E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë e duan Shaqirin

Xherdan Shaqiri është bërë i dashur për shokët e skuadrës dhe tifozët e Bayern Munichut. Futbollisti kosovar luajti në fund të ndeshjes, në fitoren 2:1 ndaj Borussia Dortmundit, e vlefshme për Superkupën e Gjermanisë.

Dhe, pas ndeshjes përfaqësuesi zviceran ishte në qendër të vëmendjes nga kamerat, duke ngacmuar shokët e skuadrës dhe duke ‘lozur’ me ta. Pa dyshim, ai qëndroi më së afërmi me francezin Franck Ribery. “Me Riberyn kalojmë shumë kohë bashkë. Zbavitemi shumë me të”, ka thënë 20 vjeçari për magazinën zvicerane Blick.

Përpos Riberyt, Shaqiri e ka përmendur edhe përforcimin tjetër të Bayernit, Mario Mandzukic, me të cilin është shoqëruar shumë. Shaqiri e ka kujtuar edhe jetën e re dhe emocionuese në Munich, ku po kalon momentet më të mira të jetës. “Është ndjenjë e bukur kur bëhesh i dashur për tifozët, por më duhet të punoj shumë”, ka shtuar ai.

Futbollistin gjilanas ditë më parë e kishte lavdëruar edhe trajneri Jupp Heynckes, për të cilin kishte thënë se është një talent i shkëlqyeshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›