E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritëroi: PS e thyeu akullin, deputetët të mos rrinë si hunj

TIRANE-Dritëroi i letrave shqipe parapëlqen që të japë një mesazh për politikën shqiptare, në nisje të këtij sesioni të ri kuvendor. I pyetur nga "Gazeta Shqiptare", këtë herë ai nuk hezitoi të përshëndesë kthimin në Kuvend të socialistëve. Por, në këtë rast vlen edhe këshilla e tij e urtë. "Nga të dy palët; kur vijnë në parlament duhet të flasin me një gjuhë të kulturuar, të mirë, gjuhë problemesh, për të zgjidhur, gjuhë të trajtimit të problemeve, jo një gjuhë grindjesh e zënkash me njëri-tjetrin", - u shpreh ai në një bisedë telefonike. "Bojkotet janë një mentalitet i vjetër shekullor", - tha Dritëroi.
Ditën e hënë nis edhe puna e sesionit të ri parlamentar. Çfarë i sugjeroni opozitës në veçanti në këtë sezon të ri politik?
Unë, si qytetar dhe si njeri i letrave, gëzohem që më në fund u thye akulli i bojkotit, siç e kam dëgjuar, jo vetëm sot, por edhe në diskutimet e njerëzve. Për këtë siç thashë, më bëhet qejfi që njerëzit që drejtojnë vendin në përgjithësi, (se parlamenti e drejton vendin), mblidhen bashkë dhe diskutojnë për problemet e mëdha që ka ky vend dhe kjo shoqëri ku jetojmë. Këto probleme janë nga më të ndryshmet, që nga përpjekjet për një përparim të vërtetë dhe mosngecje në vend, siç ndjehet aktualisht që ka një stanjacion, si dhe për ta shtyrë këtë vend përpara, për t'u bërë edhe ne pjesëtarë të Bashkimit Evropian, pra që të integrohemi edhe ne ashtu si vendet e tjera. Sipas mendimit tim, kjo zgjati shumë. Ishte një zgjatje gati 3-vjeçare dhe kur zgjatet shumë bëhet jo vetëm tragjike, por merr edhe formë qesharake. Njerëzit kthehen në lolo, nuk bëhet parlament, por kthehet në diçka, që as cirk s'mund ta quash, sepse ata as kërcejnë. Por mund ta quajmë që janë dy parlamente, një parlament brenda parlamentit dhe një nëpër ato mbledhjet, nëpër rrugë apo kudo...Kështu që një përçarje e tillë nuk duhet të ndodhë. Ne duhet ta thyejmë këtë traditë, sepse edhe partia që është tani në pushtet, po kështu e bëri vite më parë, pas 1997-ës. Madje nuk dërgoi më pas as përfaqësuesit e saj në hartimin e Kushtetutës. Kështu që kemi pasur një traditë të hidhur nga bojkoti. Unë e kuptoj, mund të zemërohesh një seancë, por jo të mbash inatin gjithnjë. Të thuash, u inatosa unë dhe nuk vij më. Po ç'je ti që inatosesh dhe nuk vjen në parlament, aty ku të ka votuar populli!?
Nuk duhet të ndodhë ky fenomen kaq i stërzgjatur dhe kaq inatçor nga të dyja palët. Dhe kur vijnë në parlament duhet të flasin me një gjuhë të kulturuar, të mirë, gjuhë problemesh, për të zgjidhur, gjuhë të trajtimit të problemeve, jo një gjuhë grindjesh e zënkash me njëri-tjetrin. Kemi dëgjuar të thonë: "Ja, erdhën pinjollët e bllokut". Sharje të tilla, jo 'erdhën, u bashkuan me këtë dhe me atë', janë nxitëse dhe paralajmëruese për bojkote të tjera. Unë mendoj që duhet ndryshuar krejtësisht gjuha. Gjuha në parlament, siç e kemi dëgjuar, është një porno-horror. Domethënë, duhet gjuha më e kulturuar, ajo gjuhë që mësohet në shkollë, gjuha e publikut edhe e qytetarëve. Ne nuk e kuptojmë, por kjo gjuhë ndikon edhe në publik, ndaj edhe më pas shtohen vrasjet, mëritë, shtohet edhe ngujimi, sepse bojkoti është ngujim. Dhe pastaj lind hakmarrja. Sa e sa të ngujuar kemi! Jam i bindur që po të mos kishte bojkote të gjata, të tilla dhe po të kishte një gjuhë të mirë, nuk do të kishte as kaq ngujime, as gjakmarrje. Të vjen keq kur i sheh nxënësit të mbyllur nëpër kulla dhe u shkon mësuesja në shtëpi t'u bëjë mësim.
Çfarë duhet të bëjë opozita tani?
Pra, kjo thyerja e bojkotit më gëzon. Më gëzoi fakti që e thyen këtë akull, por tani duhet të mësojnë edhe gjuhën e parlamentit. Ne e kemi mësuar gjuhën shqipe në shkolla, por gjuhë të parlamentit, akoma jo. Duhet të përpiqemi me po aq forcë, sepse i jemi larguar kësaj gjuhe politike, njëlloj sikur do të mësojmë një gjuhë të re, një gjuhë të huaj. Po në këtë rast bëhet fjalë për një gjuhë të parlamentit. Ata deputetë duhet t'i vënë vetes detyrë që të mësojnë gjuhën e parlamentit dhe të lexojnë si diskutojnë parlamentarët në botë, të marrin bile edhe broshurkat e tyre, t'i gjejnë si i diskutojnë problemet.
