E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të martën, ankand për 17 miliardë lekë bono

Leku shqiptar pësoi një forcim të lehtë gjatë fundjavës si pasojë e parapërgatitjeve të bankave për të marrë pjesë në ankandin e blerjes së bonove të thesarit, të programuar për ditën e martë. Ministria e Financave ka kërkuar emetimin e 17 miliardë lekëve bono thesari, (rreth 130 milionë euro), nga të cilat 6.8 miliardë lekë janë të destinuara për vetë Bankën e Shqipërisë. Euro u dobësua gradualisht nga 132.79 në 132.5 lekë. Ekspertët thonë se kërkesa e lartë e bankave për të grumbulluar lekët që më pas i ofrohen qeverisë borxh, sjell edhe forcimin afatshkurtër të monedhës kombëtare.

Dollari vijoi të dobësohej kundrejt lekut si pasojë e dobësimit të përgjithshëm të monedhës amerikane në tregun ndërkombëtar. Dobësimi apo forcimi i dollarit ka një pasojë neutrale për çmimet e lëndëve të para që Shqipëria paguan në këtë monedhë, për shkak se çmimet e naftës e të hekurit lëvizin në drejtim të kundërt me vlerën e dollarit.

Qeveria ka programuar të tërheqë 29 miliardë lekë borxh nga tregu i brendshëm gjatë muajit qershor, të përqendruara në dy ankande. Kërkesa e qeverisë për borxh të brendshëm është ftohur gjatë javëve të fundit kryesisht për shkak të tërheqjes së kredisë së shtrenjtë prej 250 milionë eurosh në mes të majit. Megjithatë, interesat kanë vijuar të rriten. Bonot 12-mujore të shitura në ankandin e 19 majit u dhanë përkundrejt interesit maksimal prej 9.24 përqindësh.

Strategjia e zbatuar gjatë viteve të fundit ka synuar të tërheqë nga tregu borxhe afatgjata, gjë që e çliron qeverinë nga pushteti i bankave. Tregu i bonove të thesarit kontrollohet në masë të gjerë nga një grup i vogël bankash dhe Autoriteti i Konkurrencës ka hapur sakaq një hetim për të parë nëse kjo gjë ka sjellë kufizim të konkurrencës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›