Rezarta Shkurta pranoi në gjyq: E plagosa Rozanën

Rezarta Shkurta dhe Rozana Radi
Akuza kërkoi 82 orë punë për sherrin me grushte, këtë javë mbrojtja.
Prokuroria: Avokati i saj, dakord me raportin mjekoligjor.
Këngëtarja Rezarta Shkurta, për të cilën Prokuroria kërkoi dënim me 82 orë punë të detyruar javën e kaluar, e ka pranuar gjatë gjykimit akuzën e plagosjes ndaj Rezarta Shkurtës. Pas ngjarjes së ndodhur më datë 6 dhjetor, rreth orës 03:00, ku Rezarta Shkurta është konfliktuar me kolegen e saj Rozana Radi duke e goditur atë me grushte në pjesën e fytyrës, e dëmtuara ka bërë ekspertizë mjekoligjore për dëmtimet. Nga akti i ekspertimit i mbajtur në po atë ditë, 6 dhjetor 2010, rezulton se dëmtimet e shtetases Rozana Radi klasifikohen në kategorinë e plagosjes së lehtë. Ky akt ekspertimi është pranuar ne gjykim nga avokati i të pandehurës Rezarta Shkurta. Në pretencë citohet seanca e datës 17 maj 2012, ku avokati i Shkurtës është shprehur «jemi dakord me aktin e ekspertimit dhe përfundimet e tij» dhe nuk duam kryerjen e një akti tjetër mjekoligjor pasi jemi dakord me të. Sipas Prokurorisë, në këto rrethana avokati i të pandehurës duke qenë dakord me këtë akt, ka hequr dorë nga kryerja e një ekspertimi mjekoligjor të ri. Këtë javë pritet që avokati i Rezarta Shkurtës të paraqesë konkluzionet e veta e më pas gjykata të japë vendimin.
Telefonata
Në pretencë thuhet se iniciatore e takimit në orën 03:00 të mëngjesit ka qenë Rezarta Shkurta. Në datën 6 dhjetor 2010, ora 03:03, ajo ka marrë në telefon Rozana Radin dhe i ka kërkuar takim. «Ky takim është lënë qëllimisht nga e pandehura për të qëlluar dhe më pas dëmtuar shtetasen Rozana Radi», thuhet në pretencë. Sipas saj, Rozana Radi ka bërë kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë, ku shpjegoi se me shtetasen Rezarta Shkurta ka pasur një konflikt në emisionin «VIP Shtëpia» në Kosovë. Sipas Rozanës, Rezarta Shkurta i ka çuar mesazhe fyese në Facebook. Në datën 05.12.2010, në orët e vona të natës dhe në orët e para të datës 06.12.2010, Rezarta i ka kërkuar takim Rozanës. Ato janë takuar afër Liqenit të Thatë në zonën e Kopshtit Zoologjik. Rozana ka qenë në makinë, dhe në këtë moment Rezarta e ka qëlluar me grushte Rozanën. Kjo kishte pak kohë që kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks dhe po mbronte me duart e saj pjesën e bustit të trupit, në një kohë që kishte lënë të zbuluar pjesën e fytyrës, ku dhe ka marre goditje me grushte nga Rezarta Shkurta. Nga akti i ekspertimit mjekoligjor tek e dëmtuara Rozana Radi konstatohet hematomë përreth syrit të majtë të shoqëruar me infiltrim hemorragjik të sklerës, një ekimoze. Pra të gjitha këto dëmtime janë në pjesën e fytyrës. Ka qenë operacioni i bërë para disa ditësh, i cili ka kufizuar shtetasen Rozana Radi te vetëmbrohej, por ka qenë e pamundur mbrojtja e fytyrës, ku dhe është goditur nga e pandehura Rezarta Shkurta. Për shkak të këtij operacioni, Rozana nuk mund të bënte asnjë veprim pasi mund të dëmtohej. Rozana Radi ka shpjeguar se nga kjo ngjarje nuk ka dalë për dy javë nga banesa. Ndërkohë, e pandehura Rezarta Shkurta ka thënë në polici, pasi Rozana Radi i kishte lajmëruar forcat e rendit, se «edhe unë kam qëlluar, pasi jam vetëmbrojtur». Policët kanë deklaruar para gjykatës se, përveç Rozana Radit dhe te pandehurës Rezarta Shkurta, aty ishte dhe shtetasi Ermal Hoxha, i cili nuk ishte pjesë e sherrit të zhvilluar. Si Rozana ashtu edhe Rezarta ishin shumë të lyera me tualet dhe të shkatërruara në dukje, për shkak të lotëve. Shtetasi Ermal Hoxha është pyetur në Gjykatë dhe ka deklaruar se me shtetasen Rozana Radi para shumë kohësh ka pasur lidhje, por më pas është ndarë. Ai shpjegon se shtetasen Rezarta Shkurta e ka bashkëshorte. Në lidhje me ngjarjen, Hoxha tha se Rezarta ka dalë nga shtëpia me qëllim për tu sqaruar me shtetasen Rozana Radi për shkak të një konflikti që ato kishin midis tyre. Ato janë zënë me njëra-tjetrën dhe më pas aty ka ardhur policia. Ai shpjegoi se nuk ka marrë pjesë në konflikt, por është munduar që të ndante sherrin e nisur midis Rezartës dhe Rozanës. Në pretencën e Prokurorisë thuhet se është pyetur Rezarta Shkurta, e cila ka thënë se marrëdhëniet e saj me Rozana Radin nuk kanë qenë të sinqerta, pasi Rozana ka qenë e lidhur para shumë kohësh me shtetasin Ermal Hoxha, bashkëshortin e Rezartës. Sipas Rezartës, ato kanë pasur konflikt edhe në një emision të zhvilluar nga një televizion në Kosovë. Në lidhje me ngjarjen, Rezarta shpjegon se nuk ka sulmuar Rozanën dhe se ajo ka qenë në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi është sulmuar nga Rozana. Rezarta mohon që ta ketë goditur në fytyrë Rozanën.
TRAZHGIM SOKOLAJ