E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza 6 vjeçe u zhduk në Kukës, policia kërkime edhe në Kosovë



KUKES – Policia shqiptare po kryen kërkime në bashkëpunim me policinë e Kosovës, për gjetjen e vajzës 6-vjeçare e cila dy ditë më parë është denoncuar e zhdukur në Kukës. Pas largimit nga banesa, në rrethana të paqarta, të 6-vjeçares Bleona Mata, nga Zapodi, policia është mobilizuar fillimisht me kërkimet në zonë dhe më pas në Kukës, e më tej edhe jashtë këtij qarku. Grupi i hetimit në polici ka marrë në pyetje ndërkohë prindërit e vajzës, ndërsa nëna e saj ka thënë se familja Mata nuk ka mosmarrëveshje apo armiqësi me askënd. Policia, megjithatë ende nuk ka pista të qarta në lidhje me ngjarjen dhe mënyrën e largimit të vajzës 6-vjeçare nga banesa. “I bëj thirrje kujtdo që të ketë dijeni për fëmijën tim të më japë një shenjë dhe ta di që është gjallë”, thotë nëna e vajzës. “Ne jemi të varfër, por do të jepja gjithçka që vajza të kthehej në shtëpi”, apelon më tej nëna e vajzës. Më shumë se 500 persona janë angazhuar në kërkime për vajzën, pak orë pasi u konstatua zhdukja e saj. Në kërkime kanë marrë pjesë familjarë dhe të afërm, si dhe forca të shumta të policisë. Burime të policisë së Kukësit kanë thënë se kanë kërkuar bashkëpunimin e homologëve në Kosovë për kërkime në zonën e Dragashit dhe në disa lokalitete të tjera, me qëllim gjetjen e vajzës. Ndërkohë, hetimet e policisë kanë vazhduar duke marrë në pyetje edhe banorë të fshatit, nëse e kanë parë vajzën ditën e zhdukjes. Dëshmitarëve u janë kërkuar sqarime për rrethana të ngjarjes ku vajza 6-vjeçare është zhdukur disa qindra metra larg fshatit Zapod në kullota. Pranë vendit të ngjarjes është gjetur ndërkohë edhe xhupi i 6-vjeçares, i cili është lokalizuar rreth 500 metër larg banesës së familjes së saj. Tri ditë më parë familja e vajzës u paraqit në polici dhe denoncoi zhdukjen e 6-vjeçares në rrethana të paqarta, ndërkohë që nuk është gjetur asnjë gjurmë e saj me përjashtim të xhupit, që ishte lënë në vendin e ngjarjes. j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›