Droga e Lazaratit mban peng integrimin

Droga e Lazaratit pengon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë shkuan dje në Gjirokastër, disa kilometra larg “parajsës së marijuanës” për të dhënë mesazhin.
Ministrat Lulzim Basha, Genc Ruli e Spiro Ksera, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, zhvilluan në Gjirokastër në një takim publik sensibilizues kundër kultivimit të drogës dhe pothuajse në një zë të vetëm bënë thirrje për ndalimin e kultivimit të bimës narkotike të kanabisit, pasi është rrezik për integrimin. Edhe tema e takimit “Marrja e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike si një faktor me ndikim negative në integrim” e përfshinte idenë e deklaratave që u bënë aty.
“Banorët e fshatit Lazarat duhet të ndërpresin kultivimin e bimëve narkotike, sepse fenomeni kanabis nuk mund të mbajë peng Shqipërinë në procesin e pandalshëm të integrimit të saj”, deklaroi së pari Hysni Burgaj. Pas tij është Dashnor Aliko, kryetari i Komunës së Lazaratit, një ndër rajonet më të përfolura në vend për kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike, kërkoi nga banorët e komunës që të ndërpresin kultivimin e bimëve narkotike në këmbim të përfitimit të programeve sociale prej qeverisë. “Askush më shumë se lazaratasit e përndjekur dhe nëpërkëmbur gjatë regjimit komunist nuk kanë luftuar dhe kërkuar integrimin e gjithanshëm të vendit, prandaj do të jenë ata që do të japin një kontribut të ri për integrimin duke e nxjerrë këtë zonë nga harta e kultivimit të paligjshëm të bimëve narkotike”, tha Aliko. Sipas tij, qeveria do të rehabilitojë 630 ha tokë bujqësore nën ujë, ndërsa pritet që të rriten investimet në vepra publike për këtë komunë. Kryetari i komunës kërkoi gjithashtu mbështetje me politika ekonomike për kultivimin e bimëve mjekësore në vend të kanabisit.
Krahas Burgajt dhe Alikos, edhe autoritete të tjera të larta pjesëmarrës në këtë takim si ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ambasadori i OSBE në Bosch dhe deputetët e zonës Genc Ruli dhe Spiro Ksera pothuajse në një zë kanë drejtuar thirrje për komunitetin e zonave të Jugut të vendit të njohura dhe evidentuara si zona të kultivimit të kanabisit.
Takimi i organizuar pikërisht në prag të fillimit të sezonit të mbjelljes së kësaj bime në mënyrë ilegale e të paligjshme mori formën e një parandalimi për kultivuesit në një prej qarqeve më problematike në vend, të përfshirë prej vitesh në hartën e mbjelljes dhe trafikimit të kanabisit.
Ministri i Brendshëm theksoi me forcë se fenomeni do të goditet pa tolerancë dhe do të shkojnë në pranga të gjithë ata që do të tentojnë të kultivojnë. Sipas Bashës, policia nuk do të jetë e izoluar në operacionet që fillojnë sot dhe përfundojnë kur fenomeni të jetë zhdukur. “Ne vijmë këtu me vullnet të rinovuar dhe të ripërtërirë për të zbatuar ligjin në Lazarat e kudo ku fenomeni është prezent”, tha Basha.
Ndërkaq, ambasadori i OSBE-së në Tiranë ka bërë edhe vlerësime pozitive për punën e policisë dhe sasinë e bimës narkotike të sekuestruar prej saj në dhjetëra operacione, por sipas tij, nuk dihet ende sasia e mbërritur në destinacion prej trafikantëve. Bosch tha se fenomeni nuk mund të parandalohet vetëm me fushata, por kërkon veprime konkrete dhe bashkëpunim me pushtetin lokal dhe autoritetet e zbatimit të ligjit. Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit sipas Bosch, jo vetëm kërcënon sigurinë në vend, por ndikon në imazhin e keq të vendit.
Në Gjirokastër zhvillohen çdo vit takime sensibilizuese për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, por prej vitesh asnjë punonjës policie nuk guxon të shkelë në Lazarat, ku kanabisi është kultura kryesore bujqësore që kultivohet.
#