E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Hoxha shpallet "Personaliteti i Vitit 2008"

Dritan Hoxha, Presidenti i kompanisë "Top Media", është përzgjedhur nga qytetarët e Tiranës, si një ndër 10 "Personalitetet e Vitit 2008". Nëpërmjet votimit me letra dhe internetit, kryeqytetasit kanë vlerësuar kontributin e vyer të njeriut, i cili revolucionarizoi median shqiptare.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të organizuar dje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka shprehur mirënjohjen ndaj Dritan Hoxhës, njeriut për të cilin ai u shpreh se "para kujtimit të tij, të gjithë qytetarët përulen me respekt".
Presidenti i kompanisë mediatike "Top Media", Dritan Hoxha, është shpallur "Personaliteti i Vitit 2008", për kontributin e veçantë në sektorin mediatik të Shqipërisë. Ky vlerësim iu dha nga Bashkia e Tiranës, kryetari i së cilës, Edi Rama, vlerësoi punën e themeluesit të kompanisë gjigante mediatike.
"Dritan Hoxha është njeriu që revolucionarizoi median shqiptare", deklaroi dje kryebashkiaku Edi Rama. Çmimi u mor nga bashkëshortja e Presidentit, Vjollca Hoxha, e cila ka shprehur falënderimet e saj për këtë vlerësim. "Falënderoj të gjithë ata që vlerësuan punën e Dritanit. Viti 2008 tregoi që ekrani i ‘Top Media‘-s është më i ndjekuri", tha zonja Hoxha.
Në çeljen e kësaj mbrëmjeje gala, në nder dhe respekt të dhjetë "Personaliteteve të Vitit", kreu i bashkisë kryeqytetase deklaroi: "Dua ta hap mbrëmjen e sotme me një njeri të madh, njërin ndër njerëzit më të mëdhenj që unë personalisht kam pasur fatin të njoh drejtpërdrejt dhe një njeri që ka shkruar një pjesë të rëndësishme të historisë së këtij vendi, në periudhën pas shembjes së murit, që ndante Shqipërinë nga bota, që ndante shqiptarët nga liria për të lëvizur, nga liria për të menduar lirisht dhe për t‘u informuar lirisht. Ky është një njeri i madh që nuk jeton më. Me largimin e tij, bëri që Shqipëria të ndihej në atë moment më pak e sigurt në lirinë për t‘u informuar, në mundësinë për të pasur gjithmonë një dritare të hapur. Ky është Dritan Hoxha, para kujtimit të të cilit, të gjithë qytetarët përulen me respekt".
Ndërsa bashkëshortja Vjollca Hoxha, pas marrjes së çmimit, theksoi se "viti 2008, është viti që tregoi se ekrani i ‘Top Channel‘ është ekrani më i ndjekur, më i dashur, më kombëtar i shqiptarëve". Sipas saj, ky është një vlerësim për "Top Media"-n për "Top Channel", për themelet e forta dhe të sigurta të veprës së Tanit, të dashurisë së tij dhe dëshirës për ta bërë Tiranën një kryeqytet modern, të një Shqipërie të re. Ajo ka falënderuar sërish qytetarët e Tiranës, të cilët i besuan votën e tyre njërit prej njerëzve që i mësoi të vlerësojnë të renë dhe investimin për të bukurën e modernen.
Dritan Hoxha, Presidenti i "Top Media"-s, u nderua për aktin e revolucionarizimit të medias shqiptare. "Nxitës dhe krijues standardesh, inovator dhe frymëzues. Tirana ka humbur këtë vit një nga personalitetet më të rëndësishëm të saj, por Dritani ka lënë një pasuri të paçmuar kombëtare". Është ky dedikimi në titullin e "Personalitetit të Vitit".
Bashkia e Tiranës shpalli "10 Personalitetet e Vitit 2008", të përzgjedhur pas votimit nga qytetarët e kryeqytetit. Ky eveniment organizohet për të dytin vit radhazi. Në këtë aktivitet promovohen dhjetë personalitetet me të rëndësishëm të vitit, qofshin këta të njohur dhe jo vetëm, mjafton që me veprën e tyre t‘i kenë ofruar komunitetit kryeqytetas, diçka të veçantë e sigurisht të rëndësishme. Në një mbrëmje gala, me të ftuar të nderuar të kryeqytetit, kryebashkiaku Edi Rama ka shpallur fituesit për këtë vit, të cilët u propozuan drejtpërdrejt nga komuniteti dhe u përzgjodhën nga juria e përbërë nga Fidel Ylli, Pirro Misha, Luiza Xhuvani, Artan Shkreli dhe Kiço Londo.
Pas propozimit të hapur qytetar me anë të letrave dhe postës elektronike, juria prestigjioze ka shqyrtuar me kujdes arsyetimet e publikut për të arritur në rezultatet e bëra publike dje. Si fitues të këtij titulli janë vlerësuar edhe aktorja e shquar, Margarita Xhepa, arkitekti dhe artisti Maks Velo, Anisa Haxhija, dr. prof. Gudar Beqiraj, sportistja Romela Begaj, Qendra Emanuel, Banka Kombëtare Tregtare, shtëpia botuese "Dudaj", si dhe fituesi i edicionit të parë të "Big Brother", Arbër Çepani.

