E Diel, 1 Nëntor 2026

Arbitri dhe Gjermania eliminojnë anglezët



Leonard Karaj

Gjermania shkatërron 4-1 Anglinë duke kaluar në çerekfinalet e Botërorit. Por mbi këtë ndeshje dhe më së shumti mbi arbitrin rëndon një gol mëse i rregullt i angelzëve kur ndeshja ishte 2-1.
Lampard gjuajti nga hyrja e zonës së rreptësisë, topi preku traversën dhe kaloi vijën e portës për gati 1 metër por për arbitrin uruguaian, Larrionda nuk ishte gol. Polemika pas ndeshjes dhe një mësymje mediatike e britanikëve jo vetëm ndaj “armiqve” shekullorë, gjermanëve por edhe ndaj arbitrit dhe FIFA-s. E megjithatë ajo që ka vlerë pas 90 minutave lojë është: Gjermania kalon në çerekfinale pas një lojë shumë herë më të mirë se Anglia.
Leksion futbolli por jo vetëm. Një gabim nga më trashanikët në historinë e botërorëve. Një lojë e hapur me shumë gola ashtu si pritej nga të gjithë dhe e ofruar nga “adoleshentët” gjermanë dhe e pësuar nga “elefantët” anglezë. Lëvi besoi tek “çunakët” e tij duke treguar edhe një herë se futbolli ka nejovë për frymë, forcë fizke dhe një moral të lartë përkundrejt edhe eksperiencës së një mbrojtje me emra si ajo e anglezëve. Një Gjermani të rinjsh që luajnë me shumë entuziazëm duke merituar denjësisht kualifikimin për në çerekfinale. Vetëm gafa e arbitrit duket sikur e zbeh sadopak këtë 4-1 historik të gjermanëve (humbja më e thellë e anglezëve në një kampionat botëror), kjo edhe për faktin se rezultati në momentin e mosdhënies së golit të Lampard ishte 2-1 për gjermanët dhe me një barazim që në pjesën e parë, loja mund të merrte rrjedhë tjetër në fraksionin e dytë.
E megjithatë vlen të theksohet dhe ritheksohet se Gjermania tregoi një superioritet të padiskutueshëm ndaj Anglisë. Pas Kloses si sulmues i vetëm i deklaruar luajnë një treshe mjaft e talentuar Podolski-Ozil-Myler që luan një futboll jo shumë spektatolar por shumë efikas. Pasime të sakta dhe të shpejta, ndryshim i shpejtësisë së menjëhershme të sulmit, dhe lëvizje të herëpashershme edhe pa top duke krijuar një amulli dhe alarm konstant te porta e portierit anglez Xhejms. Anglia e Kapelos nuk arrin dot që ti ndalë duke pësuar kështu dy golat e parë nga aksione manual futbolli. Pastaj në pjesën e dytë, kur britanikët ishin vënë në kërkim të golit të barazimit, dy kundërsulme të shpejta, sollën edhe vulosjen e rezultatit falë dy shënjestrave të 22-vjeçarit bavarez, Tomas Myler.
Në fakt ishte parë që nga ndeshja e parë e këtij Botërori se kjo Angli ishte larg asaj të kualifikimeve. Shumë gabime në mesfushë, një mbrojtje totalisht e ç’rregullt dhe që zihet kollaj në kurth, me një kundërsulm të shpejtë dhe me një sulm që thuajse nuk ekziston. Një Angli e tillë nuk mund të konsiderohet si skuadra e radhës e Kapelos. Italiani dështoi dhe nuk janë të paktë ata që i mbajnë sytë nga federata angleze për të dëgjuar ndonjë lajm mbi një dorëheqje të mundshme të tij. Ndërkohë si kontrapedal mjafton të vëresh Gjermaninë e të rinjve të Joakim Lëvit, e cila dje më shumë se kurrë dhe kushdo ka dhënë një leksion futbollit kudo në botë.

Gjermani-Angli 4-1

Shënues: Klose 20', Podolski 32', Myler 67’, 70’/ Apson 37’
Kartonë të verdhë: Friedrish 47'/ Xhonson 81’
Gjyqtarë: Jorge Larrionda (URU)/ Pablo Fandino dhe Mauricio Espinoza
Stadiumi: “Free state stadium”
Spektatorë: 40510
Gjermani: Nojer, Friedrish, Khedira, Shvianstaiger, Ozil (Kisling 83’), Podolski, Klose (Gomez 72’), Myler (Troçovski 72’), Lahm, Mertesaker, Boateng. Trajner: Joakim Lëv
Anglia: Xhejms, Xhonson (Vrajt Filips 87’), A.Kol, Zherrard, Terri, Lampard, Runi, Berri, Apson, Milner (Xh.Kol 64’), Defo (Heski 71’). Trajner: Fabio Kapelo

Protagonisti

Sulmuesi i Bajernit të Mynihut dhe njëkohësisht i Kombëtares gjermane, Tomas Myler është përzgjedhur si lojtari më i mirë i ndeshjes Gjermani-Angli. Myler shënoi dy gola në këtë sfidë (golin e 3-të dhe 4-rt) duke siguruar përfundimisht kalimin e “dojçëve” në çerekfinalet e këtij Botërori. Fantazisti bavarez konsiderohet si pasaardhësi ideal i Mikael Balak te Gjermania dhe nuk është rastësi edhe fakti se pas dëmtimit të Balak, ishte pikërisht Myler, ai që mori fanellën me numrin 13 te Gjermania. Në ndeshjen e djeshme ndaj Anglisë Myler gjuajti 4 herë në drejtim të portës nga ku dy ishin gola. Ai nuk shkaktoi asnjë faull gjatë gjithë lojës dhe dha 17 pasime të sakta nga 28 të tilla. Gjithashtu dha asist për golin e Podolskit dhe përshkoi një distancë prej 8850 metra në 72 minuta lojë (u zëvendësua nga Troçovski). Kujtojmë se Myler shënoi edhe në sfidën e parë të Gjermanisë ndaj Australisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›