Droga e Elbasanit vinte nga Maqedonia dhe do të shkonte drejt Italisë
Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet ka faktuar se droga vinte nga Maqedonia në Shqipëri dhe më pas trafikohej në Itali e Greqi. Po sipas organit të akuzës i dyshuar si organizator i këtij rrjeti trafiku është Mikel Dima, i cili është edhe pronari i mallit të blerë në Maqedoni ditën e arrestimit. Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet thotë se disponon filmime, regjistrime audio, fotografi dhe një bollëk materialesh të tjera të siguruara përmes përgjimeve, të cilat implikojnë katër elbasanasit e arrestuar dy ditë më parë për trafik droge nga Maqedonia në Shqipëri. Sipas burimeve dihet edhe skema e funksionimit të këtij rrjeti ndër-rajonal. Zyrtarë të prokurorisë thanë se ndaj katër të arrestuarve: Mikel Dima, Thanas Bebi, Bexhet Hidri e Gjergji Gjika, ky i fundit ish-futbollist i skuadrës së Elbasanit, janë siguruar një sërë provash materiale, si përgjime, raporte vëzhgimi, fotografi dhe pamje filmike të takimeve të ndryshme mes tyre për kryerjen e trafikut të drogës.
Prokuroria prej kohësh po hetonte katër shtetasit e arrestuar, Mikel Dima, Thanas Bebi, Bexhet Hidri e Gjergji Gjika, për të cilët kishte informacione se merreshin me veprimtari të paligjshme të trafikut të drogës. Gjatë këtyre ditëve të hetimit, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda janë përgjuar, filmuar dhe vëzhguar të gjitha lëvizjet e të dyshuarve deri në momentin e arrestimit dhe sekuestrimit të drogës prej 4 kilogramësh heroinë dhe 1 kilogrami përzierës si dhe laboratori, ku dyshohej se përpunohej droga e ardhur nga Maqedonia.
Ekzekuton kushëririn, hap zjarr edhe kundër policisë
Korçë- Ekzekuton të afërmin e tij pas një sherri për motive ende të paqarta dhe për t’i shpëtuar prangave policore ka hapur zjarr me armë edhe në drejtim të uniformave blu. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Podgorie të rrethit të Korçës, rreth 25 km larg qytetit, ku aktualisht forca të shumta policie janë në ndjekje të autorit. Sipas burimeve zyrtare mësohet se gjithçka ka nisur pas një sherri mes shtetasve Reshit Adri dhe Lulzim Lazes, të afërm mes tyre. “Reshit Adri ka vrarë me armë zjarri automatik të afërmin Lulzim Laze, 41 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga të shtënat”, -thanë burimet nga vendi i ngjarjes. Pas kësaj, policia është vënë në ndjekje të autorit, por ky i fundit nuk ka pranuar të dorëzohet. Madje, sipas burimeve policore, ka nisur të qëllojë me breshëri edhe në drejtim të policisë. Shkëmbimi i zjarrit ka vazhduar për më shumë se 20 minuta. Në ndihmë të forcave policore të Korçës kanë mbërritur edhe forcat RENEA, por ende nuk është bërë i mundur ndalimi i autorit.
13 Janar 2009