Regjistrimi i të drejtave të pronësisë, prioritet madhor i ZRPP-së

Për Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, regjistrimi i të drejtave të pronësisë dhe shërbimi ndaj qytetarit, kanë qenë prioritetet kryesore, jo vetëm në kuadrin e përmbushjes së objektivave të Qeverisë, por edhe në kuadrin e plotësimit të kritereve e kushteve që rrjedhin nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit. Këto prioritete kanë gjetur mbështetje dhe ndihmë të madhe edhe nga donatorët ndërkombëtarë. Falë kësaj ndihme dhe bashkëpunimi të USAID-it, BE-së, OSBE-së dhe BB-së, ZRPP-ja po realizon një program të rëndësishëm edhe për regjistrimin e të drejtave mbi pasuritë, i njohur ndryshe si Regjistrimi Fillestar.
USAID-i, BE-ja, OSBE-ja dhe BB-ja, nëpërmjet projekteve të tyre, në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare, kanë dhënë kontribut të madh disavjeçar në hedhjen e themeleve të Sistemit të Ri të Regjistrimit dhe në Regjistrimin Fillestar të shumë zonave kadastrale.
Si rezultat i këtij sistemi, Shqipëria ka hyrë në fazën e reformës në administrimin e pasurive të paluajtshme dhe në këtë kuadër, ka një progres në transferimin e pronësisë.
Ndërtimi i Sistemit të Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si pjesë e këtij programi në Shqipëri, duke u mbështetur edhe nga baza ligjore, e hartuar për këtë qëllim, ka pasur dhe ka si objektivë konkretë për Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, realizimin brenda muajit maj të vitit 2013 të Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme.
Në përmbushje të këtij prioriteti, si rezultat i punës disavjeçare për ndërtimin e një Sistemi të Ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, është kryer një punë e madhe voluminoze, për sa i përket procedurës së Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme. Në këtë kontekst, nga 3057 Zona Kadastrale, është kryer Regjistrimi Fillestar në 2550 Zona Kadastrale. Të ndara këto Zona Kadastrale, në të cilat ka përfunduar regjistrimi Fillestar, në Rurale dhe Urbane, ky Regjistrim Fillestar ka përfunduar në 2508 Zona Kadastrale, Rurale, (nga 2920 gjithsej) dhe në 42 Zona Kadastrale, Urbane, (nga 137 gjithsej).
Pas nënshkrimit nga ana e qeverisë shqiptare me Bankën Botërore, të Projektit të Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës, procesi është duke vazhduar edhe në Zonat Kadastrale, të shtrira në territore gjeografike ku tregu është më i madh, sikurse janë qendrat Urbane, apo Bregdeti. Në kuadër të këtij Projekti aktualisht është duke u implementuar procesi i Regjistrimit Fillestar në 71 Zona Kadastrale Urbane ku përfshihen rreth 320 mijë pasuri të paluajtshme. I njëjti projekt, parashikon të realizojë edhe Regjistrimin Fillestar për rreth 130 mijë pasuri të tjera të paluajtshme, të shtrira në 73 Zona Kadastrale të tjera, me objektiv parësor përfundimin e Regjistrimit Fillestar në zonat Urbane.
Për arritjen e objektivit madhor për përfundimin e Regjistrimit Fillestar, një kontribut shumë të madh dhe të rëndësishëm, po jep edhe OSBE, e cila falë financimit të BE, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mundësojnë që procesi i Regjistrimit Fillestar, të gjejë zbatim edhe në Zonat Kadastrale të Bregdetit të jugut të vendit. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është plotësisht e angazhuar të japë kontributin e saj në këtë proces, si pjesë edhe e Projektit të OSBE dhe BE, për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme, edhe në Zonat Kadastrale Bregdetare.
Ky projekt i Regjistrimit Fillestar përfshin, rreth 58 000 pasuri të paluajtshme, të shtrira në 25 Zona Kadastrale në pjesën e Bregdetit shqiptar. Ai është me rëndësi të veçantë si për regjistrimin e të drejtave reale të pronarëve në këtë zonë ashtu dhe për rëndësinë strategjike që ka Bregdeti shqiptar në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.
Shkurtimi i afateve të dhënies së shërbimit dhe kompjuterizimi i Sistemit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, janë të tjera objektiva të ZRPP-së. Procesi i kompjuterizimit, është në fazën e zhvillimit.
Aktualisht në funksion të përmirësimit dhe shkurtimit të kohës së shërbimit, po punohet në dy drejtime të rëndësishme, të cilat janë pjesë përbërëse të kompjuterizimit të sistemit. Këto dy drejtime janë:
1. - Dizenjimi, Zhvillimi dhe Zbatimi i sistemit të kompjuterizuar. Faza e Dizenjimit, ka përfunduar, ndërsa është në proces faza e Zhvillimit të Sistemit. Zhvillimi i sistemit të kompjuterizuar do të marrë në konsideratë aplikimin e standardeve dhe parimeve te njohura të direktivës evropiane INSPIRE, për të cilën së shpejti fillon zbatimi i një projekti rajonal për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili financohet nga BE.
2. - Dixhitalizimin, i cili kalon në disa etapa, si Konvertimi i të dhënave dhe Skanimi i të tyre. Deri tani, ka përfunduar procesi i Konvertimit të të dhënave dixhitale te regjistrimit fillestar në 1700 zona. Gjithashtu, ka përfunduar skanimi dhe indeksimi i arkivave të ZVRPP-ve Tiranë dhe Durrës. Po kështu, janë siguruar pajisjet dhe programet me të cilat këto arkiva dixhitale po mbahen të përditësuara në mënyrë të vazhdueshme.
Pjesë e rëndësishme e Përmirësimit të dhënies së shërbimit të ZRPP-së është edhe kryerja e procesit të përmirësimit dhe përditësimit të të dhënave bazuar mbi raportin e analizës për gjendjen e të dhënave të përgatitur nga ZQRPP-ja.
* Fjala e Kryeregjistruesit të Republikës në prezantimin e projektit “Regjistrimi i pronave dhe sinjalistika e re rrugore në bregdetin jugor të Shqipërisë”