Dritan Prifti: Jap dorëheqjen nga çdo funksion politik nëse Edi Rama pranon të bëjë analizat e kokainës

Ministri Prifti ka sfiduar dhe njëherë liderin e opozitës, duke i bërë thirrje këtij të fundit t’i nënshtrohet publikisht analizave të gjakut, për të faktuar të kundërtën e asaj që është akuzuar
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti, vazhdon të mbrojë akuzat e adresuara në drejtim të kreut të PS-së Edi Rama, për përdorim të substancave të ndaluara. Gjatë një konference për shtyp ministri Prifti ka theksuar se do të largohet nga politika nëse kreu i opozitës kryen analizat dhe nëse ato dalin në rregull. “I bëj thirrje Ramës të bëjë publikisht analizat e flokut dhe të gjakut dhe në atë ditë që këto analiza dalin në rregull unë jap dorëheqjen. Rama duhet të sqarojë opinionin publik nëse përdor drogë pasi është në detyrën e tij si shefi i opozitës”- u shpreh ministri i Ekonomisë, Prifti. Lidhur me akuzat e PS-së për fshehje të pasurisë ministri Prifti i cilësuar si shpifje të radhës theksoi se ai do të depozitojë në prokurori një padi për shpifje. “Akuzat për pasurinë time janë shpifjet e radhës të PS-së dhe Ramës, por unë kam autorizuar avokatin tim që bëjë kallëzim penal për shpifje”- tha ai. Gjithashtu, Prifti i bëri thirrje Inspektoratit të Deklarimit të pasurive që të përfshijë në listën për hetimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë edhe emrin e tij. “çuditem që inspektorati deri tani nuk ka bërë asnjë lloj deklarate për shpifje por i bëj thirrje që të bëjë një hetim sa më të shpejtë për pasurinë time, t’i mbledh bashkë dhe ta informoj publikun si zëri i të vërtetës që shpifje të tilla të marrin fund”- deklaroi më tej ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
...