Dritëhijet e dialogut të kodrës së gurtë në Meksiko
Dialogu i mbajtur midis “Lëvizjes për Paqe me Drejtësi e Dinjitet” dhe presidentit Felipe Kalderon në kodrën e “Chapultepec”-ut ka qenë i ngjeshur dhe me tone të ashpra. Mediat dhe gazetarët e afërt me qeverinë federale e pasqyruan këtë takim si shenjë të aftësisë së Felipe Calderón-it për t’u vënë veshin shqetësimeve të kundërshtarëve të tij të linjës së ashpër. Nga ana tjetër, pjesë të rëndësishme të së majtës në vend dhe bota intelektuale meksikane kërkojnë ta qëmtojnë më tej këtë takim. Bëhet fjalë për një çështje të koklavitur. Nuk është thjesht çështje parimore, se sa një matje e ndërthurje e forcave përkatëse. Që kërleshjet ndërmjet palëve të mos dalin jashtë kontrolli, është e nevojshme të bisedohet me qeverinë. E për më tepër, një “Lëvizje” që kërkon drejtësi, shpagim të dëmeve dhe përshtatje të politikave, e ka më se të domosdoshme gjuhën e dialogut. Brenda radhëve të “Lëvizjes” ka edhe nga ata që janë kritikë ndaj zhvillimit të dialogut, duke u shprehur se Felipe Kalderoni është një i president i pavlerë dhe që i mungon legjitimiteti. Duke reaguar në mënyrë të tillë, çështja merr një udhë ideologjike pa shtegdalje. Sigurisht që Felipe Calderon-it i mungon legjitimiteti. Madje, pikërisht mungesa e një legjitimiteti të tillë ka bërë që ai të rrokë flamurin e luftës kundër trafikut të drogës. E megjithatë, të dialogosh apo jo, kjo nuk lidhet edhe aq me legjitimitetin, se sa me peshën specifike. “Lëvizja” ka synuar të bashkëbisedojë me gjithkënd që ia rrek mendja se u jep udhë problemeve të tyre. Edhe për familjarët e viktimave që kërkojnë drejtësi është e nevojshme të mblidhen e të kërkojnë njëzëri vendosjen e drejtësisë dhe ndryshimin e politikës që shkaktoi këto viktima. “Lëvizja për Paqe” ia doli mbanë që presidenti i Republikës të bisedonte me palët e tjera për të dhënë mbështetjen për mbajtjen e një dialogu publik. Një grup i familjarëve të viktimave që njihen si kritikë të ashpër të politikës së tij, i bënë të njëjtat pyetje që presidenti i vendit u ishte përgjigjur para gazetarëve. Bëhet fjalë për një ngjarje të pazakontë në vend. Është e tepërt si për traditën autoritare të institucioneve meksikane, ashtu edhe për klimën e konfliktit në të cilën gjendemi. Deri më tani, familjarët e viktimave nuk kanë pasur mundësinë të bashkëbisedojnë me presidentin. Kur në shkurt të vitit 2010 María de la Luz Dávila iu shpreh me këto fjalë presidentit në Ciudad Juárez: “Më ndjeni zotëri president, nuk mund t’ju uroj mirëseardhjen se nuk ka vend për mirëseardhje”, duhej kuptuar se lufta ishte e pranishme dhe kundër-rrymat ishin mjaft të fuqishme. Familjarët e viktimave që morën fjalën në takim nuk u shprehën aspak për të rritur peshën e figurës presidenciale, por për të thënë të vërtetën e për të kërkuar drejtësi. Nuk lëshuan aspak pe. Ishin aktorët kryesorë të dialogut dhe jo bashkëshoqërues të presidentit. Madje u shprehën edhe me fjalë që vështirë t’i mbajë kandari. Salvador Campanur Sánchez, përfaqësuesi i indigjenëve, e bëri me dije: “Ndaj nesh mësyjnë autoritetet shtetërore që shpërfillin të drejtën tonë për mëvetësi dhe liri të vendim-marrjes, inkriminojnë luftën tonë të drejtë, të grabisin pasuritë tona dhe vënë në zbatim politika skajshëm nacionaliste për të na shpërngulur”. Padyshim që edhe vetë presidenti meksikan Felipe Calderón doli më i fuqizuar nga ky takim. Ai i doli në mbrojtje strategjisë së luftës. Nuk lëvizi as edhe një hap nga pozicioni i tij paraprak. Ridëshmoi atë çka kishte thënë më 5 maj: “Zotërojmë të