Droga, Burgaj: Do të hyjmë ditën në Lazarat

Postblloku i Policisë në hyrje të Lazaratit
GJIROKASTER Pas rrethimit të Lazaratit prej tri ditësh, në luftën kundër kultivimit të drogës dje mbërriti në Gjirokastër kryepolici Hysni Burgaj. Ai ka inspektuar Forcat Operacionale, të cilat janë në mbështetje të këtij aksioni. Në një takim që organizoi me të gjithë përfaqësuesit e strukturave policore, të stacionuara përkohësisht në Gjirokastër, larg syrit të medias, kreu i Policisë Shqiptare ka paralajmëruar intensifikimin e operacioneve policore për bllokimin e çdo materiali organik si pleh, ujë apo baltë drejt Lazaratit me qëllim kultivimin e bimëve narkotike nga individë të caktuar në tokat e komunës apo në oborret e shtëpive, si dhe bllokimin e çdo fuqie punëtore që tenton të hyjë në këtë fshat për kultivimin e hashashit. Duke iu drejtuar forcave policore në takimin e së dielës, Burgaj i siguroi ata se prodhimi i hashashit në raport me vitet e kaluara, ka pësuar një ulje në masën 50%. Një ndër prioritetet e punës së Policisë për këtë vit është parandalimi qysh në embrion i kultivimit të bimëve narkotike dhe shpresoj që me masat e marra, me marrëveshjen lidhur edhe me Policinë italiane, së shpejti do të kemi inspektim me avion në të gjithë territorin shqiptar, për të përcaktuar në detaje me koordinata shumë të sakta se ku dhe sa hashash kultivohen në Lazarat apo dhe zona të tjera të vendit, është shprehur Burgaj. Sipas tij, monitorimet nga ajri do të shërbejnë për fotografimin e zonave të cilat do ti bashkëngjiten certifikatave të pronësive të çdo parcele, aty ku do të konstatohet kanabis i mbjellë dhe më pas do të procedohet penalisht ndaj kujtdo që do të kultivojë lëndë narkotike. Bashkë me to do të shërbejnë edhe deklarimet e marra nga mëditësit që janë shoqëruar ditët e fundit në polici, të cilët tentuan të shkonin në Lazarat dhe të punonin për kultivimin e tyre. Ne po përgatitemi dhe mund tju garantoj për këtë që në bashkëpunim dhe me banorët e Lazaratit, do të ndërhyhet te të gjitha tokat publike. Jemi të vendosur të hyjmë jo si hajdutë në mes të natës, por duke bashkëpunuar me pjesën e shëndoshë të fshatit dhe me komunën, përfshirë kryekomunarin Dasho Aliko, u shpreh Burgaj. Lidhur me kapjen e sasive të konsiderueshme, disa tonë, të hashashit të Lazaratit në Greqi nga policia e këtij vendi, kryepolici i Shqipërisë u shpreh se në këto operacione ka kontribut edhe Policia shqiptare, pasi ka dhënë informata të sakta. p.n
Bllokimi
Ndonëse i rrethuar, nga Lazarati është tentuar të dalë marijuana e ngelur stok vitin e kaluar. Rreth 160 kg hashash është kapur në orët e mëngjesit të së dielës, në periferi të Lazaratit, në tentativë për tu transportuar në Delvinë e më pas në Sarandë dhe përmes rrugës detare për Greqi, si destinacioni final. Policia nuk ka arritur të kapë katër trafikantët e marijuanës, pasi u larguan me shpejtësi, të ndihmuar edhe nga errësira.