Pasuria e Priftit, akuzat dhe hetimi i ILDKP
Tiranë- Të ardhurat e deklaruara nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, për muaj me radhë u bën objekt debati e akuzash për transaksione të dyshimta, me prapavijë korruptive nga posti i ministrit. Menjëherë pas publikimit të deklaratës së pasurisë, opozita nisi sulmet e akuzat ndaj ish-ministrit, duke e akuzuar atë për pasuri të vënë në mënyrë të paligjshme. Kjo fushatë vazhdoi për muaj me radhë, ndërsa Prifti, në deklaratat publike tha se pasuria e familjes së tij ka si burim biznesin e bashkëshortes. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ish-ministri sqaroi, madje në mënyrë të detajuar, burimin e të ardhurave dhe mënyrën se si janë siguruar paratë. Në daljet e tij publike, Prifti tha se shuma e parave në deklaratën e pasurisë ka ardhur nga shitja e aksioneve që bashkëshortja e tij zotëronte në kompaninë “Fortis 2”. Sipas tij, këto aksione kapin vlerën e 1.8 milionë eurove dhe shitja e tyre është kryer para se ai të marrë postin e ministrit të Ekonomisë, për të shmangur konfliktin e interesit. Sqarimi i kësaj çështje përfshiu edhe Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, që kaloi në kontroll të plotë pasurinë e deklaruar nga ish-ministri Dritan Prifti. Në përfundim të hetimit administrativ, ILDKP tha se: “janë krijuar dyshime se nga ana e personit të lidhur me Dritan Priftin, pra nga bashkëshortja Meri Prifti, janë kryer veprime të kundërligjshme në mënyrën e krijimit të pasurive, në rastin e rritjes së përqindjes së aksioneve në “FORTIS 2” sh.p.k”. Sipas ILDKP-së, kjo pasuri është shtuar pa dhënë asnjë kontribut real në vlerë apo në natyrë, përveç kapitalit fillestar; si edhe në realizimin e kontratës së shit-blerjes së aksioneve në këtë shoqëri, në vlerën 242 milionë e 704 mijë e 970 lekëve. Kjo mënyrë përfitimi, sipas verifikimeve, është në kundërshtim me ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Asokohe, ILDKP gjobiti me 300.000 lekë Dritan Priftin, për shkak të konfliktit të interesit, pasi gjatë kohës që mbante detyrën e ministrit ka emëruar Rasim Hamzarajn, si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës së OST-së, edhe pse ai konsiderohej person i besuar sipas ILDKP-së, pasi Hamzaraj kishte në administrim kapitalet e bashkëshortes ish-ministrit Prifti, pak ditë para emërimit të tij si ministër.