E Diel, 1 Nëntor 2026

Dejvid Smajli, një nga tre “muskëtierët” britanikë kundër Enver Hoxhës



Më 17 dhjetor 1943, gjeneral-brigade i SOE-s, E. M. Trocki Dejvs, raportonte në shtatmadhëri se Balli Kombëtar dhe zogistët janë duke bashkëpunuar me gjermanët, të cilët po i përdorin duke i caktuar të ruajnë rrugët kryesore si policë qytetesh dhe si udhëheqës patrullash për të hapur rrugën për patrullat gjermane, duke u dhënë atyre armë në sasi të mëdha. Ai shtonte se ndërkohë që ata kishin premtuar për të luftuar okupatorët, asnjëherë nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Kam mendimin se qëndrimi i Aleatëve duhet të bëhet menjëherë publik, për t’u treguar kuislingëve, tradhtarëve dhe atyre që nuk i kundërvihen gjermanëve se ata do të marrin ndëshkimin e duhur nga Aleatët në kohën e duhur. Dejvisi rekomandonte njohjen e LNÇ si e vetmja organizatë rezistence. Bile muskëtierët ishin të detyruar të pohonin se nacionalistët bashkëpunojnë me gjermanët dhe se ne mund të jemi të detyruar të bashkëpunojmë ekskluzivisht me partizanët si forca e vetme ushtarake që ia vlen të mbështetet në vend. Tri javë më vonë, Dejvisi i shpëtoi një prite të ngritur nga një grup pronazist i Ballit Kombëtar. Një specialist shqiptar spekuloi: ”Mos ndoshta ndokush në anën e Aleatëve dëshiron të heqë qafe këtë përkrahës të LÇN?” Fillimi i vitit 1944, që shënon krijimin e një koalicioni nacionalist, bashkoi Mehdi Frashërin, Abaz Kupin e të tjerë si pjesë e një orvatjeje për të shtypur komunistët. Pa dyshim që pati një bashkëpunim indirekt me kolaboracionistët nacionalistë. Kupi në Tiranë ndërhyri në emër të organizatës së tij në politikën kolaboracioniste të kryeqytetit. Sipas dokumenteve gjermane, Kupi mori takimin me zyrtarët gjermanë dhe u tha atyre se ai nuk do t’i luftonte ata, bile edhe sikur të kishte një zbarkim të forcave aleate. Emisari gjerman në Tiranë konfirmoi se ekzistonte një bashkëpunim me Ballin Kombëtar, të përbërë nga ekstremistë, të cilët kanë denoncuar misionin britanik të Billi Mekleinit për dhënien bolshevikëve të një kontributi të rëndësishëm moral dhe material... Dejvid Smajli dhe Emëri shiheshin si agjentë të maskuar të Internacionales së Tretë. Oficeri i SOE-s dhe aktor në ngjarjet, Entëni Kuejll (Anthony Quale) në një raport përmbledhës më 30 prill 1944, e përshkruante Ballin Kombëtar si një aglomerim i padisiplinuar individësh që i bashkon vetëm urrejtja për komunizmin. Një raport i gushtit 1944, i përpiluar nga Zyra Amerikane e Shërbimeve Strategjike (OSS) mbi Shqipërinë, me titull “Kushtet politike të brendshme” pohonte se Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica dhe Mithat Frashëri janë me gjermanët... Tani janë duke u ndërmarrë masa antisemitike. Një dokument i kapur SS zbulonte se Deva ishte përgjegjës për internimin e “Çifutëve, komunistëve dhe partizanëve” në kampet e shfarosjes si dhe për inkursionet ndëshkimore nga Divizioni SS Skënderbeg. Territori i vogël malor kishte pak çifutë, kështu që të paktën ishin ata që u kapën dhe u pushkatuan, megjithëse Kristofor Simpsën shton se “jo për mungesë të përpjekjeve nga ana e organizatës së Ballit Kombëtar dhe Divizionit SS shqiptar”, të cilët u implikuan në një seri spastrimesh antisemitike, që përmblidhte rreth 800 njerëz, shumica e të cilëve u internuan dhe u masakruan. LÇN e quante Devën përgjegjës për masakrën në Tiranë të 4 shkurtit 1944 dhe për mizoritë e tjera të kryera nga Gestapoja në bashkëpunim me xhandarmërinë shqiptare. Entëni Kuejll përfundonte se nacionalistët djathtistë, të cilët vlerësoheshin pothuaj si kuislingë, janë duke parë me shqetësim të ardhmen se kush do t’i shpëtojë ata nga hakmarrja e partizanëve kur gjermanët do të largohen nga Shqipëria? Ngurrimi i nacionalistëve për të luftuar, shkruan Rexhinëld Hebërt, në kushte historike, ishte i pafalshëm dhe ndërkohë që lufta po i afrohej fundit, nuk iu fal dhe ata korrën një shpagim të tmerrshëm. Lëvizja partizane nacional-çlirimtare, forcat kryesore i kishte në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut dhe ishte e dobët në malet e Veriut. Sidoqoftë, me vazhdimin e luftës, partizanët u shtuan në forca dhe filluan të lëvizin drejt Veriut, duke i kërcënuar nacionalistët. Ndërkohë, misioni CONSENSUS II, që përfshinte Mekleinin, Smajlin, Emërin dhe ata që kishin ngelur nga një mision tjetër Slenderin u kthyen më 1944-n në Shqipëri, kohë kur raporti i forcave ish-në favor të komunistëve. Sidoqoftë, muskëtierët, duke menduar për botën e pasluftës deshën që të rritnin ndihmën për antikomunistin Kupi dhe forcat zogiste, në verilindje të Tiranës. Por, gjatë verës njësitë e BK-së ishin integruar nën komandën gjermane, ndërsa Lëvizja e Legalitetit e Kupit vlerësohej nga Shtabi Britanik i Kajros jo si një faktor ushtarak. Ndonëse nuk kishte ndonjë mbështetje për kthimin e Zogut, Kupi vazhdonte të kënaqej me intrigat e tij dhe gjermanët lejuan një nga përkrahësit