Festohen Krishtlindjet e para në Kosovën e pavarur
Të gjithë besimtarët katolikë në Kosovë kanë kremtuar Krishtlindjet në Kosovë. Mesha kryesore është mbajtur në mesnatë në katedralen "Zoja Ndihmëtare" në Prizren. Me këtë rast, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë besimtarët katolikë me dëshirën për paqe dashuri, mirëkuptim e tolerancë mes njerëzve. Ceremoni e ngjashme është zhvilluar edhe në kishën Shendou në Prishtinë, ku të gjithë besimtarët katolikë shënuan festën e lindjes së Krishtit. Mesazhe urimi për nder të Krishtlindjeve kanë dërguar udhëheqës të institucioneve, liderë të partive opozitare dhe personalitete të tjera vendase e ndërkombëtare. Nëpërmjet një komunikate për media, Presidenti Fatmir Sejdiu u ka uruar qytetarëve të vendit, Papa Benediktit XVI dhe Ipeshkëvit të Ipeshkëvisë së Republikës së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit, festën e Krishtlindjeve. Mesazhe urimi ka dërguar edhe Kryeministri Thaçi, duke kujtuar se këto janë Krishtlindjet e para që festohen në Kosovën e pavarur. Ndërkaq, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, duke vlerësuar arritjet e popullit shqiptar ka thënë se ky popull ka arsye t‘i kremtojë këtë vit Krishtlindjet, duke uruar që në Kosovë të mbretërojë paqja, lumturia dhe toleranca.