10 Personalitetet për Vitin 2008 janë:

Dritan Hoxha President i "Top Media"-s nderohet për aktin e revolucionarizimit të medias shqiptare. Nxitës dhe krijues standardesh, inovator dhe frymëzues. Tirana ka humbur këtë vit një nga personalitetet më të rëndësishëm të saj, por Dritani ka lënë një pasuri të paçmuar kombëtare.

Margarita Xhepa për kontribut shumëvjeçar në skenën e Teatrit shqiptar. Veçanërisht gjatë vitit 2008, znj. Xhepa mori vlerësime të shkëlqyera për interpretimin e saj në veprën "Trojanët". Prezantimi dinjitoz i artistes të madhe në Festivalin e Teatrit Antik, i cili zhvillohet çdo vit në Athinë, është edhe një nga arsyet pse juria vendosi ta nderonte me këtë çmim.

Romela Begaj, sportiste e klubit "Tirana", nderohet për rezultatet e arritura gjatë vitit 2008. Nënkampione e Evropës në sportin e peshëngritjes, radhitet e gjashta në Olimpiadën e Pekinit. Romela, duke zgjedhur këtë sport të vështirë, është kthyer në shembull për të gjitha femrat, të cilat kërkojnë të thyejnë tabutë.

Qendra Emanuel nderohet për kontribut të çmuar në mbështetjen e njerëzve që vendosim të largohen nga përdorimi i substancave narkotike. Kjo qendër, me punën e saj humanitare e profesionale, ka arritur të shpëtoj dhjetëra jetë nga kthetrat e shkatërrimit dhe vdekjes.

Maks Velo arkitekt dhe artist, për kontributin e çmuar që ka dhënë e po jep në përpilimin e serisë së botimeve kushtuar Konkurseve Ndërkombëtare dhe arkitekturës së të ardhmes në Tiranë. Z.Velo është shquar si debatues dhe informues transparent i publikut, lidhur me çështjet e urbanistikës dhe të arkitekturës. Gjithashtu, ai është iniciator i konceptimit të një varg veprash të artit modern, siç janë skulpturat urbane.

Anisa Haxhija vullnetare, nderohet për punë humanitare në ndihmë të komunitetit Rom. Ajo ka përpiluar dokumentacionin ligjor të njëzetë (20) familjeve rome, duke i krijuar mundësi të barabartë me qytetarët e tjerë për të përfituar bonus qiraje apo strehim. Anisa punon prej vitesh si vullnetare, duke lehtësuar grupet në nevojë.

Banka Kombëtare Tregtare nderohet si institucioni, i cili ka dhuruar numrin më të madh të pemëve, duke iu përgjigjur nismës së Bashkisë së Tiranës "Një qytetar, një Pemë". Një nisem kjo e përqafuar nga shumë institucione bankare dhe kompani të ndryshme.
Dr. prof. Gudar Beqiraj për funksionin humanitar të fondacionit "Rider", ku ai është president. Z. Beqiraj së bashku me grupin e mjekëve që përbëjnë këtë fondacion, i vjen në ndihmë pacientëve të sëmurë rëndë nga kanceri, duke i lehtësuar vuajtjet e tyre. Përveç akteve konkrete, mbështetja psikologjike që fondacioni "Rider" u jep të sëmurëve rëndë, është vendimtar.

Shtëpia botuese "Dudaj" për kontributin e dhënë gjatë vitit 2008 në botimin e disa veprave me vlerë të madhe në botën e letërsisë. Librat e shkrimtarit italian Saviano dhe Presidentit të ardhshëm të SHBA-së, Barak Obama, të sjella nga kjo shtëpi botuese në gjuhën shqipe, pasurojnë ndjeshëm bibliotekat e çdo qytetari.

Arbër Çepani për akte shembuj qytetarie. Ai, me burime financiare personale, ka mbjellë 26 fidanë në zonën e Gërdecit. Gjithashtu Arbri ka ngritur një kënd lojërash për fëmijë. Veprimtaria e tij vullnetare përmban festa bamirësie për fëmijët e shtëpisë "Zyber Hallulli", si dhe shumë aksione të tjera humanitare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›