E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritat, në rrezik Shqipëri-Moldavi

Altin Manallari

FSHF - Eduard Prodani shpjegon situatën duke thënë se për shkak të detyrimeve të stadiumit, është mësuar se nuk do të ketë furnizim me drita në kohën që ishte caktuar ndeshja

Thirrja - Është për të ardhur keq që një shoqëri e regjistruar në Shqipëri dhe që përfaqëson interesat e shtetit, të tregohet kaq pak e ndjeshme ndaj kombëtares së këtij vendi

Rreziku - Nuk është aspak serioze ndaj miqve moldavë apo FIFA-s, që ti komunikojmë se do të ndryshojë orarin e ndeshjes, pasi nuk kemi energji elektrike. Edhe mund të mos luhet

FSHF konfirmon: Ende i pazgjidhur konflikti me CEZ. Mund të mos luhet!

E djeshmja në ambientet e FSHF-së duhej të ishte dita, kur do të flitej vetëm për futboll, por në fakt nuk ka qenë aspak kështu. Kur pak më shumë se 24 orë na ndajnë nga ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Moldavisë, e parashikuar për tu luajtur në stadiumin Qemal Stafa nën dritën e prozhektorëve, institucioni më i lartë i futbollit në vend ka konfirmuar problemet që ka me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Eduard Prodani, shpjegon situatën duke thënë se për shkak të detyrimeve të stadiumit, është mësuar se nuk do të ketë furnizim me drita në kohën që ishte caktuar ndeshja. CEZ-i ka vendosur tia ndërpresë furnizimin me energji stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, për arsye debie disamujore. Ndërkohë, që Qendra Sportive sh.a e cila ka krijuar këtë debi prej 756,934.36 lekësh bashkë me kamatën, duket të mos përgjigjet më për stadiumin kombëtar, duke qenë që prej më shumë se një viti ka filluar procedura e kalimit të këtij aseti nga Qendra Sportive sh.a në shoqatën “Kuqezi” të krijuar nga federata. Federata thotë se ka propozuar negociata, por nuk ka pasur sukses. Është për të ardhur keq që një shoqëri e regjistruar në Shqipëri dhe që përfaqëson interesat e shtetit, të tregohet kaq pak e ndjeshme ndaj kombëtares së këtij vendi, deklaroi Eduard Prodani, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së. Nuk është aspak serioze ndaj miqve moldavë apo vetë FIFA-s, që ti komunikojmë se do të ndryshojë orarin e ndeshjes, pasi nuk kemi energji elektrike. Edhe mund të mos luhet, duhen thënë të gjitha alternativat. Në fakt, problemi ekziston prej kohësh dhe palët janë vënë në dijeni të tij, por nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët. Ndaj të bën përshtypje fakti pse ende FSHF nuk ka marrë masat për një plan B, i cili nuk do të vinte në rrezik miqësoren. Në një situatë aspak komode është ndier edhe trajneri i kombëtares, Xhani De Biazi, i cili pasi ka mësuar për një konflikt të tillë (absurd për të), ka theksuar se është e vështirë të flasë për ndeshjen. Shqetësimi i tij duket i madh. Uroj që gjendja e krijuar të zgjidhet sa më shpejt, sepse kombëtarja është pronë e gjithë Shqipërisë, është një reklamë shumë e rëndësishme. Sa për takimin, është i rëndësishëm dhe shpresoj ta luajmë mirë. Do të përpiqemi të përgatitemi siç duhet dhe pse kemi pak kohë në dispozicion. Pas 3 javësh nisin eliminatoret e Botërorit, ndaj duhet të jemi gati. Kam një grup prej 30-40 lojtarësh nga të cilët duhet të zgjedh. I kam idetë e mia në kokë dhe pres përgjigjet nga futbollistët, ka thënë trajneri italian i Shqipërisë. De Biazi theksoi se po përpiqet bashkë me federatën të zgjerojë bazën e lojtarëve me emra të tjerë dhe se për këtë do të bëhet gjithçka brenda mundësive. Fjala është për lojtarë si Basha apo Meha, të cilët ende nuk janë pjesë e kombëtares.

Xhani De Biazi

Uroj që gjendja e krijuar të zgjidhet sa më shpejt, sepse kombëtarja është pronë e gjithë Shqipërisë, është një reklamë shumë e rëndësishme. Sa për takimin, është i rëndësishëm dhe shpresoj ta luajmë mirë.

Dritat, në rrezik Shqipëri-Moldavi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›