E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Procesi i Metës, i mbyllur, gjyq kundër Priftit

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha dje se dëshmia e Bekim Halilajt rëndon pozitën e Priftit dhe nxjerr në pah falsitetin e akuzave kundër Metës

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, duke iu referuar dëshmisë së dhënë në gjykatë të biznesmenit Bekim Halilaj, i është rikthyer faktit se ish-ministri Dritan Prifti i ka dhënë tenderin e naftës në vitin 2010 një kompanie në konflikt interesi me të. “Do të thoni ju se çfarë lidhje ka TEA Construction me çështjen apo me njërin dëshmitar të prokurorisë apo dëshmitarin tjetër prokurorisë. Kjo do të thotë që pronari i kompanisë TEA Construction, me një marrëveshje që nuk e ka ditur komisioni që zhvillonte ankandin dhe që mban datën 10 shkurt, për të përftuar sasinë e naftës që ju referova, është gjithashtu ortak në fabrikën e tullave me bashkëshorten e dëshmitarit tjetër të prokurorisë, z.Prifti”, - deklaroi dje Rama, gjatë një deklarate për mediat. Sipas tij, mjafton ky fakt për të kuptuar lidhjet apo marrëdhëniet në konflikt interesi që, sipas tij, e shndërrojnë tashmë procesin gjyqësor ndaj Metës në proces të mbyllur për të çelur një proces gjyqësor ndaj dëshmitarit kryesor të prokurorisë. Më tej, Rama ka shtuar se dëshmia e dhënë nga biznesmeni Bekim Halilaj në Gjykatën e Lartë ka nxjerrë në pah dhe detaje që rëndojnë pozitën e dëshmitarit kryesor në proces, Dritan Priftit. “Vetë dëshmitari i prokurorisë, z. Bekim Halilaj ka provuar dje me një mori shkresash dhe dokumentesh zyrtare që akuzat e z. Prifti janë jo vetëm një mashtrim, por edhe një manipulim, konkretizuar kjo edhe me atë që dokumentohet edhe në video-përgjimin e tij. Mjafton t’ju sjell vetëm një shembull që, gjithnjë sipas dëshmitarit të prokurorisë, biznesmenit Bekim Halilaj, një sasi nafte prej 30 000 tonë ose konvertuar në vlerë rreth 10 milionë dollarë, i është dhënë në mënyrë të fshehtë që më 10 shkurt, 3 javë më përpara se sa është realizuar video-përgjimi dhe gjithashtu 3 javë më përpara sesa ishte caktuar data e ankandit, kompanisë TEA construction.”, - tha dje Luan Rama. Më tej Luan Rama ka nënvizuar faktin se kreu i LSI-së, Ilir Meta, i pandehur në procesin gjyqësor është jo në një betejë politike me drejtësinë, por në një betejë për drejtësinë. “Si konkluzion, dua të nënvizoj faktin që Ilir Meta nuk është në betejë ligjore dhe politike me drejtësinë, por, në respekt të autoritetit të organeve të drejtësisë, Ilir Meta është në betejë për drejtësinë. Natyrisht mbi bazën e së vërtetës, mbi bazën e dokumenteve që dëshmohen dhe vihen çdo ditë edhe përpara trupit gjykues në seancën e shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Organet e drejtësisë kanë për mision të bëjnë drejtësi, të japin drejtësi dhe ne jemi këtu që të bëhet drejtësi dhe të fitojë drejtësia përballë falsitetit”, -përfundoi Luan Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›