e tij, bajraktarin gegë nga Veriu Fiqiri Dine, të organizojë një qeveri të sponsorizuar nga gjermanët, e cila nuk pati jetë të gjatë. Të vetmit nacionalistë në Shqipëri që përqafuan me gjithë zemër idenë e ndërtimit të Shqipërisë së ardhshme duke luftuar gjermanët qenë vëllezërit Kryeziu, Gani, Seit dhe Hasan. Megjithatë, lëvizja “Kryeziu” u shtyp menjëherë, duke eliminuar kështu të vetmen rezistencë jokomuniste ndaj gjermanëve në Veri. Kur u bë e qartë se forcat gjermane do të evakuoheshin nga fundi i gushtit, Kupi u bashkua me gjeneral Preng Prevezin dhe Fiqiri Dinen për të planifikuar një sulm ndaj gjermanëve, por forcat e tyre, në mënyrë tipike, u tretën. Në ditët e fundit të fushatës, një tufë heterogjene e përbërë nga zogistë dhe ballistë, Fiqiri Dinia dhe Preng Prevezi, si dhe gjashtëdhjetë trupa shqiptarësh të armatosur, u bashkuan me misionin britanik “Consensus”. Nuk është për t’u çuditur, duke njohur prejardhjen e shqiptarëve te të cilët ishin atashuar Meklein, Smajli dhe Emëri, që Hoxha dhe komunistët, në fakt e shikonin me dyshim dhe armiqësi misionin “Consensus”. Rezistenca e nacionalistëve ishte një iluzion. Në vjeshtën e vitit 1944, forcat gjermane po tërhiqeshin jashtë vendit dhe ishte e qartë se komunistët e kishin fituar luftën civile. Megjithatë, Emëri kishte besim se loja nuk ishte humbur: “Unë isha në Shqipëri në një moment kritik. Me një ndërhyrje të vogël britanike ose amerikane ne do të mund ta ruanim Shqipërinë në Perëndim. Kjo është në fund të fundit ajo që ne bëmë në Greqi. Forcat britanike shtypën rezistencën komuniste duke sjellë në fuqi gjeneral Zervën dhe tradicionalistët. Në Londër Uor Ofis pohonte se ishte jashtë mundësive të Britanisë të ndalonte një qeveri komuniste që do të drejtohej për ndihmë nga Jugosllavia dhe Rusia. Për këtë ne duhet të synojmë të forcojmë që tani pozitat me partizanët, me qëllim që pas luftës të jemi në gjendje të influencojmë në qeverinë partizane. Rezultati ishte se Emëri dhe Smajli ishin të detyruar ta braktisnin Kupin. Më vonë ai mori rrugën e tij së bashku me Ihsan Toptanin, një tregtar i pasur shqiptar. Enver Hoxha u njohu vëllezërve Kryeziu kontributin dhe ndihmën e dhënë në krahinën e Kosovës dhe për këtë u ofroi atyre një vend në qeverinë provizore, por ata refuzuan. Seit Kryeziu, përfundimisht u evakuua nga Komanda e Misionit Ndërlidhës Britanik në Itali. Viskaunt Bill Herkant, i cili ndiqte operacionet e SOE-s që nga Bari me Forcën 399, kur u vendos në Tiranë, ku me sytë e tij pa nga afër regjimin e ri, e vlerësoi Hoxhën si një njeri me karakter tejet të rëndë: I dhjamosur, rrumbullak, njeri i vetëkënaqur me një fytyrë bardhoshe të kuqërreme. Ai flet frëngjisht mirë, por ka një sjellje të pakëndshme. Viskont Herkant e gjeti Hoxhën të rrethuar nga një amalgamë komunistësh dhe banditësh të zakonshëm. Ai i tha gazetarit amerikan Sajrës Soullsbërgër se në fund ishte vendosur të përkrahej Hoxha sepse grupimi i tij dukej më i mirë nga kjo farë e keqe. Megjithatë, nuk kaloi shumë, që e djathta të zhvillonte teorinë e saj konspirative, ashtu siç bëri me Jugosllavinë dhe Titon. Piter Kemp e vuri çështjen e muskëtierëve në krye të librit të tij “Pa ngjyra e pa kreshtë”. Shqipëria ishte një sakrificë plotësisht e panevojshme që iu bë imperializmit sovjetik. Ishte iniciativa britanike, armët dhe paratë britanike që ushqyen rezistencën shqiptare në vitin 1943, ashtu siç ishte dhe politika britanike më 1944-n që i dorëzoi një fuqie armike nderin tonë dhe miqtë tanë. Rexhinëlld Hebërt e hodhi poshtë këtë si një mashtrim të pareshtur nga njerëz të cilët nuk mundën të kuptojnë çfarë kishte ndodhur: “Thelbi i çështjes qëndron në pretendimin se ishte ndihma britanike që solli udhëheqësit partizanë në pushtet në Shqipëri - nëse ndihma britanike do të shkonte në rrugë tjetër Shqipëria do të ishte sot një demokraci properëndimore”. Dhe Smajli lë të kuptohet se ishin komunistët, urithët, liberalët, majtistët dhe sentimentalët në SOE dhe në radhët e shokëve të tij, oficerëve britanikë të ndërlidhjes, që ishin fajtorë për kthimin e komunistëve shqiptarë kundër përpjekjeve më të mira të tij, ato të Bill Mekleinit dhe Xhuliën Emerit. Heërt parashikon kundërargumentin dhe bile në një mënyrë tepër ironike, se ishte Smajli ai që armatosi dhe stërviti Brigadën e parë Partizane më 1943-shin dhe ishte kjo brigadë që udhëhoqi pushtimin e Veriut më 1943-shin dhe që mundi të mbijetojë nga përpjekjet e gjermanëve për ta shpartalluar atë gjatë dimrit. Smajli e përshkruan arritjen e kësaj brigade në Veri si ditën më të zezë të vitit 1944. Ishte një e vërtetë e pakëndshme që LÇN kishte mbështetjen popullore dhe se një forcë revolucionare shpërtheu në Shqipëri më 1944-n, dhe kjo ishte forca kryesore që i dha fitoren e pushtetit të Enver Hoxhës. Siç pohon Hebërt, nuk ishte ndihma britanike, por dhuna dhe shkatërrimi italian dhe gjerman që sollën revolucionin në Shqipëri...

