E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu prezanton tetë magjistratë në Gjykatën e Tiranës



Tiranë - Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, prezantoi dje në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë tetë kandidatët për magjistratë. Falë vendimit të mbledhjes së fundit të KLD-së, këta magjistratë u propozuan për të kryer stazhin profesional si gjyqtarë pranë kësaj gjykate. Rëndësia e kësaj vendimmarrjeje u pa e lidhur me ngarkesën e lartë të punës dhe shumëllojshmërinë e çështjeve gjyqësore që ofron Gjykata e Shkallës së Parë të kryeqytetit dhe që u vlerësua nga Këshilli se i shërben formimit profesional të magjistratëve gjyqtarë. Prezantimi i kandidatëve për magjistratë u bë nga tre anëtarë të Këshillit, kryesuar nga zëvendëskryetari Kreshnik Spahiu, në praninë e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Ristani dhe të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Albert Meçe. Gjatë këtij prezantimi, përfaqësuesit e organit qeverisës të Gjyqësorit u komunikuan magjistratëve rëndësinë e misionit të tyre në drejtësi, vlerësimin e lartë për nivelin profesional që gjyqtarët magjistratë kanë dëshmuar të kenë sjellë në sistemin gjyqësor, si dhe vëmendjen e posaçme që Këshilli i Lartë i Drejtësisë vazhdon t’i kushtojë këtij investimi të rëndësishëm për dhënien e drejtësisë. Në fillim të detyrës së tyre, tetë magjistratët u siguruan për predispozitën maksimale të drejtuesit të Gjykatës së Rrethit Tiranë si në drejtim të sigurimit të infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e detyrës, ashtu edhe në vëmendjen për përfshirjen e tyre në çështje të shumëllojshme dhe të përshtatshme për stadin e formimin të tyre profesional. Vendimet e tetë magjistratëve do t’i nënshtrohen si kontrollit të brendshëm gjyqësor, ashtu edhe shqyrtimit nga Këshilli Pedagogjik i Shkollës së Magjistraturës, për efekt të vlerësimit të tyre përfundimtar.

13 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›