E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti, dy persona rrahin anëtarin e shtabit të PS

29/04/2011  Shoqërohen në komisariatin e Durrësit përgjegjësit e ngjarjes

Dy persona janë shoqëruar dje në mbrëmje në mjediset e policisë së qarkut të Durrësit, pasi ata kanë ushtruar dhunë ndaj një shtetasi. Xhevit Mehmeti 58 vjeç, banor i qytetit të Durrësit, është qëlluar me shqelma e grushte në fytyrë e në trup nga të rinjtë Sh. Salia dhe F. Avdia. Ngjarja ka ndodhur në orën 18.20 në lagjen 14 të Durrësit në zonën periferike të kësaj lagjeje të njohur ndryshe NISH Tulla. Personat kanë hyrë në konflikt nën ndikimin e alkoolit, ndërsa policia ka ndaluar shtetasit Salia e Avdia përkatësisht të moshës 25 vjeç dhe 35 vjeç. Burimet e policisë së qytetit bregdetar kanë bërë të ditur se 58- vjeçari Xhevit Mehmeti pretendon se ka qenë në shtabin e Partisë Socialiste në zonën Nish Tulla të Shkozetit në kohën që është konfliktuar me dy personat e së njëjtës lagje. Palët janë persona të njohur mes tyre ndaj edhe identifikimi e shoqërimi i dhunuesve nuk ka qenë i vështirë për policinë. I dëmtuari ka marrë plagë në shpatull dhe po i nënshtrohen ekzaminimit të plotë nga mjekët në spitalin e Durrësit për të konkluduar lidhur me kategorinë e dëmtimit në trup. 58-vjeçari ka pohuar për policinë se sherri ka ndodhur për shkak se ai është aktivist i PS-së, ndërsa dy të shoqëruarit në polici kanë bërë të ditur se motivet kanë lidhje me një përplasje banale e jo politike. Zyrtarisht policia ka thënë se shtetasit Sh. Salia e F. Avdia kanë qenë në gjendje të dehur dhe se ata janë trajtuar fillimisht si të tillë e më pas janë shoqëruar në polici. Burime policore dhe ato të repartit të pranimit të urgjencës kanë thënë se i dëmtuari nuk ka shenja të dukshme dhune, por plagët nuk përbëjnë asnjë problem për jetën e tij. Në kohën që ka ndodhur ngjarja Mehmeti ka qenë jashtë shtabit dhe për motive banale është konfliktuar me dy të rinjtë. Fillimisht dy personat e mësipërm, të cilët mësohet se kanë qenë nën efektin e pijeve alkoolike, kanë shkëmbyer fjalë me 58-vjeçarin Mehmeti e më pas janë qëlluar me grushte. Persona aty pranë kanë ndërhyrë për të shuar konfliktin, ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta më pas. Ky është incidenti tjetër që ndodh në qarkun e Durrësit në klimën e fushatës zgjedhore. Dhjetë ditë më parë në Sukth deputeti Namik Dokle është detyruar të rikthehet në Sukth 10 minuta pasi ishte larguar pasi dy simpatizantë të PS janë ndëshkuar fizikisht në kohën që vendosnin pankarta e flamuj në shtyllat anësore të rrugës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›