“Terror” me armë në fshat, 2 në pranga
SHKODER – Dy persona janë arrestuar nga Policia e Shkodrës pas një konflikti me armë të ndodhur mes tyre. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Bërdicë, ditën e dielë, kur shtetasi Nard Zefi, 25 vjeç, dhe Kol Gjergji, 55 vjeç, kanë qëlluar me armë në drejtim të një bashkëfshatari të tyre,pas një konflikti të ndodhur mes palëve. Sipas hetimeve të policisë, konflikti ka ndodhur për motive të dobëta në fshatin Berdicë e epërme. Pas grindjes, dy personat kanë shkuar në banesën e Kol Gjergjit dhe pasi kanë marrë një armë automatik të cilin i arrestuari e mbante pa leje, janë drejtuar për në vendin e ngjarjes dhe kanë qëlluar me armë në ajër në drejtim të personit me të cilin ishin në konflikt, duke tentuar ta trembin atë. Sapo kanë dëgjuar krismat e armëve, banorët kanë njoftuar policinë e cila shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes. Uniformat blu kanë kryer kontroll në banesën e shtetasit Kol Gjergji, 55 vjeç, ku kanë gjetur armën e përdorur në ngjarje, si dhe 100 fishekë. Të dy personat janë arrestuar menjëherë nga policia, me akuzat e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” si dhe me akuzën e “kanosjes”.