E Diel, 1 Nëntor 2026

Londer 2012 ceremonia e mbylljes spektakolare

Në thelb të gjithçkaje është një ide dhe kjo vjen natyrshëm si rrjedhë e një filozofie. Kokat e artit dhe spektaklit britanik e kishin shumë mirë të kristalizuar në kokë se çfarë do të bënin në ceremoninë e mbylljes në “Londër 2012”, pavarësisht nëse buxheti mund të ishte 20 milionë stërlina, më shumë ose më pak.
Aktori Timoti Spal luajti rolin e Uinston Çërçillit, kryeministrit të kohës së Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar kërkesën e tij për rregull.
Princ Harri dhe Zhak Rog, i pari përfaqësues i familjes mbretërore vendase dhe i dyti kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), hynë në stadium, ndërsa jehonte kënga “Shtëpia Jonë”, veçse jo e kënduar nga Vaçe Zela, por nga grupi Madnes.
Flamurmbajtësit hyjnë në arenë, në parakalimin e fundit londinez, ndërsa mijëra atletë pjesëmarrës në Lojëra ecën krah njëri-tjetrit, të përzier si një familje e madhe globale, traditë që vazhdon që prej vitit 1956. Ndërsa ata ecin, spektakli vazhdon.
Një ndërhyrje nga jashtë vjen nga i madhi dhe i ndjeri Xhon Lenon, që shfaqet në një ekra gjigand me këngën e tij simbol “Imagine”, në shoqërinë e fëmijëve. Më pas, ai shkëmoqet e ikën pasi lë mesazhin e tij.
Stadiumi është si një qytet i madh dhe aty janë grupet e shquar muzikorë britanikë të cilët japin shfaqje njëri pas tjetrit, apo edhe së bashku, ndërsa në këtë qytet, banorët më autoktonë janë vetë sportistët.
Ja britaniku me origjinë afrikane, Mohamed Farah që fitoi dy medalje të arta olimpike, bashkë me të edhe Kirani Xhejms, medalist i artë nga Granada.
Më tej vjen radha e njerëzve me kostume zyrtarë. Kryebashkiaku i Londrës Boris Xhonson është në skenë bashkë me kreun e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Zhak Rog dhe me kryebashkiakun e Rio de Zhaneiros Eduardo Paes.
Kjo, sepse stafeta do të kalojë nga Londra e 2012-ës tek Rio e 2016-të. Paes merr flamurin të cilin do të përpiqet ta respektojë pas 4 vjetësh. Në grupin e brazilianëve është edhe i shquari Pele.
Lordi Kou, kreu i komitetit organizator të lojrave në Londër, tha pak fjalë përmbyllëse: “Kam thënë se kjo Olimpiadë do të ishte maksimumi ynë. Tani, në ditën e fundit mund të them se kur erdhi dita jonë, ne nuk zhgënjyem”.
Fjalët e fundit janë të Zhak Rogut. “Unë i deklaroj të mbyllura Lojërat e Olimpiadës së 30-të dhe e ftoj rininë e gjithë botës të mblidhet pas 4 vjetësh në Rio de Zhaneiro, për të festuar në lojrat e Olimpiadës së 31-të”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›