Vetëm nëse do të ndihmojë edhe FMN
Liderët e Gjermanisë dhe Francës kanë përmbyllur një marrëveshje për një rrjet të përbashkët mes europianëve dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të shpëtuar Greqinë, e cila është përfshirë nga një krizë e rëndë financiare për shkak të deficitit buxhetor. Kjo ka ndodhur në takimin e liderëve të Bashkimit Europian që u zhvillua dje në Bruksel. Marrëveshja, që i hap rrugën një marrëveshjeje më të gjerë mes liderëve të Eurozonës, ka ndërmend që të qetësojë tregjet financiare, të cilat janë bërë shumë nervoze dhe të paqëndrueshme për shkak të krizës në Greqi dhe të ulë kostot e larta të huamarrjes me të cilat po përballen grekët, duke qenë se besimi te monedha e euros ka rënë ndjeshëm. Banka Qendrore Europiane ka ndërmarrë gjithashtu një hap shumë kyç në lidhje me mbështetjen e Greqisë, duke zbutur rregullat për sa i përket kolateralit, në mënyrë që Athina të mos mbytet në borxhe në fund të vitit. Sipas një zyrtari francez, Presidenti i vendit, Sarkozi, dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë rënë dakord gjatë bisedimeve të tyre private në Bruksel në lidhje me “një tekst që përshkruan në mënyrë shumë precize kushtet në të cilat vendet e Eurozonës do të duhet që të dërgojnë në Greqi”. Sipas kësaj marrëveshjeje, vendet e Eurozonës do të japin shumicën e çdo lloj financimi ndaj Greqisë, me kushte shumë strikte të vendosura nga Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane dhe ndërkohë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar do të kontribuojë me para si ekspertizë. “Mekanizmi do të vihet në funksionim vetëm nëse do të ketë vështirësi shumë të mëdha dhe të pandreqshme dhe nuk do të kenë asnjë lloj zgjidhjeje tjetër për ta shpëtuar situatën”, ka deklaruar zyrtari francez. Ndërsa një zyrtar gjerman tha se vendet e Eurozonës duhet që të bien dakord për të aktivizuar planin, duke i dhënë Berlinit të drejtën e vetos.
Pas javësh të gjata shkëmbimesh të argumenteve në lidhje me mënyrën për të ndihmuar Greqinë, Merkel më në fund dje sinjalizoi në Parlament se do të pranonte një plan nëse në të do të kontribuonte edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe partnerët europianë do t’i bënin më të rrepta rregullat në lidhje me deficitin buxhetor të vendeve në Eurozonë. “Qeveria gjermane do të vazhdojë të mbështesë pikëpamjen e saj, se ndihma financiare në rast emergjente duhet të vijë nga një kombinim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por gjithmonë ky do të jetë veprimi i fundit për t’u ndërmarrë”, ka deklaruar Merkel. “Një europian i mirë nuk është domosdoshmërish ai që ofron ndihmë sa hap e mbyll sytë. Një europian i mirë është ai që respekton traktatet europiane dhe të drejtat e vendeve të tjera, në mënyrë që stabiliteti i Eurozonës të mos dëmtohet”, ka vazhduar Merkel. Ndërsa zëdhënësi francez nuk ka përmendur vendosjen e dënimeve të ashpra për ata që do të tejkalojnë limitet e lejuara të deficitit buxhetor, si në rastin e Greqisë, duke nënvizuar vetëm se Merkel dhe Sarkozi kanë rënë dakord për një “zbatim të qeverisjes ekonomike”, një term ky në fakt shumë i mjegullt dhe jo konciz, që në fakt ka të bëjë me koordinimin e politikave të qeverisjes. Për sa i përket Greqisë, ajo është e mendimit se një paketë në pritje për t’u lëvruar e vendeve të BE-së do të risiguronte tregjet dhe situatën. Ndërkohë, Papandreu tha: “Greqia është e vendosur që të përballet me problemet e saj për të vënë rregull në vend dhe ne tashmë kemi ndërmarrë një rrugë reformash shumë të ashpra dhe radikale”. Pas kësaj marrëveshjeje të arritur mes Francës dhe Gjermanisë, ndoshta Presidenti i Europës do të mbledhë liderët e Eurozonës për ta konsideruar materialin. Nga ky takim do të duhet që të dilet me një plan të detajuar në lidhje me ndihën konkrete ndaj Greqisë. Gjermania është ekonomia më e madhe dhe më e fuqishme e Europës dhe përballet me një opozicion shumë të madh të publikut në rast se do t’ia lejonte dhënien e parave Greqisë.
#