E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Prifti: Meta më kërkonte vetëm favore, ja si vendosa ta filmoj

SHKRUAN: Leonard Bakillari 22-11-2011 16:37

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti dëshmon para Gjykatës së Lartë historinë me Ilir Metën dhe acarimin e marrëdhënieve me të. Rikonfirmon se videoja është origjinale dhe se është regjistruar me orën e tavolinës. “U bë xheloz, pasi Berisha më kërkoi mua të negocioja për marrëveshjen e 2009-ës. Për tenderin e naftës ka ardhur në dhomën time të gjumit, ku isha sëmurë, ndaj edhe vendosa ta filmoj”

Për 2 orë e gjysmë, Dritan Prifti ka rrëfyer në Gjykatën e Lartë historinë e tij me Ilir Metën, acarimin e marrëdhënieve në fillim të vitit 2010 dhe idenë për të regjistruar video-përgjimin. Në një seancë të gjatë pyetjesh nga prokurori, avokatët e Metës dhe gjykatësi, ish-ministri i Ekonomisë ka përsëritur se Ilir Meta i kishte ofruar 700 mijë euro për licencën e HEC-it, ndërsa për ankandin e naftës, 1 milion dollarë, për t’i ndarë me Metën. Në dëshminë e tij para gjykatës, Prifti ka dhënë versionin e tij për regjistrimin e videos, shkarkimin në Lap-top dhe dërgimin më pas përmes 2 USB-ve në Top-Channel. “MAPO” boton dëshminë e plotë të Dritan Priftit për video-përgjimin që ndodhet tashmë në proces në Gjykatën e Lartë.

Prokurori: Z.dëshmitar, a mund të shpjegoni marrëdhëniet që keni pasur me të pandehurin Ilir Meta dhe rrethanat që ju shtynë të kryeni këtë regjistrim?

Dritan Prifti: Marrëdhënia ime me z.Meta është një marrëdhënie 12-vjeçare. Me të kam pasur një marrëdhënie të gjatë dhe problematike. Ka qenë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimi, por papritur u kthye në marrëdhënie problematike. Z.Meta vazhdimisht ka pasur poste dhe detyra më të rëndësishme se unë dhe gjatë kësaj kohe unë e kam mbështetur. Unë kam qenë vartësi i tij. Në vitin 2009, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) vendosi të bënte koalicion me Partinë Demokratike për qeverisjen e vendit. Ky vendim nuk ishte i lehtë. Opinioni publik e ka të qartë rolin tim si deputet, pro këtij vendimi. Që në fillim pati një xhelozi kundër meje nga z.Meta, pasi edhe kryeministri kërkoi që të isha unë negociatori për marrëveshjen. Fillimisht, me z.Meta kemi pasur marrëdhënie normale. Duke filluar nga muaji janar i vitit 2010, marrëdhënia me të u bë stresante, pasi z.Meta bënte kërkesa të jashtëligjshme për favore, të cilat duhet të plotësoheshin prej meje. Kërkesat kishin të bënin me presione, ndikim për subjekte apo persona, tendera, ankande, koncesione, licenca. Disa nga këto kërkesa ishin normale, ndërsa disa të tjera ishin në kundërshtim me ligjin. Unë kam zbatuar vetëm ato kërkesa që ishin brenda ligjit dhe brenda mundësive të mia. Për rastet e kërkesave të moszbatuara kishte kritika, pastaj presione e shpërndarje thashethemesh për largimin tim nga detyra e ministrit të Ekonomisë. Në muajin shkurt të vitit 2010, mësoj se z.Meta i kishte bërë një kërkesë Kryeministrit të vendit për largimin tim nga detyra e ministrit të Ekonomisë. Po këtë muaj kam shkuar dhe jam përballur me z.Meta rreth thashethemeve për largimin tim nga detyra dhe më pas kërkesës që ai kishte bërë. Ai i ka pranuar me të qeshur dhe më ka thënë që nuk ka asgjë të keqe që ti të vish në Ministrinë e Jashtme dhe unë në Ministrinë e Ekonomisë, meqenëse ti nuk i plotëson dot këto kërkesa. E diskutuam dhe ramë dakord që kjo bisedë do të hapej me sinqeritet në muajt në vazhdim, nëse do të ishte e nevojshme. Pas kësaj kam marrë takim me Kryeministrin, i cili më këshilloi që këto gjëra të zgjidheshin mes nesh. Pas muajit shkurt të vitit 2010, kërkesat e z.Meta ndaj meje kanë qenë vetëm për interes. Unë e njoh z.Meta, ai është person hakmarrës.

