E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritëhijet elektorale dhe votuesit

Sot, më shumë se sa kurrë, vëmendja është fokusuar në atë çka do të ndodhë në fushatën elektorale dhe pas saj. Gjithkush me të drejtë pyet se sa janë realizuar objektivat e një tranzicioni, cilët janë faktorët dhe aktorët që do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes social-ekonomike. Të gjithë së bashku, qytetarë, të papunë dhe pensionistë, kuptojnë sot sa janë rritur pagat dhe çmimet, cili është niveli i varfërisë, sa rrugë është shtruar, ku do të shkohet, për kë duhet të votohet, përse dhe si.

Përpos zhargonit politik e mediatik, "posterat po presin" se kush do të jetë përfaqësuesi i ri në Parlament, me të vetmin ndryshim, se tashmë nuk do të votohet për individët, por për partitë, të cilat prej shumë vitesh janë kujtuar vetëm në fushata dhe vetëm për fushata, për të kërkuar votën, si e si të fitojnë besimin e qytetarëve të tradhtuar për vite me radhë.

Në skenën politike përsëri dominojnë njerëz të vjetër e të rinj, me pasione të vjetra e të reja, që përpiqen të bëjnë leksionin e radhë të demagogjisë, për të fituar sa më shumë në këtë treg të trazuar, ku askush nuk e ka të qartë se për cilin voton dhe përse duhet të votojë.

Po t‘u hedhësh një sy listave të publikuara me të vërtetë gjen mes tyre kapacitete që i duhen vendit dhe kjo Shqipëria jonë e dashur, i ka kërkuar e më në fund ka shansin e madh për t‘i provuar. Por, me keqardhje konstatohet se figura të vjetra dhe pa identitet, që e kanë kthyer vendin disa vite prapa, për hir të influencave të tyre klanore dhe farefisnore, kanë gjasa të zgjidhen për të na mësuar më në fund se, tashmë koha e tyre e përmbysur mund të zgjohet, falë profanëve në politikë dhe atyre që, për një arsye a një tjetër, nuk janë të orientuar saktë dhe drejt. Listës së gjatë i shtohen dhe njerëzit karrigedashës, të cilët kanë vetëm një objektiv: të ndërtojnë lumturinë e tyre, pavarësisht se kush vuan.

Politika e re me "xhaketa të vjetra" thënë dikur, po hedh rrënjët e një stanjacioni që, për ironi të fatit, nuk dihet se kur do të përfundojë. Me mburrje, të gjitha partitë politike deklarojnë njerëz me "Master" e të formuar në Perëndim, kërkojnë ndihmën e militantëve, i përbuzin ata dhe në fund kartonët e "të mbledhurve jo rastësisht në politikë" do të jenë dominantë përballë realitetit.

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit kemi parë shpeshherë trafik të votës, "Dushk dhe mega-Dushk" njerëz pa influencë, por me shumë influencë në botën e biznesit, thyerës të të gjitha ligjeve morale shoqërore, megalomanë dhe karton-nxjerrës sa herë që interesat e tyre nuk cenohen, pushtetmbajtës dhe opozitarë, të cilët bashkohen dhe ndahen për interesa të ngushta. E gjitha kjo ka vetëm një arsye: t‘u mbyllë gojën atyre që duan të thonë një të vërtetë, që për fatin e keq, vonon, por nuk harrohet.

Sot dhe nesër ne do të përballemi me një realitet jo fort të këndshëm. Do të bëjnë ligjin ata që nuk e kanë parë dhe që nuk e njohin, do të ngrenë kartonin pikërisht ata që nuk dihet se nga vijnë dhe ku po shkojnë, do të përbalten dhe injorohen të aftit, do të "persekutohen" ata që thonë një mendim ndryshe. E gjitha kjo vetëm e vetëm për një karrige të munguar, që cilido intelektual shpirtgjerë nuk do ta kishte pranuar, sepse politika, e cila mbetet larg interesave të qytetarëve nuk është aq e aftë dhe e përgatitur t‘u shërbejë problemeve më madhore.

Fushata sapo ka filluar. Të gjithë do të premtojnë?!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›