E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit, Topalli: Shqiptarët janë evropianë, vendi i tyre është në familjen e vlerave të përbashkëta

Pavarësia e Kosovës, realitet i pakthyeshëm


Kryeparlamentarja shqiptare, Jozefina Topalli në fjalimin e mbajtur në Konferencën Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve tha se “shqiptarët janë Evropianë dhe se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”. “Shqiptarët janë Evropianë. Rajoni i Ballkanit ku jetojnë Shqiptarët ka kaluar shumë luftëra. Kosova, 2 vjet pas shpalljes së Pavarësisë po progreson shumë shpejt në një rajon stabël e në paqe. Shfrytëzoj rastin për të ftuar të gjithë ato vende, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta njohin shtetin më të ri të botës. Ai është një realitet i pakthyeshëm”- u shpreh kryetarja e Kuvendit, në fjalën e saj në fjalën e saj në Konferencën e tretë Boterore e Kryetarëve të 261 parlamenteve nga 186 vende. Kjo konferencë globale që po zhvillohet në në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës konsiderohet një eveniment unik i fokusuar në rolin thelbësor të institucioneve legjislative në politikën botërore dhe marrëdhënien e tyre me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Zonja Jozefina Topalli e përqëndroi fjalën e saj në realitetin europian të Shqipërisë ndërsa ftoi vendet që ende s’e kanë njohur Kosovën, ta njohin shtetin e ri që po progreson shumë shpejt. Në fjalën e saj , Kryetarja e Kuvendit tha: “Konferenca e tretë e kryetarëve të 261 parlamenteve nga 186 vende dhe të mijëra deputetëve të botës është një ngjarje madhore. Ashtu siç thuhet në projekt- deklaratën, të cilën unë e mbështes: Parlamentet tona janë istitucione kombëtare që mbartin historinë dhe trashegiminë kombëtare të secilit prej vendeve tona. Unë jam nga Shqipëria dhe do të doja t’ju thoja se Shqiptarët janë Evropianë. Rajoni i Ballkanit ku jetojnë Shqiptarët ka kaluar shumë luftëra. Shqiptarët e Shqipërisë kanë vuajtur për gjysmë shekulli diktaturën më të egër. Shqiptarët në Kosovë kanë histori shtypje e genocidi. Sot, vendi im, Shqipëria, pas rrëzimit të komunizmit 20 vite më parë është transformuar në mënyrë rrënjësore. Ndërsa Kosova , 2 vjet pas shpalljes së Pavarësisë po progreson shumë shpejt në një rajon stabël e në paqe. Shfrytëzoj rastin për të ftuar të gjithë ato vende, që nde nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta njohin shtetin më të ri të botës. Ai është një realitet i pakthyeshëm. Shqiptarët në Ballkan janë të vendosur të kontribuojnë në paqen e stabilitetin e Rajonit. Më shumë se askush tjetër, ne, shqiptarët të ndarë në katër shtete, jemi te vetëdijshëm se Evropa dhe integrimi janë progresi dhe e ardhmja jonë. Integrimi, që tejkalon kufinjtë e botës së vjetër është përgjigjia logjike për realitetet e shekullit të 21-të. Kjo do të na çojë drejt një bote më të sigurtë më democratike dhe më të begatë në shekullin e 21-të. Ne besojmë se ndërtimi i Europës është një nga projektet më ambicioze deri më sot, sa i përket qeverisjes mbikombëtare. Esenca e paradigmës së qeverisjes Evropiane është bashkimi i vullneteve politike kombëtare që ka për qëllim bashkëveprimin në kuadrin e një projekti të përbashkët dhe një rrjeti institucional që mund ta bëjë atë funksional. Parlamenti Evropian, si një organizëm i zgjedhur direkt që është i vetmi parlament mbikombëtar ne botë, mund të luajë një rol të rëndësishëm si një model demokratik i një qeverisje globale. Por integrimi evropian ofron disa leksione të rëndësishme edhe për qeverisjen globale. Fokusi i vendimarrësve politikë nuk mud të ndalet tek cështje të tilla si kufiri, kur problemet tona janë kaq ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse objektivi i Shqipërisë është integrimi. Por shtetet e vogla të botës, madje edhe ata të mëdhatë, bëhën gjithnjë e më pak të rëndësishëm nëse përpiqen të veprojnë vetëm, pa u bërë pjesëtar aktivë të strukturave rajonale të integrimit dhe bashkëpunimit. Por tashmë ndryshimi ka filluar. Bota vazhdon të përballë kriza që do të përbëjnë sfida të mëdha për rendin egzistues. Globalizmi përben sfidë serioze për demokracitë tona, dhe sistemet tona të qeverisjes duhet të jenë në gjendjë t’i përgjigjen asaj. Faktet kanë ndryshuar, tani e kanë radhën mendjet tona, mentaliteti ynë! Me ndryshimin nga G8 në G20, qeverisjes globale i është dhënë një dimension i ri. Në fund të fundit, forumi i ekonomive më të mëdha të botës përfaqëson cdo pjesë të botës. Por qeverisja globale nënkupton më shumë se kaq. Kriza globale ka përshpejtuar reformat e qeverisjes në gjithë këto institutione. Ky momentum duhet mbështetur dhe plotësuar në mënyrë që rendi i ri ekonomik të parandalojë krizat e së ardhmes dhe të ofrojë stabilitet dhe begati të qëndrueshme për të gjithë. Por ndryshimi tashmë ka filluar. Në kohët që jetojmë nuk ka ndonjë shtet aq të madh apo të pasur sa të përballojë sfidat globale i vetëm. Internacionalizimi i ekonomive tona dhe sistemeve financiare, së bashku me ndryshimet klimaterike dhe terrorizmin, gjithnje e me shumë po i bëjnë masat e politikave të ndërmarra nga shtetet kombe papërshtatshme. Qeveritë kombëtare gjithnjë e më shumë po bashkohen në struktura rajonale bashkëpunimi që të zgjidhin problemet e përbashkëta. Në ndryshim nga perandoritë e mëdha të së kaluarës, këta blloqe rajonale synojnë të krijojnë një ekuilibër funksional politiko-ekonomik, të mbështetur në konsensusin dhe qëllimin e përbashkët. Po ashtu, bota ka nevojë për insitucione globale të afta për ta bërë bashkëpunimin ndërkombëtar përfshirës, pjesëmarrës, dhe të qëndrueshëm. Unë ndaj plotësisht me ju qëllimin e kësaj konference, se është pikërisht koha për një përfshirje më të madhe të parlamenteve në bashkëpunimin ndërkombëtar. Parlamentet tona duhet të jenë më aktivë në cështjet ndërkombëtare duke kontribuar në monitorimin e nogociatave ndërkombëtare. Përgjegjshmëria dhe përfaqësimi qëndrojnë në themel të demokracisë. Parlamenti është institucioni qendror i çdo demokracie. Kombet e Bashkuara janë forumi botëror i përgjegjshmërisë. Në një të ardhme, G20 dhe institucionet ndërkombëtare mund të raportojnë në “parlamentin” e Kombeve të Bashkuara.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›