Përballja me qeverinë e madhe
Kongresistë të shquar të SHBA-së janë të vendosur që të dalin në mejdan me administratën Obama rreth limitit të borxhit të Qeverisë federale. Zakonisht, secili do të priste që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të lëshonin pe në këtë fazë negociatash, mirëpo ekziston një pakicë radikale që në të vërtetë mendon se mosshlyerja e borxhit nga qeveria nuk do të ishte gjë e keqe. Këta përfaqësues – me të cilët kam biseduar gjatë tri seancave të kohëmëparshme të Kongresit – janë të bindur se Qeveria federale amerikane bën pjesë aq të madhe në ekonomi dhe se duhen masa drastike për ta futur nën kontroll. Varësisht nga vlerësimi i juaj rreth fuqisë që kanë radikalët në Capitol Hill, një mosshlyerje e pjesshme e borxhit nuk duket të jetë aq e pakapshme, siç ishte në të kaluarën. Po ashtu, paralajmërimet e kohëmëparshme të agjencive të kreditimit pasqyrojnë këtë rrezik të rritur.
Megjithatë, pasojat e mospagesës, në mënyrë ironike, vetëm sa do ta rrisnin pjesëmarrjen e qeverisë në ekonomi, një rezultat ky të cilit republikanët duan që t’i shmangen.
Arsyeja është e thjeshtë: mosshlyerja e borxhit nga qeveria do ta shkatërronte sistemin e kreditimit siç e njohu. Normat e interesit në tregjet financiare moderne njihen ndryshme edhe si norma të “parrezikshme” mbi obligacionet qeveritare. Largimi i kësaj shtylle të sistemit – apo rritja e nivelit të rrezikut të lidhur me Thesarin amerikan – do t’u bëhej pengesë shumë kontratave private dhe transaksioneve të të gjitha llojeve.
Krahas kësaj, shumë njerëz dhe firma mbajnë “paratë e tyre për ditë të këqija” në formën e obligimeve qeveritare. Fondet në tregjet e parave, të cilat konsiderohen më të sigurtat, janë ato që përmbajnë vetëm borxhin qeveritar amerikan. Megjithatë, po qe se Qeveria amerikane nuk arrin ta shlyejë borxhin, që të gjithë ata nuk do të jenë në gjendje ta ruajnë vlerën nominale të parave të tyre.
Rezultat i kësaj do të ishte ikja e kapitalit – mirëpo ku? Shumë banka do të kishin një problem të ngjashëm: rënia e çmimeve të Thesarit amerikan do të shkatërronte bilancet e gjendjes së tyre.
Nuk ekziston as edhe një kompani e vetme në SHBA që nuk do të prekej nga mospagesa e borxhit qeveritar – përderisa asnjë bankë dhe institucion tjetër financiar nuk do të mund të ofronte siguri për kursimet. Kërkesa për para të gatshme do të rritej, gjë e paparë që nga Depresioni i Madh, me radhë të gjata të njerëzve para ATM-ve, duke tërhequr sa më shumë kesh që kanë mundësi.
Për më tepër, kreditë private do të zhdukeshin nga sistemi ekonomik amerikan, duke e përballur Rezervën Federale me një zgjidhje të pakëndshme. Ajo ose mund të ndërhyjë dhe të sigurojë shuma të mëdha kredish për shtëpi dhe firma (ngjashëm si Gosbank, banka qendrore e Bashkimit Sovjetik), ose të qëndrojë duarkryq, derisa GDP-ja bie 20 deri në 30 për qind – një përqindje e rënies që nuk e kemi parë në ekonomitë moderne dhe që ndodh në rastet kur kreditë papritur zhduken.
Me sektorin privat në rënie të lirë, konsumi dhe investimet do të binin në mënyrë drastike. Aftësia e Amerikës për të eksportuar po ashtu do të vihej në rrezik, për shkak se tregjet e jashtme do të prekeshin dhe për shkak se, po qe se firmat e eksportit nuk marrin kredi, atëherë ato nuk do të mund të prodhojnë.
Republikanët kanë të drejtë për një gjë: mosshlyerja do të shkaktonte tkurrjen e shpenzimeve të Qeverisë. Mirëpo cila gjë do të binte më shumë, shpenzimet qeveritare apo përmasa e sektorit privat? Përgjigjja me siguri se është sektori privat, duke e pasur parasysh në varësinë e tij mbi kreditë për blerjen e faktorëve të prodhimit. Në të vërtetë, ta marrim parasysh tkurrjen që e pasoi krizën financiare të vitit 2008 dhe ta shumëzojmë me dhjetë.
Qeveria në anën tjetër ka qasje në Rezervat Federale dhe për këtë arsye do t’i siguronte paratë për t’i paguar rrobat. Po qe se kufiri i borxhit nuk ndryshon, atëherë asaj do t’i duhet t’i ndërmarrë ca taktika ligjore. Mirëpo alternativë natyrisht se nuk ka, duke e pasur parasysh sigurinë nacionale amerikane – ushtarët dhe rojat kufitare duhet të paguhen, sistemi i transportit duhet të vazhdojë të funksionojë dhe kështu me radhë.
Emetimi i parave në gjendje të tillë natyrisht se do të kishte për rezultat inflacionin, mirëpo Rezerva Federale mund të vendosë për të kundërtën, për shkak se SHBA-ja kurrë më parë nuk ka qenë në një gjendje të tillë.
Prandaj, kështu do të ishte gjendja në rast se nuk merren vesh demokratët dhe republikanët: sektori privat do të shkatërrohej, papunësia shumë shpejt do ta kalonte 20-përqindëshin dhe derisa Qeveria do të zvogëlohej, ajo do të mbetej punëdhënësja e fundit.
Republikanët e Kongresit, të cilët nuk duan ngritjen e kufirit të borxhit, janë duke luajtur me zjarr. Ata po përkrahin një politikë që do të kishte efekte të hidhura dhe që do ta arrinte të kundërtën e asaj për të cilën republikanët janë duke luftuar.
Autori, ish-kryeekonomist në FMN, është bashkëpunëtor i lartë në Institutin “Peterson” për Ekonomi Ndërkombëtare. Shkrimi është publikuar së pari në rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”