E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhi i Spillesë, zbardhet afera me hartën e pronave

Plazhi i Spillesë

Prokuroria përfundon hetimet, 6 persona të pandehur për falsifikime.

Toka arë u kthye në 1650 dynymë zonë ranore në plazh.

Njësia Task Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës zbardh skemën e abuzimit me 1650 dynymë tokë në plazhin e Spillesë në Kavajë. Dosja penale pritet që brenda pak ditëve të dërgohet në Gjykatë, pasi sipas grupit hetimor janë duke u kryer veprimet e fundit procedurale. Ndërkaq, sipas hetimeve të deritanishme, mbi bazën e një referimi të Policisë, më 13 shtator 2011 Prokuroria hapi dosjen për veprat penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorimit të detyrës. Nga hetimet ka dalë se shtetaset Minerva Jenisheri dhe Fejzilete Spahiu, me prokurë të posaçme, kanë autorizuar avokatin Agim Hoxha për ti përfaqësuar në identifikimin, njohjen, kthimin e kompensimin e pronave të trashëgimlënëses Neime Jenisheri, e cila ka pasur në pronësi dhe i janë shpronësuar 1650 dynymë tokë, në vitin 1946 në zonën e Spillesë të Kavajë. Avokati ka paraqitur në Z.R.K.K.P. Qarku Tiranë, dy kërkesa për kthimin e kompensimin e pronave, në datat 04.06.2007 dhe 25.06.2007. Vlerësimi ligjor paraprak për pronat e familjes Jenisheri është bërë nga topografi Dhimitër Papa. Agjencia e pronës ka marrë dy vendime për kthimin e pronës për këtë familje, konkretisht nr.261, datë 28.08.2008 dhe nr.276, datë 10.09.2008, të Z.R.K.K.P. Qarku Tiranë dhe në hartat e pasurisë së kthyer rezultojnë si pasuri arë dhe ndodhen në katundin Spille dhe Greth. Këto prona janë regjistruar në Z.R.P.P. Kavajë, të identifikuara si pasuri e llojit arë. Pikërisht për pronën e përfituar nga trashëgimtarët nuk është bërë pozicionimi i saktë, pra mbi këto pasuri, por në pasuri ranishte e duna rëre të ndodhura mes detit dhe tokës bujqësore në fshatin Spille dhe detit e moçalit në Vilë-Bashtovë. Sipas Prokurorisë, kjo mospërputhje e pozicionimit hartografik të tokës së kthyer ka dalë nga akti i ekspertimit topografik, datë 21.11.2011, të kryer me urdhër të Prokurorisë Tiranë nga një grup ekspertësh. Sipas Prokurorisë, zhvendosja nga tokë bujqësore në tokë ranore-plazh është bërë në korrik 2007 nga një grup pune i përbërë nga Dhimitër Papa, me detyrë topograf pranë Z.R.K.K.P. Qarku Tiranë. Grupi ka pasur si anëtarë edhe shtetasit Altin Ceni, Merita Gjinali, Ali Aliaj dhe Bledar Dervishaj. Ata dyshohet se kanë ndryshuar zërin kadastral të regjimit juridik e fizik të tokës nga tokë bujqësore arë, në tokë ranore plazh. Ata dyshohet gjithashtu se kanë ndryshuar pozicionin gjeografik të kësaj prone duke i kaluar në pronësi familjes ranishte buzë detit, që nuk ka përputhje me kufijtë e pronës para shpronësimit.             tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›