Gjykata: Dëshmitar, ju nuk mund të jepni opinione rreth karakterit apo personalitetit të të pandehurit!

Avokati: Prokurori duhet të kishte specifikuar pyetjen.

Prokurori: Mbrojtja kërkon të çorientojë dëshmitarin, për këtë arsye gjykata duhet të urdhërojë avokatët të mos ndërpresin dëshminë.

Gjykata: Dëshmitar vazhdoni me dëshminë…

Prifti: Nga muaji shkurt i vitit 2010 nuk mbaj mend asnjë takim ku z.Meta të mos më ketë kërkuar ndere, të cilat nuk kisha mundësi t’i bëja, pasi ishin në kundërshtim me ligjin. Mbaj mend që një ditë kam qenë sëmurë në krevat dhe z.Meta ka ardhur në shtëpinë time, madje në dhomën time të gjumit, më ka hequr jorganin dhe më ka kërkuar tenderin e naftës. Në këto kushte unë vendosa të kem një provë. Ditën e regjistrimit, Meta më telefonon dhe më thotë se do të vijë në zyrën time, pasi më pas do t’i duhej të largohej jashtë vendit. Unë vendosa që këtë bisedë që do zhvillohej në zyrën time, ta regjistroja.

Prokurori: Ju kujtohet data dhe muaji kur është bërë kjo bisedë?

Datën me saktësi nuk e kujtoj, por mbaj mend se biseda është bërë në fillim të marsit, rreth orës 12:00-13:00.

Z.Meta do ikte jashtë shtetit pas bisedës me ju?

Po, edhe në telefon kështu më tha, se do të largohej jashtë shtetit.

Prokurori:A mund të na thoni çfarë përmban biseda mes jush dhe z.Meta?

Pas regjistrimit, unë as nuk i jam rikthyer për ta parë videon e regjistruar. Mbaj mend se gjatë bisedës janë trajtuar disa çështje. Çështja e parë ishte punësimi i një personi të quajtur Artur Hajdari, pranë Inspektoratit Qendror Teknik (IQT). Më pas më kërkoi punësimin e një personi tjetër, të cilin e kishte pasur shok shkolle, në po këtë institucion. Pastaj ai i kishte radhitur gjërat në një bllok, që e mbante në dorë. Pastaj u diskutua për një ankand në “Albpetrol”, që duhet të fitohej nga miku i tij, Bekim Halilaj. Më pas u diskutua për një koncesion hidrik, për të cilin konkurronin dy kompani, bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Vëllezërit Tola” Por kemi diskutuar edhe për gjëra të tjera, për shembull për drejtorin e KESH-it, ku flitej për ta zëvendësuar.

Prokurori:Bazuar në këtë regjistrim, ne kemi ngritur akuze për koncensionin dhe çështjen e naftës bruto. Na i sqaroni konkretisht këto dy çështje?

Avokatët: A mund të verifikojë gjykata nëse dëshmitari ka para dhe po lexon deklarimet e dhëna në prokurori?

Prokurori: Ndërhyrja e avokatëve ka si qëllim çorientimin e dëshmitarit.

Gjykata: Dëshmitar, mund të mbani shënimet tuaja dhe të vazhdoni me dëshminë.

Prifti: Unë do përqendrohem fillimisht tek biseda e videos. Por nëse është e nevojshme do dal edhe jashtë kontekstit. Z.Meta, gjatë takimit në zyrën time më kujtoi të zbatoja çfarë kishim diskutuar lidhur me ankandin e naftës bruto. I thashë: “Po, do ta bëj”. Ai nguli këmbë: “Mbaroje, pse s’e mbaron, anuloje, pse s’e anulon?” Më tha për çështjen tjetër se koncesioni duhet të fitohej nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Vëllezërit Tola”; “jepe shpejt”, më tha. Unë e dija që ishte në Gjykatën e Apelit. Zoti Meta më tha: “Jo, çështja në Apel ka përfunduar, zbatoje menjëherë sot”. Gjatë bisedës telefonoi Agim Rrapaj, i cili u paraqit si konsulent i bashkimit të përkohshëm të kompanive “Vëllezërit Tola”, por kujtoj se djali i tij ka qenë administrator i kësaj kompanie. Fola me të, i kërkova të dërgonin vendimin e gjykatës që unë të bëja punën sipas ligjit. Në një moment, Meta më thotë mua që nuk e di si do hysh ti, por ky Gimi më tha nga ana ime ka 7 për qind. Në një moment përmendi 700 mijë euro.

