E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Prifti “izolohet” në Gjykatën e Lartë, ja batutat e Metës me dëshmitarët

SHKRUAN: Leonard Bakillari 23-07-2011 11:54

Tiranë Përballja e pritur me interes mes dy ish-miqve të dikurshëm, themelues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe Dritan Prifti, me gjasë do të zhvillohet në shtator. Kjo falë rolit të Gjykatës së Lartë, që në momentet e fundit ndryshoi radhën e marrjes së provave, duke shtyrë për një kohë tjetër dëshmitë. Para kthesës së papritur të procesit, gjithçka ishte gati për “përballjen e madhe”. Dritan Prifti, në cilësinë e dëshmitarit mbërriti në Gjykatën e Lartë rreth orës 10:55 minuta, për të dhënë dëshminë e tij mbi video-përgjimin që çoi ish-zv.kryeministrin Ilir Meta në bankën e të akuzuarve. I shoqëruar nga shoferi i tij, Prifti u akomodua në katin e katërt të Gjykatës së Lartë, vetëm pak metra larg sallës së gjyqit, ku Meta u paraqit për herë të parë siç kishte premtuar. Ish-zv.kryeministri Ilir Meta mbërriti në Gjykatë pak minuta pas orës 11:00, i shoqëruar nga dy avokatët mbrojtës dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij, mes të cilëve edhe Spartak Braho, i pranishëm në këtë proces që në nisje të tij. U deshën pak minuta që trupi gjykues të mbërrijë në sallë, edhe pse ishte me një orë vonesë të pajustifikuar. Nën zë u fol se një prej anëtarëve të trupit gjykues kishte pasur disa probleme shëndetësore. Të paktën kjo ishte arsyeja e vetme pse seanca e djeshme nisi me një orë vonesë, pasi gjykata kishte caktuar orën 10:00 të paradites për nisjen e gjyqit. Por kjo nuk ishte vonesa e vetme e seancës që përfundoi rreth orës 13:30. Në një llogari të thjeshtë rezulton se në tri orë e gjysmë proces, gjyqtarët e çështjes nuk kanë qëndruar më shumë se 25 minuta në sallë, pasi pjesa tjetër e kohës u konsumua prej tyre për vendimin mbi kërkesat e palëve. Pauza mes seancës nuk ka kaluar pa debat e batuta mes të pranishmëve, që pjesën më të madhe të kohës e kaluan në hollin e katit të katërt të gjykatës. Ish-deputeti Sparak Braho kërkoi të hyjë në dhomën përballë sallës së gjyqit, ku ndodhej i vetëm dëshmitari Dritan Prifti. Kjo kërkesë është refuzuar me mirësjellje nga një prej rojeve të sigurisë së Gjykatës, i cili i shpjegoi z. Braho se aty qëndronte dëshmitari Prifti dhe nuk mund të lejohej hyrja. “Unë e kam mik atë”- tha Braho, duke shtuar se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar edhe nëse e takonte. Por tentativa përfundoi këtu dhe në dhomën ku qëndronte Prifti, përveç shoferit të tij personal, kishin të drejtë të hynin prokurorët e çështjes, apo edhe një prej hetuesve që asiston në proces. Të thirrur nga gjykata në cilësinë e dëshmitarëve, në nisje të seancës së djeshme u paraqitën edhe katër persona. Njëlloj si të pranishmit e tjerë, as dëshmitarët nuk u lejuan të qëndrojnë në dhomën ku rrinte i vetëm ish-ministri i Ekonomisë. Ky vendim i punonjësve të gjykatës, për të mos lejuar dëshmitarët e tjerë të qëndrojnë në të njëjtin ambient me Dritan Priftin nuk kaloi pa u vënë re dhe pa u komentuar nga ish-zv.kryeministi Ilir Meta. Në pritje të kthimit të togave të zeza në sallën e gjyqit, z. Meta doli në holl dhe pasi pa katër dëshmitarët që qëndronin përreth një tavoline ku ndodheshin vetëm dy karrige pyeti: “Po ju, përse nuk qëndroni në dhomën e dëshmitarëve”? Përgjigjja e tyre tregonte se nuk i kishin lejuar, pasi aty qëndronte Dritan Prifti. E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Metës i cili tha: “Ju rrini ngushtw këtu, ndërsa ai (Prifti) qëndron i vetëm në sallë. Ai u kap edhe me lekë në dorë, duke ndarë 70 mijë euro”. Më pas, Meta u rikthye në sallën e gjyqit për t’u njohur me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës. Në përfundim të procesit, teksa të pranishmit në sallën e gjyqit po dilnin nga ambientet e Gjykatës, ish-ministri Prifti nxitimthi po hynte në gjykatë. Ende nuk dihet nëse dy ish-miqtë e dikurshëm janë shkëmbyer ose jo në shkallët e gjykatës. Nëse ka ndodhur, kjo është parë vetëm nga ata pak njerëz që ndodheshin në ambientet e brendshme të gjykatës, pjesa më e madhe, punonjës të sigurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›