Dritan Prifti: Shpifjet ndaj meje, një refren që po vjen nga ndërtuesit e lidhur me Edi Ramën

Ministri i Ekonomisë thotë se është i qetë për investigimin që po bën ILDKP-ja, por ai kërkon që ky institucion të hetojë edhe deklarimin e pasurisë nga Edi Rama, pasi ky i fundit kaloi dy javë në disa nga zonat turistike më të frekuentuara të globit, të njohura për çmimet stratosferike, çka bie ndesh me deklarimin e mëparshëm të tij se gjendja e llogarisë së tij është vetëm 3000 euro
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti u shpreh dje se sulmet kundër tij, lidhur me deklarimin e pasurisë, po i vazhdojnë vetëm dy të përditshme që kontrollohen nga kryesocialisti Edi Rama dhe njëherazi pronarët e tyre janë ndërtues dhe klientë të lejeve të ndërtimit që lëshon Bashkia e Tiranës. Ai theksoi se këto dy media prej një kohe të gjatë ndjekin linjën editoriale të fletushkës së PS-së, “Zëri i Popullit”. “është e vërtetë që janë vetëm dy gazeta që vazhdojnë refrenin e mëparshëm të gazetës Zëri i Popullit apo të Edi Ramës në lidhje me pasurinë time. Janë vetëm dy gazeta me pronarë ndërtues. Të dyja ato kanë pronarë ndërtues, klientë të zotit Rama, pronarë të cilët kanë marrë leje ndërtimi nga zoti Rama dhe vazhdojnë të njëjtin refren siç vazhdon edhe gazeta e Partisë Socialiste” - u shpreh Prifti.
Ministri i Ekonomisë vuri në dukje se ILKDP, ka filluar punën për hetimin e deklarimeve të pasurisë së tij. Sipas ministrit Prifti, fjalën e fundit do ta japin institucionet ligjore dhe se çdo njeri duhet të presë dhe respektojë vendimin e tyre. “Unë jam informuar nëpërmjet një letre me shkrim nga Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, që ata kanë filluar analizimin e deklarimeve të mia të pasurisë. Pra, janë duke bërë investigimin dhe analizën e tyre dhe unë mendoj që çdo njeri që respekton shtetin ligjor dhe ligjet e vendit të vet duhet të presë institucionet e shtetit për të dhënë përgjigje për këtë. Por, nuk më shqetësojnë fare gazetat e ndërtuesve, klientë të zotit Rama, që vazhdojnë akoma historitë dhe shpifjet në lidhje me pasurinë” - deklaroi më tej, ministri Dritan Prifti.
Opozita dhe organet mediatike pranë saj, kurdisën disa ditë më parë, një valë akuzash ndaj ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, duke marrë për bazë deklarimin e pasurisë së tij. Duke mos mjaftuar fakti i deklarimit të sinqertë të ministrit Prifti dhe respektimi i hallkave ligjore për këtë, përsa kohë deklarimi i pasurisë është një indikator edhe i koherencës me ligjin, Edi Rama nga ana tjetër ka deklaruar vetëm 3000 euro pasuri, apo gjendje llogarie. çka do të thotë se kryebashkiaku apo kryetari i Partisë Socialiste jeton vetëm me rrogën e tij mujore. Por kush e beson këtë? Sa kushtuan pushimet e fundit të Edi Ramës në Macao, Maldive, Los Angeles dhe duke përfunduar në Paris? Vende të njohura këto si më të shtrenjtat në botë dhe vetëm një i çakërdisur mendërisht mund të besojë një marrëzi të tillë se mund të kalohen pushime në vende luksoze me vetëm 3000 euro, aq sa ka deklaruar Rama se ka në depozitat e tij bankare. Ndaj dhe do të ishte më e logjikshme nëse ILKDP do të hetonte edhe deklarimin e pasurisë së kryebashkiakut Rama, për të hedhur dritë kështu, me një nga shkeljet më të mëdha të ligjit, porsa i takon deklarimit të pasurisë.
