E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unkovski, një dramë për tre teatro shqiptare

Nisma
Regjisori maqedonas kërkon mbështetje në Kosovë

Regjisori i njohur maqedonas, Slobodan Unkovski, ka udhëtuar drejt Prishtinës në kërkim të mbështetjes për një shfaqje teatrore që do të flasë shqip. Së bashku me aktorin e njohur, Bajrush Mjakun, kanë prezantuar te ministri i Kulturës, z. Valton Beqiri, idenë për inskenimin e shfaqjes “Per Gynt” të Henrik Ibsenit. Bëhet fjalë për një bashkëprodhim ndërmjet tre teatrove shqiptare: Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar të Bajrush Mjakut dhe Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “MESS” nga Sarajeva. Unkovski dhe Mjaku kanë kërkuar mbështetje edhe nga Ministria e Kulturës në Kosovë për këtë projekt, duke gjetur mirëkuptim për një angazhim që Beqiri e quajti të domosdoshëm për t’u vazhduar më tej. Ky nuk do të jetë rasti i parë që Unkovski merr përsipër regjinë e një vepre në të cilën luajnë aktorë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria. Në vitin 2008 ai vuri në skenë pjesën “Xhaja Vanja” (përshtatur si Daja Vanja) e çehovit, ku luanin aktorët Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci, Bajrush Mjaku, Mysherefe Llozana, Eftiola Laçka, Adem Karaga dhe Blerta Syla. Në muajin mars të 2008-ës, pjesa u vu edhe në Teatrin Kombëtar në Tiranë dhe u prit mirë nga publiku.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›