë Liljanën të rrëzohej përtokë, banorët, të cilët ndodheshin në afërsi të saj, kanë vrapuar për ta ndihmuar, por ajo kishte dëmtime të shumta në pjesën e kokës. Sakaq banorët kanë kërkuar ndihmë mjekësore për 57-vjeçaren e më tej kanë njoftuar edhe blutë e Komisariatit të Ersekës.
Pak pas ngjarjes së shkaktuar nga punonjës të komunës Mollas dhe kryeplaku i fshatit, policia nisi hetimet dhe verifikimet në vend. Përmes një njoftimi zyrtar, ajo bëri me dije edhe arrestimin e tyre. Kryeplaku i fshatit Jorgo Lazi, Bledar Zoja dhe Adrian Emini janë shtetasit përgjegjës për këtë ngjarje. Menjëherë ne kemi bërë shoqërimin dhe arrestimin e tyre, ndërsa kemi nisur hetimet për vrasje në pakujdesi dhe shkatërrim i pronës me eksploziv, tha një zyrtar i Policisë së Korçës. Nga hetimet paraprake të policisë ka rezultuar se sasia e eksplozivit të përdorur ka qenë rreth 500 gramë, gjë që ka shkaktuar një shpërthim masiv.
Liljana Xake kishte humbur djalin dhe burrin
Liljana Xake, viktima e djeshme, ishte nëna e 4 fëmijëve. Pak kohë më parë kishte humbur djalin e madh gjatë një aksidenti në punë në shtetin grek, ndërsa një vit më parë, drama e saj u rëndua pasi bashkëshorti humbi jetën në një aksident automobilistik.
U dëgjua si tërmet
Stefan Prifti ishte një prej personave që ka parë ngjarjen, duke e rrëfyer atë për gazetën: U dëgjua fillimisht një shpërthim dhe Liljana ra përtokë. Ajo ishte duke punuar tokën para shtëpisë, ndërsa në ato momente kishte edhe fëmijë që ishin duke luajtur përreth. Pasi u dëgjua shpërthimi, thashë se ishte tërmet, aq shumë u lëkund gjithçka dhe në të dhjetën e sekondës copa të përmasave të ndryshme betoni, metalike gurësh u përplasën kudo, muret e shtëpive ranë në tokë, thyen xhamat. Unë vrapova për ta ndihmuar, por kur e pashë, ajo kishte shumë dëmtime në kokë dhe nuk mund të bëja asgjë.Rreziku nga shpërthimet
Thoma Skrupra, njëri prej banorëve të fshatit, tha: Ne kemi kohë që tronditemi nga këto shpërthime dhe kjo ngjarje ishte e tmerrshme, por nuk kishte sesi të mos ndodhte. Shpesh nga punonjësit e komunës përdoret eksploziv për të shkatërruar pjesë të ndryshme, si qendra zjarri, kanale etj., por askush nuk ka marrë parasysh faktin se ndodhen shumë pranë zonës së banuar. Ne tanimë jemi të traumatizuar, pasi çdo ditë dëgjojmë shpërthime dhe kjo që ndodhi na bën që të apelojmë, dikush duhet të ndërhyjë, sepse ne jemi duke rrezikuar jetën tonë.
KOLONJE/ DHORJELA DEMKOLLI