E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga, arrestohet Liljana Kondakçi



Fatos Mahmutaj

Liljana Kondakçi, këngëtarja lirike shqiptare e viteve ’80 përfundon përsëri në pranga jashtë Shqipërisë. Kësaj herë arrestimi është kryer nga Policia greke, në një banesë në qytetin verior të Selanikut, për llogari të autoriteteve italiane të drejtësisë. Mediat helene bënë të ditur lajmin e prangosjes së saj, të cilin më pas e konfirmoi për mediat shqiptare edhe Ambasadori shqiptar në Athinë, Vili Minarolli. Arrestimi i këngëtares shqiptare 58-vjeçare është bërë në një banesë në këtë qytet grek, të cilën prej muajsh e kishin marrë me qira familjarët e saj. Policia greke, pas prangosjes pohoi se agjentët e antidrogës italiane e kishin survejuar 58-vjeçaren Kondakçi, të dënuar me 32 muaj burg në mungesë, në lidhje me një çështje të vitit 2006. Arrestimi i saj është bërë menjëherë sapo ka mbërritur në banesë, ndërsa ishte nisur nga Tirana disa orë më parë. Pas kësaj, ajo është dërguar në qelitë e paraburgimit në pritje të procedurave që do kryhen nga autoritetet italiane të drejtësisë për ekstradimin e saj në burgjet e këtij vendi, ku do vuajë dënimin që ka marrë në vitin 2008. Problemet e Kondakçi me drejtësinë italiane kanë nisur më 19 maj të vitit 2006, kur ajo u arrestua në stacionin e trenit Sibari në zonën e Cosentinos, me tre kilogramë kokainë në çantë. Në momentin e arrestimit, këngëtarja deklaroi se pakoja me drogë ishte një dhuratë nga një fans dhe ajo nuk ishte në dijeni për përmbajtjen e saj. Pasi qëndroi disa muaj në burg, Kondakçi u lirua dhe mundi të kthehej në Tiranë, ku deklaroi se arrestimi i saj kishte qenë gabim dhe se nuk kishte asnjë problem me drejtësisë italiane. Por vetëm pak muaj më vonë, në tetor të vitit 2008, Prokuroria e zonës së Castrovillarit kërkoi dënimin me 2 vjet e 8 muaj burg, për artisten shqiptare dhe pritësin e lëndës narkotike, i cili rezultoi gjithashtu të ishte një shqiptar. Në nëntor 2008 gjykata shpalli vendimin duke dënuar këngëtaren, të cilën e gjeti fajtore si korriere të trafikut të narkotikëve nga Shkodra drejt Jugut të Italisë, ku magazinohej. Gjykata argumentoi në vendim se Kondakçi ishte pjesë e një bande italo-shqiptare të trafikut të drogës, e lidhur ngushtë me organizatën mafioze “Ndrageta”. Policia italiane pohoi atëherë se Kondakçi, thirrej “La mamma” nga anëtarët e tjerë të grupit kriminal ku bënte pjesë, të cilët ranë të gjithë në prangat e policisë. Operacioni policor i koduar “Shkodër”, i organizuar kundër kësaj bande të trafikut, vuri në pranga rreth 20 vetë, italianë, shqiptarë dhe rumunë, mes të cilëve edhe drejtuesin, italianin Saverio Magliaro, atëherë 58 vjeç. Gjykata pohoi në vendim se pasi magazinohej në jug të Italisë, droga më pas shpërndahej në qytetet e pasura të veriut të vendit nga të tjerë anëtarë të kësaj organizate. Pasi e dënoi me dy vjet e tetë muaj burg, gjykata nxori sërish një urdhër për arrestimin e këngëtares nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, por që mbeti i pazbatuar për shkak se Kondakçi ishte larguar nga Italia dhe jetonte mes Tiranës dhe Selanikut. Tashmë pas arrestimit, sipas drejtësisë italiane asaj i duhet të kalojë edhe disa muaj të tjerë në qeli për të shlyer dënimin, pasi një pjesë të tij e ka shlyer me paraburgim dy vjet më parë. Ditën e hënë pritet që ajo të përballet me masën e sigurisë në një Gjykatë në Selanik, ku do i komunikohet arresti 40-ditor, kohë e mjaftueshme për autoritetet italiane të drejtësisë të përgatitin dokumentacionin e duhur për ekstradimin e saj.

Fqinjët: Liljana ishte në Tiranë 2 ditë më parë
TIRANE - Liljana Kondakçi ishte larguar paraditen e së premtes nga banesa e të ëmës në Rrugën e Kavajës, për t’u rikthyer te pjesa tjetër e familjes në Selanik të Greqisë, prej nga kishte mbërritur vetëm një ditë më parë. Këtë fakt e pohojnë fqinjët e nënës së këngëtares, sipas të cilëve Liljana Kondakçi prej disa muajsh i ishte bashkuar pjesës tjetër të familjes së saj në Greqi. Para se ta largohej, rreth tre muaj më parë, artistja kishte transportuar për në apartamentin e nënës mobiljet e saj dhe pastaj kishte ikur në Selanik. Gjatë kësaj kohe, ajo kishte ardhur disa herë për të vizituar nënën 91-vjeçare, e cila jeton e vetme në një apartament të vjetër në katin e dytë të një pallati trekatësh. Sipas fqinjëve, ndoshta e ëma e moshuar nuk e ka mësuar lajmin e arrestimit të së bijës, pasi ajo ka humbur dëgjimin për shkak të moshës. Fqinjët pohuan se gjatë ditës së djeshme nuk e kishin parë 91-vjeçaren të dilte nga banesa, ndërsa thanë se një ditë më parë, (të premten) postieri që i kishte sjellë pensionin në banesë i ishte dashur të trokiste rreth 30 minuta në derë, derisa fqinjët kishin marrë paratë dhe ia kishin dhënë nënës së këngëtares në mbrëmje kur kishte hapur derën. Më tej fqinjët pohuan se Liljana kishte ndihmuar të ëmën për restaurimin e banesës dhe pastaj ishte larguar për në Greqi. Sipas tyre, vetë Liljana u kishte thënë se nuk kishte probleme me drejtësinë italiane, ndërsa ua kishte vërtetuar këtë me faktin që kishte shkuar dhe ardhur disa herë nga Greqia. Fqinjët pohuan se nuk e kishin pyetur më tepër Liljanën, pasi ajo megjithëse vinte shpeshherë te banesa e të ëmës, qëndronte shumë pak kohë aty dhe largohej sërish ose për në banesën e saj pas Muzeut Kombëtar, ose largohej jashtë vendit te pjesa tjetër e familjes ku qëndronte pak ditë. Banorët e pallatit ku banon e vetme nëna e këngëtares, pohuan se tashmë kujdesi për plakën 91-vjeçare u mbetej atyre, pasi ajo nuk kishte familjarë të tjerë në Tiranë. Të paktën në pllakën e mermertë të pragut të derës së banesës së nënës së këngëtares dallohej qartë pluhuri i pafshirë prej ditësh, i cili ishte prishur në një vend ku kishte kaluar vetëm plaka. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›