Skadon afati i pajisjes me kasa, ja gjobat dhe penalizimet për bizneset
Papajani: Nuk pranohen kasat e blera në mënyrë private
Ditën e djeshme ka përfunduar afati i pajisjes me kasa fiskale për të gjitha bizneset e mëdha në kryeqytet. Duke filluar që sot të gjitha bizneset që do të kapen pa kasa fiskale do të gjobiten nga 500 mijë deri në 1 milionë lekë, gjobë e cila shkon deri në mbyllje të biznesit. Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Artur Papajani, bëri të ditur se ka përfunduar afati i pajisjes me kasa fiskale për bizneset, të cilat ishin paralajmëruar edhe më parë se data 15 janar do të
ishte dhe fundi i këtij afati të vendosur. Prej ditës së sotme fillojnë penalizimet për të gjitha bizneset e mëdha të cilat do të kapen gjatë inspektimeve tatimore, u shpreh Papajani. Ndërsa theksoi se të gjitha bizneset duhet të jenë të pajisura me kasë vetëm nga firma iva elektronik, e cila ka fituar tenderin dhe ka kontratë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me atë të doganave. Sipas tij nuk do të njihet asnjë kasë tjetër, për faktin se nuk mund të kontrollohet nga ana e DPT, sepse nuk është e regjistruar në sistemin elektronik të saj. Ai theksoi se ligji për vendosjen e pajisjeve fiskale është një hap i suksesshëm në drejtim të uljes së informalitetin dhe evazionit fiskal. Sipas tij, subjekti privat nuk ka të drejtë të ndërhyjë te pajisja në rast se ajo nuk funksionon. Për rregullimin e kasës fiskale do të njoftohet shoqëria e autorizuar për shërbimin në fjalë, e cila ka dalë fituese në tenderin për fitimin e kësaj të drejte. Një tjetër risi e udhëzimit, e cila lidhet me ligjin e ri për procedurat tatimore, është vendosja e sanksioneve për rastet e mospasjes së faturës. Shitësi e ka për detyrë të pajisë klientin me faturë, e cila duhet të ruhet për të paktën deri në 100 metra distancë nga vendi i blerjes së mallit. Në të kundërt, do të vendoset gjobë nga inspektorët tatimorë në masën 1 mijë lekë të reja. Kjo vlen për blerjet e vogla, që kryhen zakonisht gjatë aktivitetit të ditës nga çdo individ. Sa i takon kasës fiskale, memoria e saj arrin deri në 1800 fatura në ditë. Subjekti nuk mund ta përdorë sërish kasën pa shkarkuar më parë të gjithë memorien në prani të shoqërisë së autorizuar për këtë shërbim, u shpreh Papajani. Deklarimi on line Ndërsa për deklaratën e dy ditëve më parë se prej datës1 shkurt të këtij viti, të gjitha bizneset e mëdha do i bëjnë raportimet e tyre vetëm në mënyrë elektronike, ai deklaroi se në këtë mënyrë reduktohen kostot administrative të biznesit si dhe luftohet korrupsioni. Kjo procedurë e cila kishte nisur të aplikohej për biznesin e madhe tashmë do të shtrihet për të gjithë kategoritë, në muajin e ardhshëm. Ne parashikojmë në këtë mënyrë që të luftojmë korrupsioni, si dhe të shkurtojmë në maksimum burokracitë dhe afatin e procedurave tatimore, vijoi kreu i DPT. Ndër të tjera ai vlerësoi punën e bërë nga ana e kësaj drejtorie gjatë vitit të kaluar, ku sipas tij mbledhja e taksave në të gjitha subjektet ishte një tjetër arritje. Ndërsa nuk la pa anashkaluar dhe problemet ndërmjet biznesit dhe tatimeve, pasi sipas tij shumë herë biznesi mundohet që të anashkalojë taksa, por sipas tij kjo nuk është në të mirë të asnjërës palë. Gjithashtu ai theksoi se bizneset e vogla kanë kohë deri në 30 qershor të këtij viti për pajisjen me kasa fiskale, duke ju kërkuar këtyre të fundit që të filloj ë pajisjen, në mënyrë që të gjitha palët të jenë në rregull me njëra tjetrën. Ne kërkojmë nga të gjitha bizneset që të pajisen me kasa fiskale, në mënyrë që të jenë në rregull me ligjet e shtetit shqiptar, u shpreh Papajani. Ndërsa ritheksoi edhe njëherë se teknologjia më e fundit e sistemit tatimor, do të bëjë të mundur rritjen e të ardhurave, si dhe do të luftojë korrupsioni që bëhet nga ana e bizneseve dhe nga ana e punonjësve të administratës së tatimeve.Taulant Halili
Last Updated on E Premte, 15 Janar 2010 19:30