Biznesmeni Halilaj: Ankandin e naftës e fitoi ortaku i gruas së Priftit
Bekim Halilaj, biznesmeni i përmendur nga Dritan Prifti se ishte favorizuar nga Meta për ankandin e 30 mijë tonëve naftë bruto, ka rrëzuar këtë version në gjykatë. “Në Shqipëri erdha nga miqësia me Priftin. Anuloi ankandin për t’ia dhënë aksionerit me 30 % në kompaninë e së shoqes”
Biznesmeni Bekim Halilaj, i përmendur si personi i favorizuar nga Meta për tenderin e naftës bruto, ka rrëzuar në gjykatë versionin e Dritan Priftit. Në dëshminë e tij para Gjykatës së Lartë, biznesmeni që banon në Selanik të Greqisë, tha se Priftin e kishte mik që prej vitit 2003, e për këtë arsye kishte vendosur të investonte në Shqipëri. Në dëshminë e tij, Halilaj ka denoncuar madje anulimet e qëllimshme të tenderit të 30 mijë tonëve naftë bruto nga Dritan Prifti, për të favorizuar më pas persona me të cilët kishte lidhje biznesi. “Këtë ankand e fitoi ortaku me 30 % në kompaninë e bashkëshortes së ministrit Dritan Prifti”, - tha Bekim Halilaj në gjykatë.
Prokurori: Cili ka qenë aktiviteti i deritanishëm në fushën e hidrokarbureve, brenda dhe jashtë vendit?
Halilaj: Ushtroj aktivitetin e import-eksportit të hidrokarbureve prej 16-17 vitesh në gjithë Ballkanin. Veprimtaria ime është vetëm në tregtimin e karburantit.
A keni marrë pjesë në një ankand për blerjen e 30 mijë tonëve naftë bruto nga kompania “Albpetrol” në shkurt të vitit 2010?
Jo, nuk kam marrë pjesë, pasi në këtë muaj nuk ka pasur ankand.
A jeni përfshirë një ankand për blerjen e 30 mijë tonëve naftë bruto nga kompania “Albpetrol” në periudhën shkurt-mars të vitit 2010?
Duke përfituar nga njohja me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, erdha për të investuar në Shqipëri. M’u kërkua nga ministri Prifti të paraqisja një kërkesë pranë Ministrisë së Ekonomisë, të cilën unë e bëra. Pasi nuk mora përgjigje për këtë kërkesë, Prifti më thirri dhe më tha se nafta do shitej me ankand. Përfaqësuesit e kompanisë sime u paraqitën në ankand ku merrnim pjesë vetëm ne. Më njoftuan se ankandi i datës 1 mars u anulua dhe ankandi i radhës do të zhvillohej në 10 mars të vitit 2008. 30 minuta para dorëzimit të dokumenteve në ankandin e dytë, përfaqësuesit e kompanisë sime u njoftuan se ankandi ishte anuluar sërish. Iu drejtova ministrisë për arsyet e anulimit të ankandit, por nuk mora asnjë përgjigje për kërkesën time. Më vonë mora vesh se ankandi ishte fiktiv, pasi tri kompani kishin bërë një marrëveshje midis tyre.
A njiheni me shtetasin Dritan Prifti, nëse po, në ç’rrethana?
Me Dritan Priftin njihem që prej vitit 2002-2003, kur ai ka ardhur në Selanik me rekomandimin e disa miqve të mi. Ishte koha kur sapo ishte shkëputur nga Partia Socialiste. E prita në Selanik.
Po me shtetasin Ilir Meta?
Po, mbaj mend se jemi takuar në Shkup ose Athinë, por nuk e kujtoj dot.
A i keni kërkuar ndihmë Ilir Metës për ankandin e naftës në “Albpetrol”?
Nuk i kam kërkuar ndihmë Ilir Metës. Në asnjë mënyrë nuk i kam kërkuar ndihmë. Jam ankuar vetëm një herë, kur unë qëndroja në “Rogner” dhe jemi takuar rastësisht. Më pyeti ç’thonë investimet dhe i kam thënë që ministri yt nuk po zbaton ligjin. I jam ankuar në linjë partie.
Po në telefon keni biseduar me Ilir Metën për këtë çështje?
Nuk më kujtohet. Për ankandin e naftës nuk kam folur me të.
Po me Dritan Priftin?
Po, komunikoja çdo ditë, madje 2-3 herë në ditë. Më ka ftuar edhe në shtëpinë e tij. Ishim miq.
A ka pasur tentativa nga ana juaj për të bashkëpunuar me kompaninë “Armo”?
