Aksidentit në Himarë po i vishen qëllimisht motivet etnike

Sabri Godo komenton zhurmën për incidentin e disa ditëve më parë
Vrasjes se 35 vjeçarit Aristotel Guma po i vishen qëllimisht motive etnike. I këtij mendimi është politikani Sabri Godo i cili sheh te kërcënimet e kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano me mbylljen e sezonit turistik, përpjekjet për aneksimin e Himarës. Madje Godo shkon edhe më tej kur i cilëson tentativë të pastër për cenim territorial deklaratat e Bollanos dhe ato të kryetarit të partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. “Kjo bën pjesë në një lloj strategjie të vjetër që duhet të ishte varrosur me kohë dhe që për çudi mbetet gjallë që të shpallet Himara minoritet dhe të trajtohet si e tillë. Madje shkohet edhe më tej, kërkohet që atje te vijë polici greke. Me fjalë të tjera kërkohet aneksimi i këtij territori. Këtu kemi tentativën direkte për cenimin e territorit”, thotë Godo. Ai thotë se edhe reagimi i Athinës zyrtare dhe sidomos i drejtuesve të opozitës greke është i pavend. “ç’punë ka qeveria apo politika greke me konfliktin ndërmjet dy shtetasve shqiptarë dhe përse duhet të quhet minoritar ky himarjoti? Vetëm për faktin që flet greqisht? Ka shumë njerëz në Shqipëri që flasin greqisht pa qenë minoritar. Ky kryetari i opozitës greke pyet nëse Shqipëria e ka vënë në dijeni Këshillin e Europës për këtë që ndodhi në Himarë, por pala greke a e ka vënë në dijeni Këshillin e Europës se atje kanë shkuar në hell një shqiptar dhe kanë përdorur mjete si të mesjetës?”. Aristotel Guma mbeti i vdekur mbrëmjen e së enjtes kur motori me të cilin e po udhëtonte në Himarë-fshat u godit qëllimisht nga një makine e tipit “Audi” me targa angleze. 20 vjeçari Ilir Muka i vetëdorëzuar në polici akuzohet si autori kryesor, ndërsa 6 të rinj të tjerë përballen me akuzën e përkrahjes në krim. Vrasja e Gumës shkaktoi reagimin e ashpër të komunitetit himarjot dhe për pasojë bllokimin e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë në kulmin e sezonit turistik.
...