Onkologjiku, mungojnë medikamentet e shtrenjta
Pacientët që vuajnë nga tumoret po përballen me mungesën e barnave të shtrenjta. Burime nga QSUT-ja bëjnë të ditur se mungon paketa e plotë me barna, që është e domosdoshme për kurimin e pacientëve. Pacientët e Spitalit Onkologjik po përballen me vështirësinë e sigurimit të medikamentit Gizmar, që ka një kosto prej 60 mijë lekësh. Ky medikament është i vështirë të gjendet në farmaci, ndërsa të sëmurët e kanë të domosdoshme marrjen e tij. Në këtë situatë pacientët nuk e kanë marrë mjekimin e plotë prej disa muajsh nëpër spitale, por kanë gjetur zgjidhje nëpërmjet të afërmve duke shfrytëzuar farmacitë në shtete të huaja. Tenderat për medikamentet kryhen në mënyrë të vazhdueshme, por aktualisht nuk është bërë shpërndarja e tij në spital. Në Drejtorinë e QSUT-së, brenda dy javëve të fundit, kanë mbërritur mbi 6 ankesa për mungesën e medikamentit. Shpërndarja e medikamenteve për të sëmurët me tumor është bërë vetëm për fëmijët e vegjël. Kjo pasi ata janë më problematikë dhe çështja e tenderimit është zgjidhur në një kohë më të shpejtë. Kjo kategori ka qenë edhe më në vështirësi për përballimin e sëmundjes dhe mungesat e shumta në medikamente apo aparatura. Ndërkohë që në QSUT numërohen mbi 3 mijë raste të reja në vit të të prekurve nga tumoret. Nga këta, një pjesë e madhe janë fëmijë, pasi vitet e fundit është shtuar numri i fëmijëve të prekur nga sëmundja që rrezikon mijëra jetë njerëzish në çdo vend të botës.
13 Janar 2009