Vdes në spital 28-vjeçarja, arrestohen djali i Ruçit dhe shoferi i plagosur
Aksidenti i mbrëmjes së diel mbyllet me vdekjen tragjike të Brunilda Pinderit dhe arrestimin e dy drejtuesve të makinave të përplasura, deri në përcaktimin e përgjegjësit të përplasjes në rrugën e Elbasanit
Tiranë Përplasja e së dielës në rrugën e Elbasanit mbyllet me vdekjen në spital të 28-vjeçares Brunilda Pinderi dhe ndalimin e dy drejtuesve të makinave, Ledian Ruçi e Eduart Cani. Pak pas mesnatës, vajza 28-vjeçare, e cila ndodhej në sediljen e parë të makinës ‘Mini-Cooper’, ka humbur betejën me vdekjen në sallën e operacionit, ndërsa dy të plagosurit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Mëngjesin e djeshëm, policia e Tiranës ka vendosur në masën e arrestit Ledian Ruçin, djalin e deputetit socialist dhe Eduart Canin, i cili ndodhej ende nën trajtim në Spitalin Ushtarak. Në automjetin e drejtuar nga Cani, përveç viktimës ndodhej dhe 17-vjeçarja Pinellopi Rafti, e cila së bashku me Canin janë tërësisht jashtë rrezikut për jetën dhe duke u kuruar në spital. Po ashtu, edhe djali i deputetit Ruçi ka marrë disa plagë të lehta në këmbë dhe në krahun e majtë. Ndërsa është duke pritur rezultatet e ekspertizës së ngjarjes, policia ka arrestuar dy drejtuesit e automjeteve deri në zgjidhjen e çështjes mbi përgjegjësitë e aksidentit. Paraprakisht mësohet se të dy automjetet kanë qenë me një shpejtësi tej normave të lejuara, por ngelet për t’u përcaktuar se cili prej dy automjeteve ka pasur përparësinë e lëvizjes nga semafori në momentin kur ka ndodhur përplasja. Aksidenti i frikshëm ndodhur mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:45, ka shokuar kalimtarët e shumtë në rrugën e Elbasanit. Pas përplasjes, automjeti BMW X6 me targa greke, ka goditur me forcë një kolonë përtej trotuarit, duke ndalur kështu futjen e automjetit brenda një lokali fast food, ku ndodheshin shumë persona. Pasi është përplasur me automjetin ‘Mini Cooper’, X6-ta e drejtuar nga Ledian Ruçi ka vazhduar për inerci të shkojë në drejtim të trotuarit dhe për pak sa nuk ka shkaktuar një tjetër tragjedi në fast food-in që ndodhej pranë rrugës. Automjeti i drejtuar nga Ruçi është përplasur me automjetin ku udhëtonin tre të rinjtë në krahun e djathtë, pikërisht shumë pranë vendit ku ndodhej dhe 28-vjeçarja Pinderi, e cila humbi jetën si pasojë e plagëve të shumta, të marra në kokë. Të parët që kanë vrapuar pas të dëmtuarve ishin kalimtarët që kanë njoftuar policinë dhe shërbimin e ambulancës. Pak minuta më vonë, në vendin e ngjarjes ku ndodhej edhe policia kanë mbërritur dy autoambulanca që kanë marrë edhe personat e plagosur.. Ndërkohë, policia në vendin e ngjarjes nisi hetimet për këtë aksident që ndodhi në një orë ku trafiku është mjaft i rënduar, si dhe në një zonë ku ka lëvizje të shumta edhe të kalimtarëve. Hetuesit tashmë kanë nisur procedurat e para për të përcaktuar përgjegjësitë e secilës palë në këtë aksident. Rreth orës 22:45 kur ndodhi ngjarja, numri i automjeteve në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit ka qenë më i vogël se zakonisht dhe kjo mendohet edhe si njëra nga arsyet që dy drejtuesit e automjeteve kanë ecur me shpejtësi të lartë. Dëshmitarë të ngjarjes thanë për policinë se në kryqëzim kishte gjithsej katër automjete në momentin e përplasjes.
Banda e Mirditës, vetëm 1 dënim për vrasjen e