Prokuroria heq dorë nga videoja e Priftit, dëshmitë shtyhen për ekspertët
Tiranë Ndryshe nga sa ishte parashikuar, seanca e djeshme gjyqësore ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta u përqendrua kryesisht te procedura me të cilën gjykata do të vijojë seancat e ardhshme. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Bujar Sheshi, vendosi të heqë dorë nga një prej provave që më së shumti lidhet me një tjetër proces penal, atë ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, dhe ish-zëvendësit të tij Leonard Beqiri. Shkak për këtë tërheqje të provës, sipas prokurorit, është bërë vendimi i mëparshëm i këtij kolegji penal, që shpalli të pavlefshme ekspertizën e hartuar nga eksperti amerikan Glenn Brand. Kjo kërkesë u pranua nga kolegji penal, i cili vendosi të mos e pranojë këtë regjistrim si provë, duke e shpallur atë të pavlefshme, çka do të detyrojë organin e akuzës të rishikojë pozicionin e personave të përfshirë nën hetim pas këtij vendimi. Edhe pse ishin kërkuar katër dëshmitarë, mes të cilëve edhe ish-ministri Dritan Prifti, asnjë prej tyre nuk ia doli të dëshmojë në seancën e djeshme, e cila nisi me një orë vonesë dhe përfundoi rreth orës 13:30 të mesditës së djeshme. Në nisje të seancës gjyqësore, Meta, i cili u paraqit për herë të parë në sallën e gjyqit, pasi dha gjenealitetet, u ul i qetë në vendin e tij, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Teksa relatori i çështjes, gjyqtari Ardian Dvorani, po përgatitej për të vijuar seancën, aty ku ishte ndërprerë herën e shkuar, pra me dëgjimin e dëshmitarëve, avokati Gezim Veleshnja kërkoi fjalën për të bërë disa kërkesa. Sipas avokatit, ky proces gjyqësor ka patur një impakt jo të vogël në politikën e vendit dhe për të shmangur zvarritjen kërkohet thirrja e ekspertëve që do të kryejnë ekspertimin e videos Meta-Prifti. Avokati tha se ekspertët duhet të bëjnë betimin dhe të marrin detyrën për të kryer ekspertimin, ndërkohë që gjykata të vijojë me pyetjen e dëshmitarëve. Gjithashtu, në kërkesën që iu depozitua gjykatës, avokati Vleshnja kërkoi vënien në dispozicion të mbrojtjes të CD-së me regjistrimin e fshehtë mes shtetasve Dritan Prifti dhe Leonard Beqiraj, për të cilën një seancë më parë gjykata ishte shprehur se do ta administronte si provë në këtë proces gjyqësor. “Në kuadër të realizimit të një mbrojtjeje sa më efektive, i kërkojmë trupit gjykues që sa më parë të jetë e mundur të na vërë në dispozicion kopje të kasetës filmike të bërë në mënyrë të fshehtë nga dëshmitari Dritan Prifti, kur ai komunikon me shtetasin Leonard Beqiraj. Njohja jonë me këtë kasetë dhe transkriptin e bërë u vendos në seancën e datës 11.07.2011”- tha në nisje të seancës avokati Gëzim Veleshnja. Më pas e mori fjalën prokurori Bujar Sheshi, i cili i kërkoi Kolegjit Penal të revokonte vendimin e ndërmjetëm të datës 11 korrik 2011 për administrimin si provë në këtë proces të regjistrimit Prifti-Beqiraj, që po hetohet në kuadër të procedimit nr.2 nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas prokurorit, kjo gjykatë ka vendosur të shpallë të pavlefshëm akt-ekspertimin e kryer nga eksperti amerikan Glenn Brand, rrjedhojë e të cilit është edhe kjo video. Për këtë arsye, përfaqësuesi i akuzës kërkoi të mos pranohet kërkesa e avokatëve mbrojtës. Kolegji penal u tërhoq për vendim rreth kërkesave të palëve në orën 11:30 të paradites së djeshme, për t’u kthyer në sallën e gjyqit rreth orës 13:20, pra pas dy orësh. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykata pranoi kërkesën e prokurorit për të mos marrë si provë videon Prifti-Beqiri në këtë proces, me argumentin se ajo është e pavlefshme, pas shfuqizimit të akt-ekspertimit të ekspertit amerikan. Më tej, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për thirrjen e ekspertëve, të cilët do të paraqiten në Gjykatën e Lartë të hënën e javës së ardhme për të marrë detyrën, duke vendosur kështu ndryshimin e radhës në marrjen e provave të prokurorisë. Ky vendim nuk bëri të mundur dëshminë e Dritan Priftit dhe katër dëshmitarëve të tjerë, pasi seanca e djeshme u shty për në datën 25 korrik, kur do të kryejnë betimin ekspertët që do të ekspertojnë videon Meta-Prifti.
Meta: Prokuroria ka marrë
peng Priftin me të tjera video
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ngre pikëpyetje për tërheqjen e videos Prifti-Beqiraj nga përfaqësuesi i akuzës dhe e cilëson procesin politik
Kreu i LSI-së, njëkohësisht i pandehur në gjyqin për videon e Priftit, fill pas seancës së djeshme gjyqësore, ka akuzuar prokurorinë se po mban peng dëshmitarin e vetëm të kësaj çështjeje me të tjera video. “Ka disa filmime të tjera, por ka bërë një marrëveshje me prokurorinë, sipas edhe deponimeve që ka bërë. I vetmi filmim origjinal që ekziston në atë çka ka administruar deri tani prokuroria dhe gjykata është kjo e Priftit. Tani prokuroria e tërheq. Nuk është interesi i saj të tërheqë provat, sepse interesi i prokurorisë është të shtojë provat apo të përforcojë provat e saj. Kjo tregon qartë që kemi një marrëdhënie pengmarrje midis prokurorisë dhe përgjuesit tim, i cili është i pandehur për probleme të tjera’, - deklaroi dje Meta. Kreu i LSI-së është përqendruar dje në tërheqjen e prokurorisë ndaj filmimit të gjetur rastësisht nga ekspertët në lap-topin e ish- ministrit Prifti, filmim ku protagonist është vetë ai dhe ish- zëvendësministri Leonard Beqiri e ku në sfond duken shuma të mëdha eurosh. Meta e ka quajtur tërheqjen e prokurorisë nga ky filmim si një provë të faktit se ajo po bën një lojë politike në këtë proces. “Kam një pyetje për të gjithë ju dhe të gjithë ata që na ndjekin. Si mund të tërhiqet prokuroria nga një provë që e ka sjellë vetë? Normalisht interesi i prokurorisë është të shtojë provat në çdo proces dhe jo të tërhiqet. Atëherë si shpjegohet që të tërhiqet prokuroria nga një provë që e ka sjellë dhe nga një provë për të cilën përgjuesi im ka deklaruar në Komisionin Parlamentar, kur iu hoq imuniteti, se “unë kam filmuar veten duke marrë rreth 70 mijë euro pikërisht për të provuar fajësinë e Ilir Metës dhe presionet që Ilir Meta më bënte mua”, - tha Meta pas seancës së djeshme.