E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Huqi: Një producent shqiptar në Kanë

29/04/2011  Foto: dritan huqi, festivali, engjejt jane larg

Pjesëmarrja për të parën herë në Festivalin e Kanës dhe mundësitë që i ofrohen kinemasë shqiptare. Huqi flet për filmin, industrinë e kinematografisë dhe menaxhimin e saj

Është i pari producent që përfaqëson Shqipërinë në Festivalin e Kanës. Së bashku me 24 producentë të tjerë nga Evropa, Dritan Huqi do të jetë pjesë e programit “Producers on the move”, që organizata “European Film Promotion” u dedikon producentëve të rinj e të talentuar. Ishte po kjo organizatë që në Festivalin e Berlinit u dedikoi një ceremoni të veçantë dhjetë talenteve të rinj në aktrim, mes të cilëve edhe aktorit shqiptar, Nik Xhelilaj.

“Kjo ka qenë një ftesë e hapur për të gjithë producentët. Ka disa kritere për të plotësuar, kritere të bëra publike nga festivali dhe në bazë të tyre bëhet përzgjedhja”, vëren Huqi për festivalin e Kanës që do të zhvillohet nga 14-17 maj dhe ku ai do të jetë i pranishëm.

Në kriteret e përcaktuara qartë, përfshihej edhe fakti që të paktën personi të ketë qenë producent në një film që ka marrë pjesë në festivalet e kategorisë së parë. Dritan Huqi, si producent e ka pasur këtë përvojë me filmin “Shqiptari”, të regjisorit gjerman Johannes Naber. Për tri ditë me radhë, producentët e zgjedhur për këtë program do të kenë mundësi të takohen me industri filmike dhe personazhe të rëndësishëm në fushën e kinematografisë botërore. Kjo u krijon hapësirë për të diskutuar idetë, plane financimi ndërkombëtar e për të eksploruar mundësi për bashkëprodhimin e filmave. Për Huqin kjo është një pjesëmarrje individuale, e cila do t’i japë mundësi për projektet e tij në të ardhmen. Producenti do të prezantojë në Kanë projektin e ri filmik për të cilin po punon me regjisorin Gjergj Xhuvani “Engjëjt janë larg”. Dritan Huqi ka qenë producent në disa realizime filmike të viteve të fundit si: “Ne dhe Lenini”, “Muajt e Mjaltit”, “Gjallë”, “Shqiptari”

Për herë të parë, Shqipëria do të përfaqësohet me një producent shqiptar në Festivalin e Kanës përmes jush si një producent i ri në programin që organizata “European Film Promotion” u dedikon talenteve të reja. Çfarë do të thotë kjo pjesëmarrje për Shqipërinë dhe për ju personalisht?

Është hera e parë që Shqipëria është pjesë e rrjetit “European Film Promotion”, që promovon kinemanë evropiane dhe në këtë rast producentë që gjatë vitit të fundit kanë arritur një rezultat pozitiv. Ashtu sikur dhe me projektin tjetër të të njëjtit rrjet, “Shooting Stars” u promovua në Berlin një aktor shqiptar.

Mbi të gjitha vlera e këtij aktiviteti është promovimi i elementëve të kinemasë në veçanti, por është një mundësi për t’u shkelur nga të gjithë. Vitin tjetër do të jetë një aktor dhe një producent tjetër shqiptar, gjë që sjell një komunikim dhe promovim të punës tonë.

Kinemaja shqiptare është pjesë e realitetit kulturor evropian dhe ta përfaqësosh është sigurisht kënaqësi dhe përgjegjësi.

Kjo është padyshim një reklamë e mirë për industrinë e filmit shqiptar. ǒmund të thoni për mënyrën se si funksionon kjo industri sot në vendin tonë?

Me gjithë vështirësitë, mundësitë e pakta financiare, mungesës së një tregu real për shpërndarjen e filmit, do të thosha se më shumë se asgjë tjetër në kohën që po jetojmë, kinemaja shqiptare po përçon vlera të padiskutueshme dhe konkurruese në të gjithë botën.

Sigurisht ka vështirësi, ka pak vëmendje të biznesit, ka pak mundësi për ta shpërndarë dhe promovuar filmin brenda hapësirës kombëtare, por gjithsesi infrastruktura ligjore, vullneti i përgjithshëm i shoqërisë dhe i shtetit në veçanti është shumë dashamirës.

Sistemi ynë i financimit të prodhimit të filmit, nëpërmjet QKK, është sistemi që sot ndesh në të gjithë Evropën, që garanton mbi të gjitha konkurrencë vlerash dhe mundësi për të gjithë që duan të jenë pjesë e kësaj.

Fillon me projektet e të rinjtë që u jepet mundësia të punojnë dhe të krijojnë brenda sistemit të konkurrencës së vlerave artistike dhe profesionale, për të vazhduar me krijuesit debutues dhe ata të karrierës.

Si e shihni pozicionin e kinemasë shqiptare në tregun botëror të filmit?

Ndoshta është i vetmi produkt kulturor shqiptar, që na përfaqëson në kompeticionet më të rëndësishme botërore.

