Deklaratat e para të të ndaluarit: Aksidenti jo për motive raciale

Pas vrasjes së 35-vjeçarit himarjot, Gjykata e Vlorës lë në burg Ilir Mukën, por nga deklaratat e para, kuptohet se stuhia e deklaratave me sfond etnik ishte ngritur nga qarqe joshqiptare dhe që po sillnin destabilizimin e sezonit turistik në Shqipëri
Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor të Vlorës vendosi të hënën masën e sigurisë "arrest në burg pa afat" për dy nga 7 të rinjtë e përfshirë në aksidentin me pasojë vdekjen e 35-vjeçarit Aristotel Guma, në Himarë, ndërkohë që për 5 të tjerët masat ishin respektivisht "burg me afat" dhe garanci pasurore. Kjo gjykatë dha dje, masën e sigurisë, “arrest me burg” për Ilir Mukën, të riun që aksidentoi Aristotel Gumën tre ditë më parë në Himarë. Masa e sigurisë është dhënë në bazë të pretencës që ka kërkuar Prokuroria, duke e akuzuar Mukën për vrasjen e 35 vjeçarit Guma. Në seancën e vlerësimit dhe të caktimit të masës së sigurisë, gjykatësi Fuat Muka shqyrtoi në tërësi provat që kishte paraqitur organi i akuzës në ngarkim të 7 të pandehurve. Në përfundim, ai vendosi masën e sigurisë "arrest në burg pa afat", për 20 vjeçarin Ilir Muka, i cili u dorëzua një ditë më parë dhe bashkëmoshatarin e tij, Endrit Salata, të cilët akuzohen për veprën penale të vrasjes me dashje. Gjyqtari i çështjes vendosi masën e sigurisë "me burg me afat" për të rinjtë Aleksandër Gjoka, Bledar Meminaj, Andi Kotorri e Juxhin Mustafaraj, të cilët akuzohen për bashkëpunim, si dhe garanci pasurore prej 600 mijë lekësh për të rinjtë Dijon Bushi dhe Fabjon Jahaj, të cilët akuzohen për veprën e dhënies së ndihmës. Ilir Muka, 20 vjeç, u vetëdorëzua dy ditë më parë në policinë e Vlorës, pas fshehjes për tre ditë në një zonë të Himarës. Dje para gjykatës ai i tha se ngjarja e Himarës nuk ishte aspak politike dhe se gjithçka ka ndodhur katër dite më parë nuk është gjë tjetër veçse një aksident. Gjykata dhe prokuroria nuk mori parasysh asnjë rrethanë lehtësuese për të riun, megjithëse ai u vetëdorëzua dy ditë më parë në komisariatin e Policisë së Vlorës. Burime të policisë rrugore nga Drejtoria e qarkut Vlorë pohuan se ngjarja e Himarës është një aksident sikurse dhjetëra aksidente të tjera të ngjashme që ndodhin rrugëve të vendit. Zyrtarisht kjo polici i ka bërë letrat për në prokurori për të pandehurit duke përjashtuar termin aksident automobilistik dhe duke rënduar të pandehurin me akuzën e vrasjes me dashje. Muka është i akuzuari kryesor, ndërkohë që policia ka arrestuar dhe të rinjtë e tjerë që ishin me të natën e ngjarjes. Ata janë Aleksandër Lavdosh Gjokaj, Bledar Engjëll Meminaj, Andi Petrit Kotorri, Juxhin Mentor Mustafaraj, Dijon Gjolek Bushi, Fabjon Fatosh Jahaj dhe Endrit Zeqir Salataj.
...