E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ vendos prodhimin e vulave rezervë

29/04/2011  Opozita u shpreh se vendimi është akt normativ kërkon 5 vota

Shmangia e bojkotit, vulat rezervë, nuk gjejnë konsensusin e Partisë Socialiste

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mungesë të konsensusit të opozitës, vendosi që të prodhojë 4880 vula rezervë, po aq sa janë dhe qendra votimi në gjithë vendin. Sërish opozita e ka kundërshtuar miratimin e këtij vendimi në mbledhjen e djeshme duke e cilësuar atë si një akt normativë, i cili kërkon 5 vota që të miratohet. Por nga ana tjetër, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, u shpjegoi kolegëve të opozitës të pranishëm në sallë se “Ky vendim nuk përbën një akt normativë, pasi pavarësisht se prodhimi i tyre është llogaritur në shkallë vendi, këto vula do të jenë vetëm në funksion të KQZ-së, dhe jo se do të shpërndahen detyrimisht”. Gjithashtu, Ristani tha se “ashtu siç kemi në KQZ kuti votimi rezervë, ashtu siç kemi në KQZ fletë votimi rezervë, ashtu duhet të kemi dhe vula të qendrave të votimit rezervë. Dhe ky nuk është një vendim politik, por është një vendim që i paraprin çdo tentative bojkoti të anëtarëve të komisioneve në qendrat e votimit”. Nga ana tjetër, opozita sërish u mbështet në argumentimin e saj se ky vendim është në shkelje të Kodit Zgjedhor, duke lënë të kuptohej se ajo do të bëjë një ankimim edhe për këtë çështje në Kolegjin Zgjedhor. “Vula do të përdoret rast pas rasti! Ky është një rregull që do vendosim ndaj atij që do i ka vula. Ju thatë që ato do miratohen për gjithë republikën. Kodi përcakton që janë akte për gjithë republikën, janë akte me normativë, të cilat kërkojnë shumicë prej 5 votash”, – tha pas marrjes së vendimit nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Gjithashtu edhe përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj ritheksoi se “Prodhimi i vulave në bazë të projektit që ju po ndërmerrni nuk ka bazë ligjore. Pra, ne kemi një proces të delegjetimuar dhe do të kemi një cenim të zgjedhjeve të 8 majit, duke mos bërë të mundur një garë të ndershme”. Por pavarësisht kontestimit të opozitës, KQZ-ja vendosi për prodhimin e vulave rezervë një hap ky pasi “KQZ-ja është gjendur para faktit të dëmtimit, humbjes së vulave të KQV-ve apo kryetarit të KQV-së, kryesisht si pasojë e largimit të komisionerëve nga detyra. KQZ-ja ka qenë e detyruar që brenda një kohe shumë të shkurtër të bëjë këto vula, në mënyrë që të sigurojë vazhdimin e procesit në qendrat e votimit”, theksoi Ristani.

Arvizu takon Ristanin

Roli i KQZ-së deciziv për këto zgjedhje

Pas përfundimit të protestës së djeshme të opozitës para dyerve të KQZ-së, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, kanë zhvilluar një bisedë pune kokë më kokë. Arvizu dhe Ristani janë takuar fillimisht në oborrin e KQZ-së, ku janë drejtuar më pas në ambientet e Hotel Rogner. Ambasadori amerikan në qëndrimet e tij ka mbështetur punën dhe angazhimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në funksion të përgatitjeve të zgjedhjeve të 8 majit. Në qëndrimet publike, Arvizu u ka bërë thirrje partive politike të bashkëpunojnë sa më ngushtë me institucionin përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e garës elektorale. Arvizu ka vlerësuar se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe roli i KQZ-së është deciziv. Nga ana e tij, krye komisioneri Ristani, ditët e fundit ka ngritur shqetësimin mbi mundësinë e bllokimit të zgjedhjeve, përmes braktisjes së procesit nga ana e komisionarëve. Për të shmangur një situatë të tillë, të padëshirueshme, Ristani ka kërkuar bashkëpunimin dhe angazhimin e partive politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›