E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerkat, jo gjithmonë të këqija

Revolta nisi ngadalë, fillimisht nëpër sallat e kafeneve, pastaj me një faqe interneti, një blog dhe në fund fare një shoqatë. Kështu kanë arritur ta nxjerrin mërzinë njerkat në shumë vende të Evropës, të lodhura mbi të gjitha sepse shpjegimi për to vazhdon ende të mbetet në fjalor dhe më gjerë si sinonim i "nënës së keqe, që i trajton fëmijët e bashkëshortit pa dhembshuri". E, në fakt, për thuajse të gjithë fëmijët që jetojnë në shtëpi me gruan e dytë të babait, është përhapur gjerësisht ideja se në mungesë të të atit trajtohen shumë keq, qortohen pa të drejtë, apo në rastet më të këqija lihen edhe pa ngrënë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur që fëmijë shohim "Borëbardhën", "Hirushen" apo "Të mjerët". Iniciativa ka lindur fillimisht në Francë, bazuar te tradita e atij vendi (këtu njerkat i quajnë belle-mere), po ashtu, duke pasur si dëshmitare familjen presidenciale, ku Nikolas Sarkozi dhe Karla Bruni janë mësuar të jetojnë të lumtur me fëmijët e njërit apo tjetrit, shumë gra të martuara dy ose më shumë herë tani kërkojnë të mbështesin një propozim ligji që mund t‘u njohë "prindërve të tretë" edhe një rol juridik. "Në fillim nisëm të mblidheshim bashkë çdo të hënë, por shpejt e kuptuam që kishim shumë eksperienca të përbashkëta dhe se ishte urgjente të dilje nga klandestiniteti, të flisje për xhelozitë apo frikat, e mbi të gjitha të nisnim një betejë, sidomos kulturore, për të ndryshuar imazhin e njerkave, që lidhet me ato të përrallave e me të cilat vërtet nuk kemi asgjë të përbashkët", tregon Stefani Duri, që ka dy vajza nga martesat e mëparshme të bashkëshortit. Për këtë arsye lindi në blog referendumi i parë për të gjetur një fjalë alternative për njerkat. Mes propozimeve të bëra janë ato që mund t‘i përkufizojnë njerkat si nëna dhe shoqe njëkohësisht, nëna dhe motra të mëdha. Për më tepër, gjithçka mori një tjetër ngjyrë kur gazeta spanjolle "El Mundo" publikoi historinë e vërtetë të përrallës së Borëbardhës: në versionin origjinal, ajo që e helmoi bukuroshen dhe princeshën e ardhshme ishte nëna natyrale dhe jo njerka, por vëllezërit Grim e ndryshuan rrjedhën, kur e kuptuan se lexuesit nuk ishin gati për të përjetuar një traumë të tillë.

"Kur fëmijët që gjenden në familjen e re janë ende të vegjël, zgjidhja më e mirë është që të përpiqesh të krijosh një lidhje afektive. Kur arrin ta bësh këtë dhe ekziston vërtet një dashuri mes tyre, është më e lehtë të kalosh xhelozitë që shpesh kalojnë gratë, vajzat dhe fëmijët, të cilët kërkojnë të kenë vëmendjen e burrit të familjes. Nuk besoj shumë në betejat ligjore, por mendoj se për shumë prej nesh është e domosdoshme të dalësh nga ky izolim", vazhdon më tej ajo. Në Spanjë, për shembull, janë të paktën 800000 gra që janë martuar dy herë, prej të cilave 140 mijë jetojnë me thjeshtërit, ndërsa në Francë numërohen rreth 2 milionë fëmijë që jetojnë në një familje "atipike". "Kemi nisur gjithçka për shkak të rolit negativ që u është atribuuar njerkave ndër vite. Gjithçka lindi nga eksperienca ime personale dhe e mikeshave të tjera. Unë isha martuar me një burrë të divorcuar që kishte dy fëmijë dhe më dukej një fat i jashtëzakonshëm që do ta pasuronte me më shumë ngrohtësi dhe dashuri jetën time. Sot në Francë më shumë se 2 milionë fëmijë dhe të rinj jetojnë pjesërisht apo plotësisht në familjet e riformuara, por fatkeqësisht ‘njerkat‘ nuk kanë as të drejtën të vendosin se çfarë të bëjnë në rastet e ndonjë vendimi që ka lidhje me shkollën", tregon Marie-Luce, gruaja që i dha jetë lëvizjes franceze në 2001-shin. Por në Francë synohet më shumë mbi masat e reja ligjore (ku ministrja e Drejtësisë, Rakida Dati, ka ripropozuar personalisht ligjin mbi të drejtat e prindërve "të tretë"), se sa te forca e ndjenjave: "Nuk është e detyruar të duash fëmijët e të tjerëve dhe për këtë duhet nisur ngadalë, sepse me kalimin e kohës vijnë edhe ndjenjat, të paktën në disa raste", paralajmëron Kathrin Audibert, autorja e një prej librave më të shitur në Francë, "Kompleksi i njerkës". Për më tepër, duhet thënë se ish gratë- që shumë shpejt mund të krijojnë ndonjë shoqatë të tyre -shpesh nuk i shohin aspak me sy të mirë lidhjet e fëmijëve të tyre me gratë që janë martuar me baballarët e fëmijëve të tyre. "Është e vërtetë, raportet mes nënave të ndryshme mund të mos jenë të mira, po shpesh janë fëmijët që zbusin marrëdhëniet pak e nga pak, duke i bërë nënat biologjike të kuptojnë se shoqja e re e të atit është besnike dhe korrekte", thotë Luce. Për të gjithë ata që nuk besojnë, mjafton të shohësh filmin "Juno" me aktoren Ellen Page. Njerka në këtë film s‘është nga ato njerkat tipike shtriga. Në fakt, njerka e Juno-s është më shumë një nga ato gratë e ashpra dhe të sjellshme, sjellje të cilën i duhet ta përdorë me vajzën adoleshente të burrit të saj që është shtatzënë në moshën 17-vjeçare. Po njerkët? Gjykimet e ekspertëve që shkruhen në blog janë thuajse unanime: në pjesën më të madhe të rasteve nuk vuajnë, ose të paktën jo kaq shumë. Në përralla ata nuk janë të këqij, nuk helmojnë askënd dhe nuk bëjnë komplote me pincat e rinj biondë. Roli i tyre është shumë herë më pak impenjativ se sa ai i njerkave. Shpesh atyre nuk u duhet të luftojnë, madje as të përpiqen për të fituar dashurinë e fëmijëve të grave me të cilat janë martuar, çka do të thotë se për momentin nuk kanë nevojë për një blog, faqe interneti apo shoqatë ku të nxjerrin dufin dhe mërzitjen.

Njerkat më të këqija

E para në renditje është padyshim njerka e filmit për fëmijë, "Borëbardha dhe shtatë xhuxhët", ku gruaja e re e babait përpiqet të helmojë vajzën e burrit të saj. Pas saj vjen njerka e Hirushes, që përpiqet ta diferencojë dhe ta trajtojë thjeshtrën e saj shumë ndryshe nga vajzat e saj të vërteta. E njëjta gjë ndodh edhe në shumë libra dhe filma. Për shembull, "Juno" ose "Mike armike" me Xhulia Roberts dhe Suzan Sarandom, tregon në fund se nuk është edhe aq e vështirë që me njerkat të kesh një marrëdhënie korrekte, edhe pse është e vërtetë që nënën nuk ta zëvendëson askush.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›