E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Laze: S‘jam trafikant. Gjykata e lë përsëri në qeli

Financuesi i klubit të futbollit
"Elbasani", Arben
Laze, ka përjashtuar veten
nga trafiku i drogës
Maqedoni-Shqipëri-Itali, i pretenduar
nga Prokuroria e Krimeve
të Rënda. Dje, gjatë vlerësimit
të masës së sigurisë në gjykatë, ai
ka mohuar në mënyrë kategorike
të gjitha faktet dhe provat e paraqitura
nga organi i akuzës, duke
pohuar se nuk ka kurrfarë dijenie
për një trafik të mundshëm të
kryer nga ai vetë. Në të njëjtën
linjë, është paraqitur edhe i vëllai,
Fatjon Laze, duke pohuar se
"Beni nuk ka lidhje me trafikun
e drogës". Sipas Fatjonit, droga
vinte nga Maqedonia dhe ishte
siguruar te një shtetas kosovar,
por presidenti i klubit "Elbasani"
nuk kishte asnjë lidhje. "Nuk i
kam treguar asnjë gjë Arbenit
për trafikun që kryeja nga Maqedonia.
Ai nuk kishte asnjë lidhje.
Unë merresha me trafik, dhe
familja ime nuk ka pasur dijeni",
ka pohuar Fatjoni. Ai kërkoi lirimin
e menjëhershëm të të vëllait,
person publik, për arsye se është
aksioneri kryesor me rreth 45% të
sport-klub "Elbasanit".
Masa e sigurisë
Përpara gjykatësit të gatshëm,
Luan Hazneziri, dje janë zhvilluar
masat e sigurisë për katër të arrestuarit
për trafik droge, midis
tyre edhe presidentit të klubit të
futbollit të Elbasanit, Arben Laze.
I cilësuar nga prokuroria si kreu
i organizatës kriminale, ai mohoi
të dyja akuzuat e ngritura ndaj tij
nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Nga ana tjetër, i vëllai Fatjoni,
ka marrë përsipër të gjitha dyshimet
e hedhura nga policia dhe
prokuroria për trafik të lëndëve
narkotike. Para Gjykatës së Krimeve
të Rënda, Fatjon Laze tha
se kishte blerë një makinë, për
të cilën kishte marrë një shumë
prej gjashtë mijë eurosh dhe nuk
dinte sesi t‘i shlyente. Fatjoni u
shpreh se kishte marrë në telefon
një mikun e tij, Arben Priftin, dhe
të dy kishin siguruar drogën në
Maqedoni nga një shtetas kosovar.
Droga, sipas të arrestuarve,
është gjetur në vendin fqinj dhe
më pas është shitur tek i pandehuri,
Shkëlqim Hyzmo.
Garancia pasurore
Dy të pandehurit e tjerë, Arben
Prifti dhe Shkëlqim Hyzmo, i kanë
kërkuar gjykatës caktimin e masës
së sigurisë "arrest shtëpie" në
këmbim të një garancie pasurore.
Duke këmbëngulur se vepra penale
që kanë mbi shpinë nuk është e
rëndë dhe për faktin se akuzohen
vetëm për një kilogramë heroinë,
Prifti dhe Hyzmo i kanë kërkuar
gjykatës një masë lehtësuese.
Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi
ka dëgjuar të dyja palët, vendosi
masën e sigurisë "arrest me burg"
për të katër të pandehurit. Ndërsa
e cilësoi të paligjshëm arrestimin
në flagrancë për dy vëllezërit Laze
dhe të pandehurin Prifti, pasi
gjatë arrestimit të tyre, ata nuk
kanë pasur lëndë narkotike me
vete. Gjykata gjithsesi nuk e hodhi
poshtë ndalimin e të dyshuarve,
duke e cilësuar se rrëzonte vetëm
kushtet e flagrancës, të deklaruara
më parë nga policia. Ndërsa arma
që i është gjetur të pandehurit
Fatjon Laze në automjetin e tij,
sipas hetimit, mbahej në mënyrë
të paligjshme.
