E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmet në zonën e naftës, banorët në protestë masive

Depozitat e naftës që u zbrazën dje nga protestuesit

Zbrazin në rrugë naftën. Ndërhyn policia për të shpërndarë protestuesit.

Fajësojnë kompaninë kanadeze për shpërthime nëntokësore.

Protestë masive e banorëve të komunës Zharrës në Fier kundër punimeve të kompanisë kanadeze Bankers Petrolium. Tri lëkundje toke janë ndier në qytet në Fier, Roskovec, si dhe në zonën e Dukasit, Patos në orët e para pas mesnate, duke u gdhirë e diela. Këto lëkundje kanë tmerruar banorët e kësaj zone, e sidomos ata të fshatit Zharrëz, të cilët prej kohësh ankohen se lëkundjet vijnë si rrjedhojë e punimeve që kryen kompania e huaj në zonën naftëmbajtëse. Banorët, të trembur dhe irrituar, kanë protestuar paraditen e djeshme, ndërsa e kanë lidhur fenomenin e lëkundjes me shpërthimet e shkaktuara në thellësi të tokës, në puse të ndryshme nafte gjatë procesit të punës nga ana e kompanisë së naftës, Bankers Petrolium. Ata deklarojnë fakte tronditëse që kanë të bëjnë me gjithë aktivitetin e firmës në fjalë. Banorët kanë treguar se për të disatën herë shpërthimet nëntokësore u kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesat e tyre. Thamë se vdiqëm. Lëkundjet ishin shumë të forta. Mund të themi pesë ballë. Dolëm nga shtëpia të trembur dhe pas lëkundjes së parë kanë ndodhur dhe dy lëkundje të tjera. Jemi të bindur se ato ndodhin nga shpërthimet në thellësi që kryen kompania e naftës, deklarojnë banorët. Nuk flemë dot nga frika. Nuk rrimë dot në shtëpitë tona. Jemi të pambrojtur. Na duket sikur shtëpia do na shembet nga çasti në çast. Shtëpitë e gjithë fshatrave këtu janë plasaritur nga shpërthimet që ndodhin natën. Disa herë kemi kërkuar zgjidhje, por askush nuk na e ka vënë veshin. Na trajtojnë sikur të mos ekzistojmë fare. Për këtë arsye, banorët për më shumë se një orë kanë mbajtur të bllokuar aksin nacional Fier-Berat. Një pjesë e tyre, të irrituar, kanë sulmuar depozitat e dekantimit të naftës bruto, depozita që ndodhen anës kësaj rruge, duke hapur saraçineskat e depozitave dhe duke derdhur naftën bruto në shenjë proteste. Le ta kuptojnë të gjithë që ne nuk jemi inekzistentë, por jemi qenie të gjalla që dimë të mendojmë, dimë të presim, por dimë edhe të veprojmë. Le ta dinë drejtuesit e kësaj kompanie se çfarë ndjesie të krijohet kur të dëmton pasurinë tënde dikush, kanë deklaruar protestuesit. Si pasojë e këtij veprimi, një sasi e konsiderueshme nafte është derdhur në ambientin përreth, duke shkaktuar veç dëmit, edhe një ndotje të madhe ekologjike. Banorët kanë kërkuar madje edhe ti vënë zjarrin kësaj sasie nafte. Me shpejtësi ka ndërhyrë policia, me rreth 100 forca të saj. Në vendngjarje mbërritën rreth 100 forca policore, duke përfshirë edhe Forca Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këta të fundit rrethuan edhe zonën ku ndodhi ngjarja. Në ndihmë të forcave të Policisë dhe në gatishmëri kanë qenë dhe mjetet zjarrfikëse. Po kështu, të pranishëm kanë qenë dhe përfaqësues të organit të akuzës Fier. Pas negociatave më banorët, është lënë e lirë rruga Fier-Berat, e bllokuar për më shumë se një orë dhe ka nisur qarkullimi normal i mjeteve në këtë aks. Ndërkohë banorët janë shpërndarë duke thënë se kjo gjendje ka shumë muaj që përsëritet dhe gjithçka sipas tyre lidhet me shpërthimet në nëntokë që kryen kompania e naftës, Bankers Petrolium.

Kryekomunari: Të zbulohen shkaqet
Kryetari i komunës Zharrëz, Tauland Grëmi, ka pohuar se në orët e para të mëngjesit janë ndier tri lëkundje të forta, por ai nuk mund të përcaktojë nëse këto janë shpërthime apo lëkundje nga tërmetet. Janë ndier tri lëkundje toke të fuqishme. Unë nuk jam ekspert i fushës së sizmologjisë. Ajo që duhet të them është se banorët janë të irrituar dhe kërkojnë zbulimin e shkaqeve dhe fenomeneve të tilla, u shpreh ai.

Bankers: Tërmet
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Bankers Petrolium, Leonidha Çobo, i kontaktuar me telefon, ka deklaruar se këto lëkundje kanë qenë tërmete dhe jo të shkaktuara nga shpërthimet e kryera nga kompania. Gjithkush mund të verifikojë këtë deklarim të tillë për tërmetet në faqen zyrtare të Institutit Sizmologjik. Tashmë kompania po punon për sistemimin e kësaj masakre mjedisore, përfundoi ai.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›