Prokurori:Në perceptimin tuaj, ndërhyrjet e tij për koncesionin ishin për shkak të pozitës, apo të kundraligjshme?

Për mendimin tim ishin të jashtëligjshme, pasi ishin ofruar 7 për qind, nuk besoj se ka njeri në botë mos ta kuptojë.

Prokurori:Ofrimi i 7 përqindëshit apo 700 mijëshes, ishte favor për ju?

Gjykata: Pyetja është sugjestionuese. Të ndryshohet pyetja!

Prokurori: Po për ankandin e shitjes së naftës, a patët ofertë?

Për ankandin e naftës në zyrën time nuk ka pasur ofertë. Por kjo bisedë është bërë dhjetëra herë. Më janë ofruar 1 milion dollarë për t’i ndarë mes meje dhe Metës. Biseda është bërë njëherë në Ministrinë e Jashtme, në zyrën e z.Meta, dhe njëherë në një drekë në “Rogner”.

Mund të jepni detaje për ankandin? Cila ishte sasia e naftës dhe përfitimi?

Kjo bisedë është bërë për 30 mijë ton naftë që kompania do shiste. Ky ishte ankandi i kompanisë “Albpetrol”.

Z.Meta ju ka kërkuar anulimin e ankandit. A mund të na sqaroni përse bëhet kërkesa?

Ai kërkoi ta anuloja ankandin. Ky ishte një ankand ku do merrnin pjesë 20 kompani. Kam idenë se zoti Halilaj që ishte firme e re, mendonte se do kishte konkurrencë të madhe. Por z. Halilaj do të bënte marrëveshje me ARMO-n për rafinerinë edhe këtu Halilaj do kishte përparësi. Në Shqipëri, në atë periudhë, por edhe tani, besoj unë ka qenë i vështirë eksporti i naftës bruto, sepse nuk ka kapacitete. Pra shkurt në këtë rast, Meta kërkoi anulimin se kompania “Halilaj” nuk e kishte arritur marrëveshjen me ARMO-n.

A ka bërë ankesë kompania “Halilaj Group”?

Kompania “Halilaj Holding” ka bërë ankesë për anulimin e ankandit, pasi ata shkuan pranë kompanisë “Albpetrol” ditën që do të zhvillohej ankandi dhe panë që s’kishte asnjë konkurrent tjetër, pra ankandi ishte anuluar më parë.

Kur e keni njohur Bekim Halilajn?

Nuk e mbaj mend datën, por ma ka prezantuar Ilir Meta.

A keni biseduar për ankandin me Bekim Halilajn?

Edhe mundet të kem diskutuar.

A keni pasur takime me të dhe nëse po, ku zhvilloheshin këto takime?

Me zotin Halilaj kam pasur disa takime si në zyrën time, në zyrën e Metës, në “Hotel Rogner”, në një lokal afër shtëpisë sime. Pra, kryesisht këto kanë qenë vendet. Në disa raste kam qenë vetëm, në disa raste me Metën. Në disa raste, në Ministrinë e Jashtme. Dy herë për drekë në “Rogner” të tre.

Çfarë keni biseduar në këto takime?

Bisedat kanë qenë thuajse të gjitha për ankandin e naftës në “Albpetrol”. Kur zhvillohet dhe si, pra në të gjitha rastet për bizneset e tij. Më ka kërkuar të ndërmjetësoj në “Armo” për marrëveshjen. Pra, për hir të së vërtetës, nuk e kam frenuar në biznesin e tij. I kam thënë merr pjesë në ankand nëse ke dokumentet. Unë isha i shqetësuar për ecurinë e “Albpetrol”-it. Kam pasur si shqetësim të madh se “Albpetrol” ishte në atë kohë në gjendje shumë të keqe, pritej të bëhej reformë, flitej për largimin e rreth 1500 punëtorëve. Pra isha i interesuar për ankandin e naftës.

Po shtetasin Pajtim Sula e njihni?

