E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta për Srebrenicën, temë e nxehtë në Serbi

Analiza

Nisma e fundit e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, për hartimin e një rezolute që do të dënonte krimet e forcave serbo-boshnjake në Srebrenicë të Bosnjës, ku në korrik të vitit 1995 këto të fundit kryen masakrën më mizore që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, duke vrarë më se 8000 burra e të rinj myslimanë të pafajshëm, është bërë aktualisht temë “e nxehtë” në jetën politike të Serbisë, duke provokuar reagime të shumta, që nga ato që e mbështesin nismën e mësipërme e deri tek ato që e kundërshtojnë me forcë atë, sidomos nga ana e qarqeve nacionaliste serbe.
Presidenti Tadiç, kur e shpalli para disa ditësh nismën e tij të lartpërmendur, vuri në dukje se kjo rezolutë, që në fakt është kërkuar me ngulm prej vitesh nga bashkësia ndërkombëtare, do të hiqte anatemën nga populli serb dhe do të provonte se nuk ka faje kolektive dhe se “çdo kriminel ka emrin dhe mbiemrin e tij”. Por, kundërshtarët e nismës së tij shprehën se duhet të dënohen të gjitha krimet e luftës dhe jo vetëm ato të kryera në Srebrenicë. Presidenti i Serbisë megjithatë thekson se rezoluta për Srebrenicën duhet të jetë e ndarë nga një rezolutë eventuale që do dënonte krimet e kryera kundër serbëve gjatë luftërave në ish-territoret jugosllave në vitet ‘90.
Znj. Sllavica Gjukiç-Dejanoviç, kryetare e Parlamentit të Serbisë, që do duhet ta miratojë më pas rezolutën eventuale për Srebrenicën, vuri në dukje ditët e fundit se rezoluta në fjalë nuk do të mund të vihej në rendin e ditës së Parlamentit serb para 1 marsit të këtij viti, nëse qeveria nuk propozon miratimin e saj me procedurë të përshpejtuar, ose nëse këtë nuk e miratojnë 84 deputetë. Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, një nga kundërshtarët e rezolutës që do të dënonte vetëm krimet serbe në Srebrenicë, theksoi dje se Serbia ka të drejtë të miratojë një rezolutë për Srebrenicën, por ai nguli këmbë se “nuk është e drejtë që të ndahet vetëm një ngjarje, sepse krime dhe vuajtje ka pasur te të gjitha palët në luftë”.
“Ata që në emër të popullit serb kryhen krime, duhet të procedohen dhe këtë ne nuk e kemi diskutuar, por nuk është sjellje korrekte nga ana e Parlamentit Europian, i cili e ka miratuar tashmë një rezolutë të tillë, sepse në të injorohen viktimat serbe”, tha ai. Kryetari i partisë opozitare DSS dhe ish-kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, nga ana e tij, duke kundërshtuar gjithashtu miratimin e një rezolute vetëm për Srebrenicën, theksoi se “është e vështirë të imagjinohet një padrejtësi më e madhe nëse ndahen viktimat e pafajshme.
është obligim moral i njerëzve që të respektojnë njëlloj dhe pa dallim të gjitha viktimat e pafajshme”.
 Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Jelko Kacin, nga ana e tij e përshëndeti nismën e Presidentit Tadiç që Parlamenti serb të miratojë një rezolutë për Srebrenicën, duke shprehur shpresën se kjo do të ndodhë së shpejti. “Dënimi i krimit më të tmerrshëm në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë prioritet në përpjekjet e Serbisë, që kjo e fundit të distancohet nga të gjitha krimet e luftës që janë një barrë e rëndë për të kaluarën e saj. Për Serbinë do të jetë mirë që të miratojë vetëm një rezolutë dhe pikërisht për Srebrenicën”, vuri në dukje Kacini.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›