Kjo që ndodhi me bojkotin, kështu i ngjan dy shtëpive që janë afër, dy fqinjëve që zihen për një fjalë dhe nuk i shkelin njëri-tjetrit në shtëpi për dhjetë vjet. Por më pas i shkon kur i ndodh një fatkeqësi apo ndonjë gëzim. Edhe atëherë me vështirësi shkon. E kemi ne këtë traditë, por nuk duhet të ndodhë më kjo lloj tradite. Më kujtohet, kur isha i ri, u zunë dy xhaxhallarët e mi, vëllezër. Bile dhe u rrahën në oborr të shtëpisë, por po fillonte Lufta Antifashiste dhe këta ikën të dy, dolën malit si partizanë. Bile njëri donte të shkonte me Ballin, po ata shkuan pastaj në dy brigada të largëta nga njëra-tjetra, që të mos takoheshin. Njëri shkoi në brigadën e dytë dhe tjetri në brigadën e 4-t dhe nuk u takuan gjatë luftës. Vetëm një herë, kur ishte vjeshtë, kur në arën afër lumit, misri i pjekur ishte bërë gati për t'u korrur, i pashë të dy. Njëri vinte nga lart arës, tjetri nga poshtë dhe në mes të arës u përqafuan dhe zunë të qanin të dy këta burra të rrahur në luftë, të grisur në kapota. U përlotën. Ndërsa misri ishte pjekur, ishte arrirë kur këta e thyen bojkotin, pra kur këta u pajtuan. Edhe tani misri është pjekur, është arrirë për t'u korrur, në këtë kohë kur këta thyen bojkotin, për t'u integruar. Ka raste të tilla që i ngjasin njëri-tjetrit. Edhe kjo që bënë këta xhaxhallarët e mi ishte një lloj bojkoti, por ja që u takuan. Sigurisht ka raste acarimi, por synimi është drejt një rruge pajtimi e bashkëpunimi. Duhet të punojmë për të pasur mundësi që të rregullojmë punët.
Bojkotet janë një mentalitet i vjetër, shekullor. Nuk janë të kohëve të sotme, kur presim të hyjmë edhe në Evropë. Fatkeqësisht, këto lloj bojkotesh i përdorin të dyja partitë e mëdha, i kanë përdorur dhe i përdorin, si njëra, si tjetra. Por, tani që ndodhi bojkoti i socialistëve po më vijnë në mend edhe ato që kanë bërë demokratët. Edhe ata nuk duhet të harrojnë se kanë bojkotuar. Për një kohë të gjatë 3-vjeçare e 4-vjeçare kanë bojkotuar, si socialistët nga 2009-ta deri në 2011-ën. Edhe ata që nga 1997-ta deri në 2000, vetëm një vit erdhën në parlament. Domethënë nuk duhen harruar këto vetëm duke thënë që këta bojkotojnë, por mirë është që ne kemi bojkotuar dhe tani që po kalon koha na vjen keq që kemi bërë një gjë të tillë. Atëherë ia mbushin mendjen edhe popullit fisnik, por ua mbushin mendjen edhe këtyre të tjerëve që të mos bëjnë më të tilla bojkote. Më kujtohet edhe Ungjilli, që thotë: "Mos u gëzo o i gëzuar, mos hidhëro o i hidhëruar". Kështu që të dyja palët duhet të shikojnë veprimet e tyre.
Meqenëse jemi në rastet e mërive dhe të inateve, a mendoni se duhet të përjashtohen ata që mendojnë ndryshe në PS?
Nuk duhet të ketë përjashtime. Ato janë diskutime që bëhen në parti. Në pluralizëm janë të rralla përjashtimet. Ato bëhen kur ka korrupsion, kur ka vrasje. Unë kam këtë mendim. S'do të thotë që të përjashtohesh se thua një mendim të ndryshëm. Po s'pati mendime që të rrihen, nuk ka përparim mendimi. Po s'pati përparim mendimi, nuk ka përparim vendi.
Unë e kam thënë edhe herë tjetër që, të zgjidhej teorema e Pitagorës, ai ka bërë me dhjetëra gabime derisa e quajti teorema e Pitagorës. Apo një rast tjetër, ligji i Omit, për rezistencën elektrike, me dhjetëra e qindra gabime bëri edhe ai, derisa arriti në këtë pikë. Gabimet e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë jetës. Por duhen që gabimet të mos jenë të egra. Duhet të jenë njerëzore dhe jo të kalojnë në mëri, në ekstreme. Ja tani, njerëzit mendojnë se do të shkojnë mirë me këtë rrugë të thyerjes së bojkotit, vetëm se diçka duhet të dinë të dyja palët. Duhet të sillen mirë të dyja palët dhe të mos tallen me njëri-tjetrin, të mos e quajnë veten si të fortë e tjetrin si më të dobët, që kur të vijnë këta të PS-së të thonë që: ja ç'punuam ne, jemi të zotët shumë; e pe si ua mblodhëm. Po vajti kështu puna, është si tallje. Se mund të rrish në parlament dhe të rrish si hu, të mos diskutosh për asnjë problem, siç janë tani minatorët e Bulqizës apo pyjet. Janë djegur gjysma e pyjeve të Shqipërisë, ka njerëz që vriten, varfëria në kulm, një shtrenjtësi e madhe për të gjitha; plotësimi i atyre 12 pikave që ka dhënë BE-ja. Pra janë një sërë çështjesh që kërkojnë diskutim. Janë disa ligje që kërkojnë shumicën. Duhet të realizohen, të diskutohen në parlament.
Bisedoi me telefon:
Darina Tanushi
(Intervista u botua sot ne GSH)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›