Pajtim Sulaj ishte nëndrejtor i “Albpetrol”-it. Posti i tij ishte si të thuash dhe politik, si pjesë e marrëveshjes PD-LSI, por ai është emëruar atje edhe si profesionist. Zoti Sulaj ka qenë kryetar i komisionit të Ankandeve.

A keni biseduar me Sulajn?

Mbaj mend që me zotin Sulaj kam folur një herë. E kam pyetur për kompaninë “Halilaj” dhe shanset që kjo kompani të fitonte ankandin. Më tha se nuk ka asnjë shans që Halilaj të fitonte ankandin me dokumentet e paraqitura. I kam thënë zoti Sulaj, fol me zotin Meta dhe thuaji që s’kemi mundësi ta favorizojmë.

Gjatë kësaj kohe, a ju është dërguar ndonjë sms për ankandin?

Zoti Halilaj ka dërguar shumë sms dhe për këtë ankand, edhe për të tjerë. Zoti Halilaj madje më ka bërë forward edhe tekstin e plotë të një mesazhi që ia ka dërguar Pajtim Sulaj. A ta them përmbajtjen?

Gjykata: Po, thuaje!

Teksti është: “I dashur vëllai im, unë dhe ai që ti e di, u përpoqëm. Por krahu tjetër ka punuar me të gjitha mënyrat që të diskretitonte shefin dhe të ma rraste mua. Telefonin s’ta kam hapur dhe ti e di pse”.

ǒlidhje ka shtetasi Agim Rrapaj me koncesionin hidrik të Shushicës?

Unë, Agim Rrapajn e kam takuar me një person tjetër, me Fatmir Merkon, ky është mik i z.Metës. I kam takuar me porosi të Ilir Metës. Takime për punë të ndryshme. Zoti Rrapaj pretendonte se kishte mundësi e lidhje me qeverinë japoneze dhe do të sillte fonde këtu. Në të gjitha rastet e takimeve, Rrapaj ishte me Merkon. E dija që Agim Rrapaj kishte interes në koncesionet hidrike, por e dija që Fatmir Merkaj kishte 20 për qind të aksioneve në bashkimin e përkohshëm të kompanive “Vëllezërit Tolaj”, si dhe që djali punonte si administrator aty.

A keni përdorur programe për të bërë ndërhyrje në video?

Jo! As më ma shkuar në mendje.

Me çfarë e keni bërë regjistrimin?

Regjistrimi është bërë me një kamera të fshehur në një orë tavoline ngjyrë metalizato. Kjo orë ka bërë regjistrimin e videos dhe të zërit.

Sa kohë ka kaluar nga regjistrimi deri në shkarkimin e materialit në Lap-top?

Kjo pjesë më kujtohet shumë mirë, pasi e kisha Lap-topin në zyrë. Menjëherë sapo mbaroi filmimi e kam shkarkuar materialin nga ora në Lap-top.

Pyetjet e avokatëve

Avokati: A është duke hetuar Prokuroria e Përgjithshme ndaj jush dhe nëse po, cila është akuza? A është e njëjtë kjo akuzë me atë që prokuroria ka paraqitur në kërkesën drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit tuaj?

Prokurori: Pyetja nuk ka lidhje me këtë proces gjyqësor.

Prifti: Prokuroria ka kërkuar autorizimin e Kuvendit të bëjë hetime lidhur me një dyshim. Nuk ka asnjë akuzë ndaj meje.

Avokati: A keni pasur marrëveshje me Prokurorinë e Përgjithshme?

Prifti: Jo.

Avokati: Me çfarë mjeti e keni realizuar regjistrimin e materialit video?

Regjistrimi është bërë me një kamera të fshehur brenda një ore tavoline.

Ku e keni gjetur mjetin që keni kryer filmimin?

Ma ka dhënë një shok.

A është ora që keni dorëzuar pranë organit të akuzës, mjeti me të cilin keni kryer regjistrimin?

Po.

Në akt-ekspertimin e datës 31.10.2011, konstatohet se në orë nuk gjendet filmimi i videos Meta-Prifti. Si e shpjegoni këtë fakt?

Unë nuk kam kompetenca shkencore për të dhënë përgjigje shkencore. Deklaroj me përgjegjësi se filmimi është bërë me orën që kam dorëzuar pranë organit të akuzës.

