Reagimi/Pretendimet për histori korruptive, Shalësi të drejtojë gishtin tek Edi Rama
Rrahman Selmanllari hedh poshtë akuzat e Shalsit. “Vision Construction” po investon në zonën prioritare të shpallur nga Bashkia Tiranë
Pas akuzave të deputetit të Partisë Socialiste Eduard Shalsi adresuar ndaj kompanisë “Vision Contruction”, duke pretenduar për histori korruptive, ka ardhur reagimi i aksionerit të saj, Rrahman Selmanllari, i cili ka bërë me dije opinionin publik se kjo kompani po investon në një nga zonat e shpallura nga Bashkia e Tiranës si prioritare.
Ai sqaron se kompania është themeluar për zhvillimin dhe ndërtimin e një prej zonave, në marrëveshje me Bashkinë e kryeqytetit dhe pronarët e tokës.
“Kjo kompani është themeluar dhe regjistruar për zhvillimin dhe ndërtimin e njërës prej zonave të Tiranës në marrëveshje të plotë me pronarët e tokës, të shpallur me vendim të veçantë si zonë prioritare nga Bashkia. Kjo kompani nuk ka asnjë asset, kontratë, qëllim apo veprimtari tjetër përveç asaj të lart përmendur. Vetëkuptohet që i vetmi institucion shtetëror me të cilin kjo kompani ka pasur dhe do të ketë marrëdhënie, është Bashkia e Tiranës e cila e ka shpallur si zonë prioritare për zhvillim tokën me të cilën ne kemi lidhur kontratë me pronarët” - deklaron Selmanllari.
Sipas tij, përveç kompanisë “Vision Construction”, në zonën dhe madje në tokën në fjalë marrëveshje të ngjashme me pronaret kanë nënshkruar dhe kompani dhe individë shumë afër Edi Ramës të cilët ndoshta me influencën e tyre tek i fundit kanë mundësuar shpalljen e saj si zonë prioritare. “Nëse z.Shalsi e shikon këtë sipërmarrje si një histori korruptive, atëherë gishtin duhet ta drejtojë brenda institucionit të Bashkisë dhe tek miqtë e Kryetarit që kanë mundësuar projektin në fjalë”- vijon më tej, në reagimin e tij publik, aksionari i kompanisë Vision Construction, Rrahmna Selmanllari.