Kam pasur një bisedë me pronarin e kësaj kompanie, por çmimi nuk ishte i leverdishëm për të dy ne, dhe ky bashkëpunim nuk u realizua.
A keni kërkuar ndihmë nga Meta ose Prifti për të bashkëpunuar me kompaninë “Armo”?
“Armo” është një kompani private. Unë kam kontaktuar direkt me pronarin e saj.
Ishte në dijeni z.Meta për ankandin e naftës bruto?
Nuk e di, unë ia komunikova gjatë takimit në “Rogner”.
A e njihni shtetasin Pajtim Sulaj?
Këtu në ambientet e gjykatës jemi prezantuar. Kemi pasur një ose 2 herë komunikime telefonike për anulimin e ankandit.
Z.Prifti thotë se ka marrë nga ju një sms, të cilën jua kishte dërguar shtetasi Pajtim Sula?
Nëse sms-ja është dërguar nga numri im, atëherë ia kam dërguar unë sms-në. Çdo mesazh që i kam dërguar, e kam shkruar vetë.
Avokati: A jeni paraqitur në ankandin e kompanisë “Albpetrol”, ju ose përfaqësues të kompanisë suaj?
Përfaqësuesit e kompanisë sime janë paraqitur disa herë, por ankandi është anuluar. Nuk më është dhënë asnjë arsye përse është anuluar ankandi. Ankandi ishte paracaktuar.
A jeni në dijeni kush e fitoi ankandin për 30 mijë ton naftë bruto?
Ankandin e ka fituar firma, pronari i së cilës është 30 për qind aksioner në kompaninë e bashkëshortes së ish-ministrit. Për këtë kishte edhe një akt-marrëveshje.
A i keni kërkuar z.Meta ndërhyrje në këtë ankand në këmbim të shumës prej 1 milion dollarësh?
Për një milion dollarë nuk merrja pjesë në ankand, por shkoja në shtëpi.
Bekim Halilaj: Padi 1 mln USD për Priftin
Biznesmeni denoncon aferën e tenderit të 30 mijë tonëve naftë, që ishte fituar me marrëveshje nga ortaku i familjes Prifti në kompaninë “Fortis”
Pas dëshmisë së tij në Gjykatën e Lartë, biznesmeni Bekim Halilaj ka pohuar se do t’u drejtohet organeve të drejtësisë me një padi për dëmshpërblim kundër Dritan Priftit. Ai ka thënë se, për shkak të abuzimit me emrin e tij që ka bërë Dritan Prifti, është dëmtuar imazhi i tij dhe i biznesit. “Unë nuk kam guxuar deri më sot të shkel në zyrat e biznesmenëve, sepse quhesha si një njeri që korruptoja shtetin, sipas Dritan Priftit. Që nga ky moment unë do t’u drejtohem organeve të drejtësisë. Do të bëj padi për përfitim të munguar, për dëmshpërblim, për prishje imazhi dhe do ta respektoj Dritanin vetëm për një gjë, do ta filloj te 1 milion dollarëshi”, - thotë Bekim Halilaj, biznesmeni që jeton në Selanik. Ai ka shtuar se nuk ka kërkuar asnjëherë favorizim nga Meta dhe se me të ishte takuar vetëm 1 herë në “Rogner”, ku i kishte shpjeguar problemet që i kishte shkaktuar Dritan Prifti. Halilaj sqaron se ishte paraqitur në ankandin e 1 marsit me të gjitha dokumentet në rregull, por i kishin thënë se ishte anuluar, pasi nuk ishte paraqitur asnjë kompani tjetër. “Ata na thonë që do të bëhet ankandi tjetër më 10 mars. Të njëjtën gjë pësuam edhe më 10 mars, vajtëm, pranuan dokumentet dhe na thanë që do të anulohet prapë. Më vonë, duke filluar t’i shkruaj deri në fund se cila ishte arsyeja që nuk më jepej, më bie në dorë një dokument që tregonte se ankandi është bërë vetëm për t’u tallur me njerëzit dhe për t’i hedhur hi syve së vërtetës. E para, më parë është bërë një marrëveshje midis tri kompanive: “Albpetrol”, “Tea construction” dhe “ARMO” dhe për këtë janë dokumentet, edhe se sa lekë ka paguar “Tea construction”. Marrëveshja është bërë një muaj përpara ankandit”, - thotë Halili. Ai zbulon më tej se këtë tender, për të cilin ai është përfolur, e ka fituar ortaku i bashkëshortes së Dritan Priftit në kompaninë “Fortis”.