A keni ndonjë orë tjetër për të dorëzuar në Prokurori?

Në shtëpi kam disa ora, përfshi edhe ora që bëjnë regjistrime, por orën që kam kryer filmimin e kam dorëzuar në Prokurori. Me atë orë janë bërë shumë regjistrime dhe regjistrimi i kësaj videoje mund të jetë fshirë nga filmimet e tjera.

Si shpjegohet që nuk janë fshirë filmimet e tjera?

Po e përsëris: Me atë orë janë bërë edhe regjistrime të tjera, të cilat nuk janë gjetur nga ekspertët. Në orë nuk është vetëm kjo video e fshirë. Kjo ka ndodhur për shkak të memories së vogël (8 giga) që ka ora.

Cilat prej materialeve keni çuar në televizionin “Top Channel”?

Kam çuar 1 ose 2 USB.

A keni qenë i pranishëm gjatë transkriptimit që i është bërë videos nga emisioni “Fiks Fare”?

Jo, nuk kam qenë i pranishëm. USB-të ia kam dorëzuar zotit Filip Çakuli.

A keni ndërhyrë ju, apo persona të njohur prej jush në këtë video?

Nuk kam ndërhyrë kurrë në Lap-top, në atë video.

Si e shpjegoni që ka ndërhyrje në pjesën audio?

Unë nuk kam bërë asnjë ndërhyrje, as në zë, as në figurë dhe as në ndonjë formë tjetër.

Dëshmitar, ju keni deklaruar se keni bërë ndërhyrje për të përmirësuar dëgjueshmërinë e bisedës. Është i vërtetë ky fakt?

Kam deklaruar se kam dorëzuar në prokurori edhe një USB me tri versione të ndryshme të videos. Unë jam përpjekur të përmirësoj zërin e videos në dy variantet e tjerë, pasi në prokurori kam dorëzuar videon orgjinale dhe dy kopje të pastruara të kësaj videoje.

Sikurse deklaruat, videoja është bërë në mars të vitit 2010. Kjo video u publikua në janar të vitit 2011. Cila ishte arsyeja që kjo video është publikuar gati një vit pasi ishte regjistruar?

Pak ditë pas regjistrimit, videon ia kam çuar Kryeministrit të vendit. Sikurse ai ka deklaruar, Kryeministri nuk e pranoi këtë video. Pas këtij takimi, kuptova nga reagimet e z.Meta se ai ishte në dijeni të kësaj videoje. Për arsye të sigurisë sime dhe familjes sime prita një moment të dytë për publikimin e kësaj videoje, pasi isha vetëm, madje nuk mora mbështetje as nga Kryeministri, i cili ka ngritur edhe një strukturë për antikorrupsionin.

Cilat janë motivet që ju e mbajtët kaq gjatë këtë video?

Motivi kryesor në vonesën e denoncimit publik të kësaj videoje është se nuk gjeta mbështetje. Arsyeja e dytë ishte sigurimi i jetës së familjes sime. Kisha frikë për sigurinë e fëmijëve dhe familjes sime.

Çfarë rrethanash ndryshuan nga marsi i vitit 2010 në janar të vitit 2011?

Nuk kam sqarime.

Regjistrimin e fshehtë e keni bërë për hobi, të porositur, apo për ndonjë arsye tjetër?

Materialin e kam bërë unë dhe e kam denoncuar unë në Prokurori. Unë kam një pjesë të detyrës si qytetar, dhe sot po vazhdoj të kryej këtë detyrë.

A e konsideroni të ligjshëm veprimin për të filmuar zv/kryeministrin?

Ndërhyn prokurori, i cili kërkon që pyetja të mos pranohet.

Gjykata nuk e pranon pyetjen dhe urdhëron avokatët të vazhdojnë me pyetjen tjetër.

A e njihni shtetasin Adrian Xhillari?

Unë e njoh këtë shtetas. Kam njohje me të.

A ka përfituar ky shtetas tendera apo koncesione gjatë kohës që ju keni qenë ministër Ekonomie?

Ministria e Ekonomisë nuk bën tendera. Kompania e zotërisë ka fituar një tender të naftës bruto në “Albpetrol”.

Në kohën që zhvillohej biseda mes jush dhe z.Meta, a ishte realizuar ankandi dhe a ishte shpallur fituesi i ankandit të naftës bruto në kompaninë “Albpetrol”?