drejtën, ligjin dhe forcën”. Ai përdori edhe mediat për të shtuar pikët e tij. Madje doli edhe në fotografi me kritikët e tij. Për të gjithë ata që e shquajnë presidencën e tij si të pavlerë, takimi që një dështim i plotë, madje edhe një shenjë tradhtie. Për ta, pika kryesore nuk është shpagimi i viktimave, as individët që morën fjalën në takim, as dinjiteti i kauzës së tyre, as edhe që para opinionit publik kanë lënë vend të dyshohet se i kanë dalë në krah kriminelëve për t?u shndërruar në viktima legjitime. Jo. Aspak. Për ta, sipas logjikës së tyre, kishte rëndësi fakti se përmes këtij takimi u legjitimua presidenti i vendit. Sigurisht që është me mjaft rëndësi ta këqyrësh dialogun edhe nga pikëvështrime të tjera. “Lëvizja për Paqe” është në thelb një grupim i viktimave që kërkojnë drejtësi përmes një programi që përfshin të gjithë klasën politike në vend ,dhe jo vetëm presidentin. “Lëvizja” nuk vendosi në qendër të trajtesës ligjshmërinë apo paligjshmërinë e figurës së presidentit. Kjo nuk është një “Lëvizje” që e lidhin interesat me zgjedhjet e vitit 2012, madje as nuk ka si zanafillë zgjedhjet e parregullta të vitit 2006. Është diçka krejt ndryshe, ka tjetër zanafillë, tjetër horizont dhe një ligjërim krejt të veçantë. Të kërkosh prej saj të sillet si një opozitë tradicionale, do të thotë të heqësh dorë nga kuptimi i natyrës dhe logjikës së saj. Pavarësisht emërtesës, “Lëvizja për Paqe me Drejtësi dhe Dinjitet” nuk është thjesht një lëvizje, por një shpalosje e frymës së përbashkët të solidaritetit përqark poetit Javier Sicilia. Nuk është as edhe një organizëm i përhershëm, por një gjendje shpirtërore. Ajo është mishërimi i sëmbimit dhe kumtit të poetit që ka ngjizur emocionet e të gjithëve dhe ka ngjallur shpresën e mijëra qytetarëve të gjendur në makth prej pasigurisë publike, dhunës e militarizimit të vendit. Sidoqoftë, dialogu shpalosi një nivel të lartë të pranisë politike. Qysh prej tre muajsh, asnjë forcë politike apo sociale në vend nuk ia kishte dalë mbanë të nxirrte në pah gjendjen mjerane në të cilën ndodheshin viktimat e luftës kundër shpërndarësve të drogës. Kumti që lëshoi Javier Sicila qe një kthesë e fortë e situatës. Diçka që e majta meksikane as nuk e kërkoi, as nuk diti dhe as nuk mundi të përkapte diç të tillë që u jetësua nga poeti dhe ekipi i tij. Duke folur me një gjuhë sa me thelb fetar që përkon me besimin katolik, po aq edhe me tone të paqëta, e duke shkuar deri tek trajtimi në detaje i çështjes së viktimave, poeti ia arriti të tubonte pakënaqësitë sociale kundër militarizmit të vendit. Ky lloj tubimi përfshin të gjitha ngjyresat e aktorëve politikë e socialë në vend që vuajnë pasojat e një ngërçi politik të shkaktuar nga politikat e përçarjes. Madje edhe pjesë të kishës katolike në vend që vuajnë - pa qenë vetë shkaktarë - pasojat e veprimeve mizore të kryera nga krerët e saj të lartë. Në të vërtetë, “Lëvizja” ka hapur një të shteg për të gjithë aktorët e papërfshirë që tashmë kanë nisur të përqasen ashtu ngadalë. Për të vlerësuar dialogun e zhvilluar në Chapultepec është e nevojshme të rikujtohet kundërshtia e shprehur prej Mefistofelit te “Fausti” i Gëtes: “Teoria është e griztë, ndërsa e gjelbër është pema e artë e jetës”. Përmes dritëhijeve të këtij takimi të mundësohet të shquash një të dhënë me shume vlerë: viktimat janë shndërruar në moton e ndryshimit. Kjo është dukuria më e vyer për të ardhmen e vendit dhe demokratizimin e tij krahasuar me pikët që i ka shtuar vetes presidenti meksikan Felipe Kalderon, qoftë edhe për një periudhë afatshkurtër.
...