Krimet e Rënda japin 35 vite burg për trafik armësh dhe droge
Laureta Rryçi
Tiranë - Gjykata shpalli dje fajtor katër të pandehurit nga Elbasani, mbi të cilët rëndon akuza e trafikimit të armëve dhe e lëndëve narkotike. Pas një sërë seancash gjyqësore, kolegji penal, i kryesuar nga gjyqtarja Marsela Balili, vendosi të dënojë me 14 vjet burg dhe 300 mijë lekë gjobë Besnik Brakën, i cili është cilësuar edhe drejtuesi i këtij grupi. Ndërsa tre të pandehurit e tjerë, Zamir Ferhati, Zamira Gjongecaj dhe Tajar Leçini, u dënuan me nga shtatë vjet burg. Avokatët, pas vendimit, u shprehën se do ta apelojnë atë duke mos rënë dakord me këtë masë dënimi.
Vendimi
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që katër të pandehurit nga Elbasani, të akuzuar për trafik droge dhe municionesh luftarake, në bashkëpunim, të dënohen me 35 vjet heqje lirie gjithsej. Togat e zeza të kësaj gjykate, pas shqyrtimit të dosjes nga themeli dhe dëgjimin e pretendimeve të palëve në proces, vendosën të deklarojnë fajtorë katër të pandehurit për veprat e akuzuara nga prokuroria. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Besnik Braka dënohet me 14 vjet heqje lirie për shkak se ka kryer veprat penale të “trafikut të lëndëve narkotike” dhe “trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake” në bashkëpunim. I pandehuri Zamir Ferhati, po për kryerjen e të njëjtave vepra penale, u dënua me 7 vjet burg. Ndërsa të pandehurit Tajar Leçini dhe Zamira Gjongecaj u dënuan me nga 7 vjet heqje lirie secili, për kryerjen e veprës penale të “trafikut të lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Të njëjtat masa dënimi kanë kërkuar përfaqësuesit e akuzës gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare disa muaj më parë. Ndërsa vetëm një orë para dhënies së vendimit nga togat e zeza, avokatët mbrojtës dhe vetë të pandehurit kërkuan të lihen të lirë nga gjykata, duke pretenduar pafajësi.
Akuza
Besnik Braka akuzohet se në vitin 2003, bashkë me shokun që është e arrestuar, Zamir Ferhati, kanë transportuar për në Greqi 500 mijë fishekë automatiku. Kamioni që po i transportonte u zbulua në Kakavijë, ku sipër arkave të fishekëve të fshehur kishte qymyr druri. Kamioni ishte nisur nga Elbasani dhe sipas akuzës, ishte i të pandehurit Besnik Braka, i cili u arrestua bashkë me Tajar Leçinin, Zamir Ferhatin dhe Zamira Gjongecajn në Tiranë për trafikim të lëndëve narkotike. Të arrestuarve iu kapën edhe 5 kilogramë heroinë e pastër, e cila dyshohet të vinte nga Turqia dhe do të dërgohej në Itali. Ditën e arrestimit Brakës iu konfiskua banesa e tij në Tiranë, lokali në Elbasan dhe makina e tij tip “Benz” e vitit të prodhimit 2004. Dyshohet që këto të jenë blerë nga Braka me lekët e nxjerra nga shitja e lëndëve narkotike dhe armëve.
Borxhi, përleshen me thika shqiptarët në Parma, njëri rëndë në spital
Një i ri shqiptar është shtruar në spital në Parma në gjendje të rëndë, gjatë orëve të para të ditës së djeshme, pasi është plagosur disa herë me thikë. Policia italiane ka bërë të ditur se, një 25-vjeçar nga Shqipëria është goditur disa herë me thikë nga një bashkëkombës i tij, pas një sherri mes tyre. Sipas të dhënave, i riu ndodhet në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën. Nga dëshmitë e mbledhura, zënka mes dy të rinjve shqiptarë kishte nisur dy ditë më parë dhe më pas kishte vazhduar. Dhe pse ishin ndarë, autori i dyshuar kishte ardhur sërish më pas dhe me një thikë në dorë ka qëlluar mbi viktimën e tij. Dyshimet e para janë që sherri dhe më pas plagosja të kenë nisur për shkaqe borxhesh në para.
13 Janar 2009