Jo më larg se dy muaj, në Berlinale 2011 festivali i dytë në botë nga rëndësia, tre filma shqiptarë, një aktor shqiptar, një regjisor i ri, një pavijon me prodhimet e fundit të filmit shqiptar, përfaqësuan si kurrë më parë kinemanë shqiptare. Madje u kthyen me trofe. Brenda dhjetëvjeçarit të fundit, shumë filma shqiptarë kanë prekur kompeticionet zyrtare të Kanës, Venecias, Tokios, Karlovi Vary, Moskës, Torontos etj.

Mjafton kaq për t’iu thënë që kinemaja shqiptare është sot në tregun botëror të filmit, denjësisht dhe me shumë pretendime.

Ne jemi pjesë e strukturës evropiane të filmit, në vendimmarrje dhe në menaxhim të fondeve, ku jemi po aq të barabartë të konkurrojmë.

Një tendencë e dukshme e kohëve të fundit në kinematografinë shqiptare është bashkëpunimi me të huajt, gjë që padyshim ka anën e vet pozitive. Por a mendoni se ka ardhur koha kur kineastët shqiptarë duhet të shohin më thellë dhe të vazhdojnë të ecin më tutje për të krijuar filma “tërësisht shqiptarë”?

Së pari, nuk mundet më të ketë një film “tërësisht shqiptar”, sepse burimet financiare shqiptare janë vetëm 30-40% e kostos së prodhimit të filmit.

Së dyti, pa një koproduksion nuk mund të konkurrosh askund për fonde dhe financime. Sistemi evropian i filmit është i ndërtuar mbi bazën e koproduksionit, si rruga më e mirë e ndërthurjes së vlerave artistike dhe profesionale.

Së treti, as një film “tërësisht shqiptar” nuk mund të jetë pjesë e rrjetit botëror të distribucionit, që do të thotë moskomunikim vlerash dhe mospërballje.

Së katërti, pjesa më e madhe e shërbimeve teknologjike të filmit nuk mund të bëhen në Shqipëri dhe nëpërmjet koproduksionit këto shërbime garantohen me cilësi dhe kosto më të ulët.

Koproduksioni sot në botë nuk është zgjedhje, por është domosdoshmëri, nëpërmjet të cilit mund të prodhosh dhe konkurrosh mbi bazën e principeve të pastra artistike. Mbi të gjitha koproduksioni është në fakt mundësia më e mirë që Shqipëria me një buxhet 300.000 mijë euro për një film, bëhet pjesë e një produkti që kushton 5 herë më shumë. Pra, një buxhet prej 1 milion eurosh të QKK, kthehet nëpërmjet koproduksionit pesëfish më i madh në vlerë. Dhe këto vepra filmike janë pjesë e pasurisë kulturore shqiptare.

Sipas jush, nga se vuajnë filmat shqiptarë sot, duke mos anashkaluar si anën artistike të krijimeve, ashtu edhe atë financiare, të menaxhimit dhe distribucionit?

Sigurisht që ka filma artistikisht të dobët, por nuk jam unë ai që mund t’i gjykoj. E pra, është subjektive ajo që mendoj unë dhe së dyti, ka shumë faktorë që mund të çojnë në një vepër të dobët, ashtu siç ka dhe të rastësishëm në këtë punë. Unë dua të flas për atë që është më e rëndësishme, për sistemin që garanton ecurinë e kinemasë dhe mundësinë për të demonstruar vlera krahasimisht me të tjerët. Kjo është ajo që na bën ne të jemi aty ku janë të gjithë të tjerët, që me gjithë hallet dhe problemet tona po shfaqim me dinjitet punën tonë.

Sa hapësirë mendoni se krijon atmosfera shqiptare për kinemanë e re?

Kinemaja shqiptare sot është pjesë e asaj tradite të shkëlqyer vlerash të një brezi kineastësh që për 50 vjetët e fundit krijuan vepra të papërsëritshme artistike. Mbi këtë traditë dhe mbi këto vlera, kinemaja jonë vazhdon të komunikojë me publikun tonë dhe jo vetëm vlerat kulturore shqiptare. Sigurisht do të doja të kishte më shumë kinema, më shumë mundësi për prodhimin e filmave, ashtu siç dhe ne të prodhonim dhe më mirë dhe më cilësisht. Por besoj që shumë shpejt gjërat do të marrin vendin e duhur dhe ajo vëmendje e munguar do të rikthehet në kinema. Dhe më shumë se kushdo këtë gjë do ta bëjmë ne, me rezultatet e punëve tona.

Në këtë linjë, ç’mendim keni për filmin me buxhet të vogël, faktikisht jo aq shumë të rrahur në Shqipëri?

Pikërisht kjo që bëjmë ne është filmi me buxhet të vogël. Të gjithë prodhimet shqiptare janë nga 1.5 – 2.5 milionë euro. Këtë bota e quan “Low Bugdet”. Ka shumë faktorë që e bëjnë këtë dhe kjo ndodh me të gjithë vendet e vogla, por asnjë prej tyre faktorëve nuk e ka frenuar parakalimin e vlerave artistike dhe kulturore shqiptare në tapetet e nderit kudo në botë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›