Gjykata
Gjykata e Krimeve të Rënda ka
cilësuar të paligjshëm arrestimin
në flagrancë për dy vëllezërit Laze
dhe të pandehurin Prifti, pasi
gjatë arrestimit të tyre ata nuk
kanë pasur lëndë narkotike me
vete. Gjithsesi, ajo nuk e hodhi
poshtë ndalimin e të dyshuarve,
duke cilësuar se rrëzonte vetëm
kushtet e flagrancës, të deklaruara
më parë nga policia

Prokuroria: Presidenti i ekipit të Elbasanit, "financieri" i grupit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka
të dhëna të marra nga përgjimet
dhe vëzhgimet se Arben Laze
kryente të gjitha veprimet financiare
të grupit të tij kriminal që merrej me
trafik droge, ndërsa tre të arrestuarit e
tjerë kanë qenë korrier droge. Hetimet
kanë përcaktuar se 40-vjeçari Laze
dyshohet se prej vitesh kontrollonte
trafikun e drogës nga Maqedonia në
drejtim të Shqipërisë dhe më pas furnizonte
linjat e rrjeteve të ndryshme
që trafikonin drogën drejt Greqisë e
Italisë. Laze është përgjuar, vëzhguar
e fotografuar në takimet e bisedat që
ka kryer me bashkëpunëtorët e tij, e
veçanërisht me shtetasin Arben Prifti,
personi ky që ka porositur heroinën
nga presidenti i klubit të futbollit të
qytetit të Elbasanit.
Sipas prokurorisë, Laze, pas sigurimit
të drogës, e ka ngarkuar me detyrë
vëllain e tij, Fatjon Lazen, të kryente
rolin e transportuesit të drogës për t‘ia
dorëzuar mallin porositësit fierak Prifti.
Pas lënies së detyrave, ai është nisur
të martën paradite drejt Maqedonisë,
ku mendohet se ka ikur për të shlyer
detyrimet e drogës, por edhe për të
nxjerrë alibinë sipas të cilës nëse i vëllai
arrestohet, se ai nuk kishte dijeni pasi
ndodhej në Maqedoni.
Pasditen e së mërkurës, rreth orës
17:30, kur Laze ka kaluar traun e doganës
së shtetit fqinj, Maqedonisë, për
t‘u paraqitur në doganën shqiptare të
pikës kufitare të Qafë Thanës, atij i janë
vënë prangat në duar, pa i komunikuar
asgjë. Menjëherë pas prangosjes së
presidentit të sport-klubit "Elbasani",
policia, nën urdhrat e Prokurorisë
së Krimeve të Rënda, e ka sjellë 40-
vjeçarin në Drejtorinë e Policisë. Aty
Laze është vendosur në një qeli me të
arrestuarit e tjerë, vëllanë e tij, Fatjon
Laze, Arben Priftin dhe shtetasin Shkëlqim
Hyzmo.
Mësohet se të katër të arrestuarit,
dy vëllezërit Laze dhe Prifti e Hyzmo
kanë konsumuar elementë të veprës
penale të "trafikut të lëndëve narkotike"
në kuadër të "grupit të strukturuar
kriminal", ndërsa ndaj vëllait të presidentit
të ekipit të futbollit të Elbasanit,
prokuroria ka ngritur edhe akuzën e
"armëmbajtjes pa leje", pasi në momentin
e arrestimit i është gjetur dhe
sekuestruar një pistoletë e tipit TT me
shtatë fishekë brenda.
Gjithashtu, burimet shtuan se
është urdhëruar verifikimi i pronave
dhe pasurive të katër të pandehurve,
në veçanti të presidentit të klubit të
futbollit të Elbasanit, pasi dyshohet
se ka një pasuri jo të vogël, për shkak
se prej pesë vitesh financonte ekipin e
qytetit të tij, Elbasanin. "I janë dërguar
të gjitha filialeve të bankave në Shqipëri
dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të
Paluajtshme që të verifikohen llogaritë
bankare dhe pasuritë që rezultojnë në
emrin e tij dhe pjesëtarëve të ngushtë
të familjes", deklarojnë burimet e Prokurorisë
së Krimeve të Rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›