E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga, Basha inspekton Lazaratin



GJIROKASTER

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha qëndroi dje për disa orë në fshatin e Lazaratit, ku verifikoi nga afër masat e marra nga policia për luftën kundër drogës, si dhe kontaktoi me banorë të zonës të cilët i falenderoi për bashkëpunimin me organet e rendit. Në një vizitë “rrufe” në fshatin e Lazaratit, Ministri i Brendshëm, i shoqëruar edhe nga deputeti Genc Ruli dhe zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj, zhvilloi takim edhe me përfaqësues të komunitetit në Lazarat. Vizita e Ministrit të Brendshëm në “zonën problematike” u zhvillua në një kohë kur Policia e Shtetit është investuar prej disa muajsh në operacione për kontrollin e fshatit dhe ngritjen e postblloqeve, për të ndaluar qarkullimin e lëndës narkotike në zonë. Duke iu referuar disa takimeve të zhvilluara muajt e fundit mes policisë, komunitetit dhe pushtetit lokal për luftën kundër drogës, Ministri i Brendshëm është shprehur gjatë qëndrimit në Lazarat se ka një bashkëpunim të mirë midis Policisë së Shtetit, autoriteteve vendore dhe ç’është më e rëndësishmja, me banorët e Lazaratit.
“Ne arritëm në këtë periudhë të kontrollonim në mënyrën më bindëse dhe më transparente para partnerëve tanë, kultivimin e bimëve narkotike, dhe nga Lazarati t’u çojmë një mesazh shumë të fortë, se këtu gjërat mund, po dhe do të ndryshojnë, se emri i Lazaratit me të cilin është abuzuar shumë duhet të fillojë të përdoret për ato të mira që sot ky fshat dhe kjo komunë po i shpalosin shoqërisë”, është shprehur ministri Basha, në takim me përfaqësues të komunitetit në Lazarat. Sipas zyrës së shtypit në Ministrinë e Brendshme, takimi i Bashës me banorët e fshatit Lazarat, u zhvillua në një kohë kur ka përfunduar faza e parë e luftës kundër drogës, ajo e ndërgjegjësimit, e cila i ka lënë vendin fazës së kontrollit dhe evidentimit të drogës në të gjithë territorin e vendit.
Droga dhe vizat
Pas disa takimeve mes policisë dhe pushtetit lokal në kuadër të luftës kundër drogës, Ministri i Brendshëm Basha ka vlerësuar dje se bashkëpunimi me komunitetin e Lazaratit është një inkurajim për Policinë e Shtetit. “Kjo merr një rëndësi të jashtëzakonshme në prag të lëvizjes së lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë”, tha Basha. Ai shtoi se kjo praktikë e filluar këto tre-katër javë nga policia, do të intensifikohet edhe në javët e ardhshme, në mënyrë që viti 2010 të jetë një vit i kthesës së madhe, jo vetëm për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, por për t’i hapur rrugën një koncepti plot me shpresë dhe me besim tek e ardhmja dhe për të lënë mbrapa çdo praktikë dëshpëruese dhe dëshpërimi që ka mbjellë vetëm vdekje, vuajtje dhe fatkeqësi, siç ka qenë ajo e kultivimit të bimëve narkotike. Pak ditë më parë, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agrion Kuliçaj, së bashku me drejtues të pushtetit lokal në Lazarat, zhvilloi takime me banorë të zonës dhe me përfaqësues së institucioneve arsimore, duke vënë theksin te bashkëpunimi mes policisë dhe banorëve të zonës. Ndërkohë, inspektimi i djeshëm i Ministrit të Brendshëm në Lazarat është ndjekur nga afër edhe nga ekspertë dhe përfaqësues të misioneve të huaja që asistojnë policinë shqiptare, si PAMECA.

Monitorimi i policisë, Lazarati i poshtëm, “i pastër”

GJIROKASTER – Forca të shumta të Policisë së shtetit janë vendosur prej mëse dy muajsh në hyrje-daljet e fshatit të Lazaratit, ndërsa janë kryer edhe patrullime brenda zonës në Lazaratin e poshtëm. Policia ka kryer kontrolle në të gjitha arat dhe bahçet e Lazaratit të poshtëm, të cilat janë konsideruar “të pastra”, për shkak se nuk është konstatuar mbjellja apo kultivimi i bimëve narkotike. Forcat e policisë po vazhdojnë të qëndrojnë të stacionuara në hyrje-daljet e fshatit në këtë sezon, me qëllim ndalimin e qarkullimit të farës apo të bimëve narkotike, ndërkohë që sfida mbetet në Lazaratin e sipërm ku ende nuk janë kryer patrullime të plota. Policia ka hartuar një plan masash për parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike në Lazarat. Ky plan masash parashikon së shpejti monitorimin satelitor të të gjithë zonës dhe njoftimin e policisë për të gjitha parcelat me bimë narkotike, me qëllim lokalizimin dhe asgjësimin e tyre. Ndërkohë plani i masave parashikon mbajtjen e postblloqeve dhe kontrolleve në zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›