Koncesionet, 30 HEC-e në punë e sipër duke u ndërtuar
Lidhur me hidrocentralin e Zhurit, qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës po bëjnë studime për realizimin e projektit dhe mbrojtjen e mjedisit në territorin shqiptar
Ministri i Energjetikës Dritan Prifti deklaroi se po vazhdon puna për ndërtimin e 30 hidrocentraleve, një shifër kjo jashtëzakonisht e madhe, çka tregon edhe interesin e kompanive për të investuar në prodhimin e energjisë elektrike, porsa kohë burimet janë evidente. “Kam një informacion të detajuar me emrat konkret të firmave dhe të hidrocentraleve, me tabelat, për secilin prej tyre. Unë jam shumë i kënaqur sepse janë mbi 30 hidrocentrale të cilët janë në punë e sipër, duke u ndërtuar. Kjo është një shifër e madhe. Disa prej tyre kanë filluar prodhimin dhe deri në fund të këtij viti do të jenë rreth 12 hidrocentrale që do të kenë përfunduar dhe do vihen në punë. Besoj se pjesa tjetër do të vihet në punë gjatë vitit 2011, por janë mbi 30 hidrocentrale për të cilat punohet. Konkretisht, 27 prej tyre kanë dorëzuar projektet e zbatimit në ministri dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për tu miratuar projektet dhe më pas për të vazhduar zbatimi i tyre” - deklaroi ministri Prifti.
Lidhur me hidrocentralin e Zhurit, ministri Prifti tha se Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, po studiojnë çdo mundësi si për vazhdimësinë e projektit ashtu edhe për për të mos dëmtuar rrjedhën drejt territorit shqiptar. “Ne jemi në negociata me qeverinë e Kosovës. është krijuar një grup i përbashkët ndërqeveritar, me përfaqësues të qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës, për të diskutuar në lidhje me vazhdimësinë e projektit të hidrocentralit të Zhurit, i cili do të ndërtohet në Kosovë. E vërteta është që, në qoftë se ai hidrocentral ndërtohet në Kosovë, në pjesën e kufirit të Republikës së Shqipërisë dëmtohen rreth 18 koncesione të dhëna në vazhdimësinë e basenit ujor. Ne sigurisht që do të mbrojmë koncesionet që kemi dhënë, investimet e bëra në kufirin e Republikës së Shqipërisë, por siç e ka deklaruar edhe Kryeministri Berisha disa kohë më parë në një mbledhje qeverie, do të diktojë interesi kombëtar. Të dy qeveritë e të dy vendeve do ta diskutojnë se kush është variant më i mirë për ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit”- tha Prifti.
Në këtë sens ai vuri në dukje se ekziston një variant, i cili lejon një rrjedhje ekologjike, një rrjedhje të caktuar në atë basen ujor, që të mos dëmtohen hidrocentralet që janë në Shqipëri, por edhe që hidrocentrali i Zhurit të ndërtohet me një kapacitet pak më të kufizuar. “Jemi në negociata mes dy qeverive dhe besoj së shpejti mund të kemi ndonjë konkluzion”- deklaroi ndër të tjera, ministri i Energjetikës, Dritan Prifti.
Edhe 8 parqe me erë
Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti deklaron se 7 muajt e parë të këtij viti aplikimet për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike në vend kanë kapur vlerën e më shumë se 690 milionë euro. “Janë realizuar 51 kërkesa për HEC-e të reja dhe 8 për parqe të prodhimit të energjisë me ere”, u shpreh Prifti. Ministri Prifti ftoi kompanitë e interesuara për investime në energjinë e rinovueshme të marrin pjesë në tenderat që do të hapen në ditët në vazhdim për ndërtime Hec-esh apo parqesh me erë.
“Me këtë rast unë dëshiroj t’i bëj një ftesë gjithë kompanive shqiptare dhe kompanive të huaja, që janë të interesuara për të investuar në sektorin energjetik, që të jenë të vëmendshme në tenderat që do të hapen në vazhdim, për të marrë pjesë në to, për të konkurruar në to, për të siguruar hapësira për të investuar në sektorin energjetik. Investimet në energjetikë duket se janë nga më të leverdisshmet sot në Shqipëri, për faktin që energjia e prodhuar garantohet nga qeveria, pra që blerja e energjisë është tashmë e garantuar me ligj nga qeveria me një çmim që është shumë i leverdisshëm, që eliminon në këtë mënyrë dhe riskun e investimit për ato që i financojnë, kryesisht për bankat”- tha ministri Prifti.