Dritan Prifti riblen aksionet e “Fortis 2”, për 2.4 miliardë lekë
Tiranë- Aksionet që sollën 1.8 milionë euro të ardhura për familjen e ish-ministrit Dritan Prifti, nga fillimi i këtij viti janë rikthyer sërish në zotërimin e bashkëshortes së tij. Akuzave për transaksione të dyshimta, ish-ministri Prifti iu përgjigj publikisht verën e shkuar, se të ardhurat e deklaruara në pasurinë e tij, janë siguruar nga shitja e 30.5 për qind të aksioneve që bashkëshortja e tij zotëronte në kompaninë “Fortis 2”. Por tashmë, kur këto akuza janë harruar e vëmendja është përqendruar në video-përgjimin, mes tij dhe ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, bashkëshortja e Priftit ka rimarrë aksionet e shitura në dhjetor të vitit 2009. Transaksioni financiar, por edhe rifutja si aksionere e bashkëshortes së ish-ministrit në kompaninë e ndërtimit dhe prodhimit të tullave është pasqyruar edhe në Regjistrin e Biznesit, ku zyrtarisht, Meri Prifti është aksionere e kompanisë “Fortis 2”, me 30.5 për qind të aksioneve. Vendimi për riblerjen e aksioneve është marrë nga katër aksionerët e kompanisë, më 25 janar të këtij viti, duke zgjidhur kështu kontratën e mëparshme, mes Meri Priftit dhe blerësit të aksioneve, Rasim Hamzarajt. Vendimi i ortakëve të kompanisë është depozituar edhe në qendrën e Regjistrimit të Biznesit, ku zyrtarisht thuhet se prej 25 janarit, bashkëshortja e ish-ministrit Dritan Prifti është sërish aksionere në kompaninë “Fortis 2”. Sipas QKR-së, bëhet me dije se në datën 1 shkurt, ortakët e shoqërisë kanë depozituar vendimin që zgjidh kontratën e shitjes së aksioneve, në dhjetor të vitit 2009. “Depozitim i vendimit datë 25 janar 2011 të ortakëve të shoqërisë dhe akt-marrëveshjes Nr. 82 Rep. Nr. 24/2 Kol. për zgjidhjen e kontratës për transferimin e kuotave të kapitalit, nëpërmjet shitjes nr. 8218 Rep. nr. 1092 Kol. datë 14.12.2009” - thuhet në faqen zyrtare të QKR-së. Nga verifikimet e kryera rezulton se kontrata me numër 8218 Rep. nr. 1092 Kol është pikërisht kontrata e shitjes së 30. 5 për qind të aksioneve të kompanisë “Fortis 2”, nga Meri Prifti te Rasim Hamzaraj, për një vlerë mbi 2 miliardë lekë. Por rikthimi i bashkëshortes së ish-ministrit, si aksionere në shoqërinë me qendër në periferi të qytetit të Fierit, vetëm sa është pasqyruar si veprim në QKR. Në vendim thuhet se është hartuar edhe një akt-marrëveshje me nr. 82 Rep. nr. 24/2 Kol. që mban datë 25 janar 2011, përmbajtja e të cilës nuk dihet, por fakti që është pranuar nga QKR do të thotë se ka si objekt zgjidhjen e kontratës për shitjen e aksioneve dhe rikthimin e znj. Prifti, si aksionere në kompaninë me aktivitet në fushën e ndërtimit dhe prodhimit të materialeve të ndërtimit. Sipas regjistrit të biznesit, rezulton se Meri Prifti është zyrtarisht aksionere në këtë kompani, madje ka edhe një kontribut në para, në vlerën e 241 milionë 868 mijë e 522 lekë. Kjo shifër, e deklaruar në regjistrim e bizneseve, si kontribut për 30.5 për qind të aksioneve, nuk përputhet me vlerën që këto aksione janë shitur në dhjetor të vitit 2009. Sipas kontratës së shitjes, që mban datën 14 dhjetor 2009, vlera e shitjes së 30.5 për qind të aksioneve, është 242 milionë 707 mijë e 907 lekë, pra rreth 10 milionë lekë më shumë. Sipas të dhënave zyrtare që ofron QKR, nuk dihet nëse paratë e shitjes së aksioneve i janë kthyer ose jo blerësit të tyre pas zgjidhjes së kontratës, por konfirmohet fakti se aksionerja e re ka kontribute në para, që tejkalojnë vlerën e 241 milionë lekëve.