Materiali është marrë nga botimi “MI6, CIA dhe shërbimi sekret shqiptar”, i agjentit britanik Stefën Dorril, i përkthyer dhe përgatitur në gjuhën shqipe nga Perlat Çaushi. Gazeta “Albania” e riboton këtë pjesë pas ndarjes nga jeta të Dejvid Smajlit disa ditë më parë në Britani, në moshën 92-vjeçare.

Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare Xhejms Bondi britanik i viteve ‘50

Dejvid Smajli drejtoi operacionet më të vështira sekrete kundër rusëve dhe aleatëve të tyre në Shqipëri dhe mbështeti antikomunistët shqiptarë që luftonin regjimin e Enver Hoxhës. Jeta e tij është një aventurë e gjatë, që e çoi atë nga Ballkani deri në Arabi, në krye të misioneve më të pamundura dhe në shërbim të interesave të Londrës. Dejvid Smajli, koloneli i famshëm britanik dhe një nga agjentët më të njohur të shërbimeve britanike të zbulimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, vdiq më 9 janar të këtij viti në moshën 92-vjeçare. Ai ka shërbyer pas vijave të armikut në Shqipëri, Greqi, Abisini dhe territoret tajlandeze nën kontrollin e Japonisë. Pas luftës ai organizoi disa operacione sekrete ndaj rusëve dhe aleatëve të tyre në Shqipëri dhe Poloni, mes shumë vendeve të tjera. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai u dërgua me mision katër herë pas vijave të armikut. Në një rast ai u detyrua të largohej nga Shqipëria duke vozitur me një varkë. Taktikat e Dejvidit nxitën disa të sugjeronin se ai, bashkë me disa të tjerë, ishin modele për Xhejms Bondin.

13 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›