Kërkesa e z.Meta ka qenë para zhvillimit të ankandit, pasi kërkonte anulimin e ankandit.

Përse është anuluar ankandi?

Punonjësit e kompanisë “Armo” kanë bërë një protestë që nafta bruto të kalonte nga “Albpetrol” në “Armo”, në bazë të një marrëveshjeje të lidhur mes këtyre dy kompanive. Unë dhashë porosi për këtë kërkesë.

Kjo porosi e juaja u realizua?

Nuk e mbaj mend këtë pjesë.

Kur u emëruat ministër i Ekonomisë, në cilën fazë e gjetët koncesionin e HEC-it?

Kur jam informuar, kjo çështje ndodhej në proces gjyqësor. Në video, z.Meta më tha që gjyqi për këtë çështje është fituar në Apel. Pas publikimit të videos mbaj mend një deklaratë publike të kryetares së Gjykatës së Lartë, e cila tha publikisht se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar ende.

Mund të na sqaroni arsyen e dhënies së ofertës financiare, sikurse ju pretendoni?

Duhej të merrja vendim për dhënien e koncesionit. Z.Meta më ofroi 7 për qind të aksioneve të kompanisë, bashkimi i përkohshëm i kompanive që do të përfitonin HEC-in.

A i keni dëgjuar mirë faktet dhe shifrat?

E kam dëgjuar mirë shumën, pasi është përmendur dy herë nga z.Meta.

A keni përdorur ndonjë mjet amplifikues për dëgjimin?

Jo, nuk kam përdorur asnjë mjet të tillë.

Në vitin 2002, ju z.Prifti i keni dërguar një letër kryetarit të Parlamentit, duke thënë se pas operacionit keni pësuar dëmtime të përhershme në dëgjim…

Reagon prokurori: Të mos pranohet pyetja!

Gjykata: Pyetja nuk pranohet!

Prifti: Përderisa e thoni ju, ashtu duhet të jetë.

Avokati: A keni bërë deklarata në media në vitin 2002, se ish-kryeministri Fatos Nano ju ka kërkuar të pastroni 1 miliard dollarë?

Gjykata: Pyetja nuk pranohet!

Avokati: Dëshmitari tha se video-regjistrimi i fshehtë është fshirë për shkak të videove të tjera. Në orë gjenden me dhjetëra foto me lule. Mund të sqaroni si kanë përfunduar këto foto në orë?

Nuk kam bërë foto të tilla, foto me lule.

Dëshmitar, mund të na tregoni kur e keni çuar videon në televizionin “Top Channel”?

Nuk e mbaj mend me saktësi. E kam çuar disa javë para publikimit. Kam çuar dy USB që m’i ka dhënë redaksia e emisionit “Fiks Fare”.

Përse është mbajtur një program për filma multiplikativë në Lap-topin tuaj?

Prokurori: Kundërshtoj, programi është fshirë në vitin 2008, pra nuk ka qenë aktiv kur është bërë përgjimi.

Gjykata: Dëshmitar, a keni instaluar dhe përdorur një program të tillë në Lap-topin tuaj?

Prifti: Nuk kam dijeni për një program të tillë. Mund të sqaroj hapësirën për ndërhyrje apo manipulim në këtë video. Pas regjistrimit, materialin video e kam shkarkuar menjëherë në Lap-topin tim. Në dijeninë time, videoja është shkarkuar menjëherë sapo ka mbaruar regjistrimi. Jo unë, por asnjë ekspert në botë nuk mund të kryejë ndërhyrje për 5 sekonda.

Si është e mundur që një njeri me të cilin ju shkoni shumë keq, t’u kërkojë favore në këmbim të shumave financiare?

Nga muaji shkurt i vitit 2010, gjërat ishin të acaruara për shkak të kërkesave të jashtëligjshme për favore nga z.Meta, kërkesa të cilat nuk mund t’i realizoja.

Kur është bërë biseda për ofertën 700 mijë euro?

Shuma prej 700 mijë eurosh është përmendur dy herë nga z.Meta. Edhe gjatë bisedës në zyrë, edhe në dalje të zyrës, kur e përcolla.

Mesa ju kujtohet, apo ju kujtohet kjo gjë? Jeni të sigurt?

Edhe mesa më kujtohet, edhe më kujtohet se shifra prej 700 mijë eurosh është përmendur dy herë nga z.Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›